I arrestuar edhe komandanti rajonal i policisë në Prizren

(E plotësuar) Komandanti i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, është në mesin e të arrestuarve sot nga EULEX-i, si të dyshuar për krime lufte, kanë bërë të ditur për Express, burime të mirinformuara.
Të arrestuar të tjerë, sipas këtyre burimeve, janë edhe Refki Mazreku, i njohur me nofkën Van Dami; Naser Krasniqi, Behlul Limaj, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala, Besim Shurdhaj dhe Osman Hoxha.
EULEX arreston disa të dyshuar për krime lufte
Policia ekzekutive e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, gjatë ditës së sotme, ka bërë disa arrestime, në ndërlidhje me akuzat për krime lufte.
Ky mision nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se arrestimet janë kryer me urdhër të gjykatësit të EULEX-it të procedurës paraprake nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës.
Hetimet ndërkaq, janë duke u zhvilluar nën mbikëqyrjen e një prokurori të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
EULEX-i nuk jep detaje për numrin e të arrestuarve, as prej nga janë ata.
Ndërkohë agjencia Kosovapress shkruan se urdhër-arresti është lëshuar për 11 ushtarë të brigadës 121 - "Kumanova", të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa thuhet se janë arrestuar katër prej tyre.