E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsultime për ndihmën e paraanëtarësimit të BE së

Nga Express më 16 mars 2011 në ora 13:03

Koordinatori Kombëtar i IPA-s, Edon Cana, u ka dërguar ftesa të gjitha institucioneve relevante të Republikës së Kosovës dhe organizatave joqeveritare për kontribut në konsultimet për të ardhmen e ndihmës së paraanëtarësimit të Bashkimit Europian pas vitit 2013. Instrumenti për Ndihmën e paraanëtarësimit (Instrument for Pre Accession Assistance IPA) i Bashkimit Europian parashihet të përfundojë në vitin 2013.

Si rrjedhim, Komisioni Europian ka nisur konsultimet gjithëpërfshirëse rreth së ardhmes së ndihmës së paraanëtarësimit pas vitit 2013. Qëllimi i këtij konsultimi është të mblidhen të dhëna për të kuptuar më mirë prioritetet për ndihmë financiare dhe të dëshmohet vlera e përfituar e ndihmës së paraanëtarësimit, sikurse dhe të hulumtohet se si mund të përmirësohet ndihma e para anëtarësimit në kornizën e ardhshme financiare. Konsultimi do të jetë i hapur për të gjithë aktorët relevantë të involvuar në përgatitjen dhe në implementimin e ndihmës së para anëtarësimit, posaçërisht të atyre nga shtetet anëtare të BE së, nga vendet përfituese të IPA-s, institucionet partnere financiare, donatorët tjerë bilateral dhe organizatat e shoqërisë civile. Për këtë qëllim, Komisioni Europian ka vënë online një pyetësor në linkun http://ghkint.com/enlargement, i cili do të jetë në dispozicion deri më 31 mars 2011.

Në këtë link gjenden edhe shpjegimet tjera shtesë sa i përket plotësimit të këtij pyetësori. Rezultatet e këtij pyetësori do të shfrytëzohen në hartimin e një evaluimi të ndihmës së para anëtarësimit pas vitit 2013 dhe do të shfytëzohen gjatë diskutimeve që do të organizohen në mes të Komisionit Europian dhe akterëve relevantë.

Ndihma financiare e BE së për Kosovën është e një rëndësie të madhe për Kosovën dhe do të shërbejë edhe në të ardhmen për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit europian. Për këtë arsye, Ministria e Integrimit Europian, si institucion që koordinon procesin e integrimit europian sikurse dhe programet e ndihmës financiare të BE së, fton të gjithë individët të cilët punojnë në institucionet e administratës publike dhe në organizatat e shoqërisë civile të përfshira në ndihmën financiare të IPA-s që të japin kontributin e tyre duke u përgjigjur në këtë pyetësor.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›