E Diel, 1 Nëntor 2026

9 prill 2008 - Çekia, interes për rritjen e investimeve në Shqipëri.

   
Qeveria e Republikës së Çekisë është shumë të interesuar për rritjen e investimeve çeke në Shqipëri, dhe vlerëson reformat kurajoze të ndërmara nga shteti shqiptar. Kjo deklaratë u bë nga përfaqësuesit e Komisionit të Ekonomisë, Bujqësisë dhe Tregtisë në Senatin e Republikës çeke, kryesuar nga zoti Ivan Adamec, në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Jam shumë e kënaqur, tha Kryetarja e Kuvendit, për dinamizimin e shkëmbimeve të vizitave mes komisioneve tona parlamentare, gjë që ishte një nga qëllimet e takimeve gjatë vizitës sime zyrtare në Çeki. Kjo vizitë e juaja është një nxitje më shumë për bashkëpunimin parlamentar dhe jo vetëm.

Zonja Topalli shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Çekisë në proceset integruese të Shqipërisë, si në marrjen e ftesës për anëtarësin në NATO dhe për ratifikimin nga Senati çek të MSA-së, ndërsa tha se shpreson që edhe Parlamenti të ratifikojë së afërmi këtë marrëveshje.

Nga ana e tij, zoti  Adamec, i vlerësoi si shumë pozitive reformat e ndërmarra dhe uroi zonjën  Topalli për marrjen e ftesës nga Shqipëria për anëtarësim në NATO, që, siç u shpreh ai: "do të ndikojë edhe në rritjen e investimeve në vendin tuaj, pasi aty ky është NATO ka një faktor stabiliteti."
Ai i konfirmoi zonjës Topalli se së shpejti edhe parlamenti çek do të ratifikojë MSA-në Shqipëri-BE.

Fokusi i bisedës ishte edhe rritja e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Zonja Topalli i njohu anëtarët e delegacionit të senatit çek me ligjet kryesore të miratuara në Kuvend, duke u ndalur në ligjet bazë të reformës fiskale.
Jemi përpjekur, tha ajo, që të krijojmë kushte sa më lehtësuese për biznesin, të shmangim burokracitë, kemi vendosur një taksë të sheshtë 10 për qind dhe kjo klimë  ka sjellë një rritje të shpejtë të investimeve në Shqipëri."

Zoti Adamec tha se vendosja e taksës prej 10 për qind është një reformë kurajoze që Çekia ende nuk e ka arritur.
Qeveria dhe investitorët çek janë shumë të interesuar të investojnë në tregun shqiptar, si edhe të marrin pjesë në privatizime në sektorë të ndryshëm, në energji, transport, apo turizëm.
Për këtë, tha ai, së shpejti do të nënshkruhen disa marrëveshje dy palëshe shumë të rëndësishme bashkëpunimi. Rritja e nivelit të shkëmbimeve tregtare do të sillte edhe nevojën e një linje direkte fluturimi, që do të ndikonte në afrimin mes dy vendeve.

Bashkëbiseduesit diskutuan mbi gjetjen dhe shfrytëzimin e  mundësive për të riaktivizuar  traditën shumë të mirë të shkëmbimit të studentëve, që janë një urë solide lidhëse mes dy popujve dhe dy vendeve.

Kryetarja Topalli, përmes delegacionin të Senatit çek, i përcolli Kryetarit, Sobotka mirënjohjen për mbështetjen e dhënë, duke nënvizuar se do të jetë në nderin dhe kënaqësinë e saj dhe të Parlamentit shqiptar vizita zyrtare e Kryetarit të Senatit në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›