E Shtunë, 31 Tetor 2026

187 milionë për buxhetin

Nga Express më 16 mars 2011 në ora 10:16

Doganat e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës, gjatë dy muajve të parë të vitit, kanë mbledhur rreth 187 milionë euro për buxhetin e Kosovës.

Kjo shifër është dukshëm më shumë se planet e parapara, çka jep shpresë se nuk do të ketë asnjë problem për sigurimin e pagave të rritura.

Janë mbi 100 milionë euro, të cilat duhen për pagat e rritura për arsimtarët, policinë, shëndetësinë dhe pjesë të tjera të administratës civile.

Sipas statistikave, të dy institucionet, Doganat dhe Administrata Tatimore, këto para i kanë arkëtuar deri më datën 10 mars.

“Në dy muajt e parë të vitit 2011, deri më 28 shkurt, dogana ka arkëtuar të hyra në lartësinë e 92.8 milionë eurosh dhe kjo në krahasim me vitin e kaluar paraqet një rritje prej 22.8 milionë eurosh apo 31.2 për qind. Kurse caku i doganës për dy muajt e parë, sipas planifikimeve të buxhetit, ishte 87.1 milion. Pra, edhe kundrejt cakut për vitin 2011, ne i kemi kaluar parashikimet për afro 6 milionë euro apo e shprehur në përqindje, 6.6 për qind”, tha për portalin Qendra.info, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.

Efikasitet në mbledhjen e tatimeve ka pasur edhe Administrata Tatimore e Kosovës, e cila ka arkëtuar për buxhetin e Kosovës 48 milionë euro apo diku mbi 20 për qind më shumë se periudha paraprake e një viti më parë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›