E Diel, 1 Nëntor 2026

19% e popullsisë nuk furnizohen fare me ujë të pijshëm

 Sipas OBSH-së, 88% e sëmundjeve të diarresë shkaktohen nga konsumimi i këtij lloj uji. Gjithmonë uji ka qenë faktor vendimtar në zhvendosjen e popullsive nga një vend në një tjetër, sepse ai është kushti themelor për një jetë të sigurt e të shëndetshme.

Nga ky këndvështrim, Shqipëria mund të quhet një vend i bekuar. Për sasinë e burimeve që gëzojnë, qytetarët e Shqipërisë duhet të ishin të fundit që t’i mbanin sytë nga ora e të kontrollonin çezmën nëse kanë apo jo ujë. E megjithatë, ende një pjese të mirë të popullatës nuk i ofrohet shërbimi i ujit, ndërkohë që edhe më  fatlumët janë subjekt i ardhjes së ujit sipas orareve të caktuara.

Aktualisht, sektori i ujësjellës-kanalizimeve e realizon funksionin e tij nga ndërveprimi i Entit Rregullator të Ujësjellës Kanalizimeve (ERRU), Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit (MPPTT), Njësive përkatëse të Qeverisjes Vendore dhe shoqërive që realizojnë shërbimin e furnizimit me ujë dhe largimin e ujërave të ndotur. Deri në vitin 2010, në këtë sektor operonin 56 kompani, nga të cilat 43 janë të licencuara, 5 iu kishte mbaruar afati i licencimit dhe 8 nuk kishin aplikuar asnjëherë për licencim, edhe pse ky përbën detyrim ligjor.

Situata e furnizimit me ujë të pijshëm

Pavarësisht burimeve të shumta, sipas të dhënave të vitit 2010-sipas Open Data- 19.7% e popullsisë totale që jeton në zonën e juridiksionit ku operojnë shoqëritë e monitoruara nga DPUK, nuk shërbehen nga sistemet e furnizimit me ujë të pijshëm. Pjesa më e madhe e tyre jeton në fshat (67%) ndërsa qyteti prezantohet me një sistem më të përmirësuar.

Nga popullsia totale që furnizohet me ujë, 78% e tyre jeton në qytet dhe vetëm 22% jetojnë në fshat. Nëse bëhet një krahasim në raportin furnizohet/nuk furnizohet me ujë për zonat rurale dhe urbane, do të vihej re se: 9.2% e popullsisë që jeton në zonat urbane dhe 43% e popullsisë që jeton në zonat rurale nuk furnizohet me ujë të pijshëm.

Pra, fshati vazhdon të jetë ende i diskriminuar, shumë larg plotësimit të kushteve për sigurimin e ujit, e akoma më larg ujit 24 orë. Duhet theksuar se studimet e rendisin lehtësimin e sigurimit të ujit si një ndër indikatorët më të rëndësishëm për të vlerësuar kushtet e jetesës në një vend dhe për të shpjeguar arsyet e lëvizjes së popullsisë nga zonat rurale drejt zonave urbane.

 Megjithatë, lidhur me pjesën e popullsisë që shfaqet pa shërbimin e ujit nuk duhet lënë pa përmendur fakti se ajo mund ta sigurojë ujin nëpërmjet puseve individuale (gjë që nuk e lehtëson jetesën e tyre) ose mund ta përdori ujin në mënyrë të paligjshme nga sistemet e ujësjellësit të shoqërive që e ofrojnë këtë shërbim, por duke qenë se nuk janë të deklaruar, firmat i klasifikojnë si popullsi e pa shërbyer.

Gjithsesi, një gjë është e sigurt, se plotësimi i objektivit që pas vitit 2015, 83% e zonave rurale të furnizohen me ujë, kur ende në vitin 2010, vetëm 43% e tyre e kanë këtë shërbim, do të jetë një sfidë shumë e madhe jo vetëm për qeverinë, por edhe për Buxhetin e Shtetit. /Start/

                                                                                             2012-08-04 09:40
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›