Asgjë për bllokadën
Takimi i parë i CEFTA’s në Bruksel, nën kryesimin e Kosovës, ka kaluar pa asnjë diskutim për bllokadën që po iu bëhet prodhimeve kosovare nga dy shtetet anëtare të kësaj marrëveshjeje.
Në takimin e parë të CEFTA’s nën kryesimin e Kosovës, nuk është diskutuar fare për problemet e eksportit të prodhimeve kosovare që bëhen nga disa shtete anëtare të kësaj marrëveshjeje.
Përfaqësuesi i Kosovës, Flamur Keqa, i cili ka kryesuar takimin, ka thënë se nuk ka mundur të dalë jashtë agjendës së paraparë. Takimi është kryesuar nga Keqa, si përfaqësues i Kosovës, por ai nuk ka arritur të hapë temën e shumëpërfolur në Kosovë, të bllokimit të mallrave kosovare me vulat e Doganave të Kosovës. Ai pranon se nuk është diskutuar fare për këtë çështje.
“Natyra e këtij takimi ka qenë e tillë që të raportohet para donatorëve, ndërkaq sa u përket problemeve dhe bllokadës që i bëhet Kosovës nga ana e Serbisë, ne në kontinuitet i kemi diskutuar në takimet e mëhershme”, tha ai, për radion Blue Sky. Takimi i Komitetit Drejtues të CEFTA-s në Bruksel është mbajtur ashtu si është paralajmëruar, pa simbole e pa emërtime dhe me prezencë të shkurtë të UNMIK-ut. Keqa tregon se prezenca e tyre ka qenë vetëm gjysmë minute dhe në takim asnjë nga shtetet nuk kanë pasur ndonjë emërtim para vetes.” Vetëm përfaqësuesit nga Kosova i është paraqitur emërtimi në tavolinë si kryesues”, tregoi Keqa.
Në lidhje me opinionet dhe kërkesat për tërheqjen e Kosovës nga kjo marrëveshje, për shkak të këtyre problemeve dhe mospërfitimeve, Keqa thotë se nuk do të ishte veprim i mençur.
“Tërheqja nga kjo marrëveshje mendoj se do ta dëmtonte më tepër Kosovën. Sepse vetë kjo marrëveshje në një formë është test për integrimin në BE. Është njëlloj parakushti që nëpërmjet krijimit të një zone të lirë rajonale sa i përket tregtisë dhe ekonomisë, të fitohet e drejta për të qenë pjesë e BE-së”, ka thënë ai. Keqa njoftoi se kah fundi i prillit, fillojnë një varg takimesh të tjera të CEFTA-s, ku pritet të diskutohen edhe problemet e pranimit të vulave të Kosovës.
Presidencën e Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore, Kosova e ka marrë nga janari i këtij viti, ndërsa takimi i 11 marsit ishte aktiviteti i parë në kuadër të kësaj presidence. Çështja e marrëveshjes së CEFTA-s është diskutuar edhe në Bruksel, ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, në kuadër të dialogut që e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.