E Shtunë, 31 Tetor 2026

1924, Pakti i çuditshëm i Zogut me fanolistët e Shkodrës

Zogu, Mbreti i Shqiptarëve (6)

Vijon nga numri i kaluar

Më kujtohet se në atë kohë bashkëpunoja me Të si Drejtor i Zyrës së Shtypit, detyrë që e kishta pranuar duke i thënë: "Të merremi vesh, unë nuk marr urdhra prej askujt tjetër përveç Teje!"

Një kusht i tillë u pranua me një demonstrim të ngrohtë të një besimi miqësor. Kujtoj shumë mirë, si të kishte ndodhur dje, pa shikuar fare shënimet e mia, se Ministri më tha: "Ne duhet ta ngremë nga pluhuri Kombin, të krimbur nga skllavëria shekullore. Ti duhet të bashkëpunosh me mua për ta shporrur të kaluarën dhe për të krijuar për Shqipërinë një të ardhme."

Po u kthehem këtyre kujtimeve personale për shkak se dua të kujtoj se, kur, një ditë të bukur, një gazetkë province i lejoi vetes të turrej egërsisht ndaj personit të Kryeministrit, njëkohësisht eprori im i vetëm, me një seri frazash të një brutaliteti të neveritshëm - dhe nuk kishte asgjë për t'u habitur sepse artikulli ishte shkruar nga një ish-punëtor... i bërë gazetar prej "epokës" - Ai nuk donte të proçedonte me veprime gjyqësore. Më tha shumë herë: "Lëre atë punë! Nuk ia vlen! A mos kujton se do t'ua vë veshin sharjeve të një injoranti që s'është në vete!"

Por në fund ai u thye dhe unë mora një autorizim për të proçeduar gazetarin që u dënua... me një muaj burg, por që u lirua me kusht! Dhe gazetari mori pamjen 'sentimentale' të viktimës! Një ambjent i tillë ndikonte edhe sallat gjyqësore! Përdorej çdo mjet për të mundur kundërshtarin.

Eshtë i gjallë, frikshmërisht i dhimbshëm për të gjithë njerëzit e ndershëm, kujtimi i masakrës së ndodhur në Mamurras më 6 prill 1924, gati në mes të rrugës Tiranë Shkodër.

Disa krerë malësorë të Veriut kishin ardhur në Tiranë për të takuar Zogun e për ta uruar që i kishte shpëtuar rrezikut mbas atentatit. Ndërkaq, disa armiq të vendosur të Tij, vendosën t'i vrasin për t'i shkaktuar mërzití. Por për fat ndodhi që makina, e cila transportonte malësorët, të parakalohej nga një veturë tjetër në të cilën ndodheshin dy turistë amerikanë, dhe batareja e pushkëve e destinuar për malësorët, u derdh e vrau në fakt amerikanët.

U turpëruan edhe vetë kriminelët, që pasi e morën vesh çfarë kishin bërë, filluan të bërtistin: "Turp për ne! Kemi vrarë dy të huaj! Na e kanë bërë me tradhti!" (Këmbëngulnin se i kishin mashtruar për t'i bërë fajtorë e shkelës të traditave shekullore të mikpritjes së popullit shqiptar, për shkak se kishin vrarë dy miq të huaj!).

Por disa politikaxhinj të grumbulluar në Tiranë, krerë të Bashkimit të Shenjtë, - mbi këtë fatkeqësi edhe për emrin e mirë të shqiptarëve, më të dëmshme se 100 kryengritje, - u turrën si korba të uritur.

Gjykuesit më pak të ashpër e akuzonin qeverinë që ishte në fuqi si të paaftë dhe kjo e fundit qëndronte, sepse mbështetej në dorën e fortë të Zogut. Nga ana tjetër me një paturpësi në kufijtë e të pabesueshmes dhe të papërgjeshmërisë, përhapnin fjalë se në masakrën e turpshme ishte e përzier edhe vetë Qeveria. Pra, autoriteti i shtetit dhe dinjiteti kombëtar ishin sakrifikuar përfundimisht nga ambiciet e ulëta të politikaxhinjve që nuk kishin asnjë të drejtë fjale në fushëbetejën e politikës.

Do të shohim më poshtë se për çfarë zhvillimesh të tjera u përdor ky episod tragjik - që ishte përgatitur nga Komandanti i përgjithshëm i Xhandarmërisë, i cili, duke u bashkuar me politikën plebeje (të ulët), ishte hedhur kundër Zogut, ndërkaq ky i fundit, i frenuar nga njerëz shpirtdobët, nuk mundi të marrë masat e nevojshme kur duhej, por shumë kohë më vonë.

Ndërkaq po saktësojmë se 'crescit cundo', demagogjia kishte arritur në një pikë të tillë saqë thuhej se qeveritarët duheshin vrarë dhe nuk u duhej dhënë as e drejta të kundërshtonin. Dhe në fakt, ndodhi që disa Asamblistë (deputetë) duke u ikur disa rreziqeve imagjinarë, - sepse sidoqoftë nuk mundeshin t'i kapnin ministrat për veshi i t'i nxirrnin jashta zyrave, - u mblodhën në Vlorë dhe deklaruan se në Tiranë nuk ndiheshin të lirë, edhese Zogu, mbas atentatit, kishte dhënë dorëheqje si Kryeministër dhe kishte përdorur influencën e tij që të vinte në krye të Këshillit të Ministrave një personalitet i moderuar dhe i pranuar nga të gjithë.

Me një konceptim të çuditshëm të jetës dhe me një miopi politike të pabesueshme, i përmbaheshin mendimit që deputetët s'duhej t'i kapte ligji, edhe në rast se vepronin dhe bënin komplot kundër autoriteteve të ligjshme të shtetit. Dhe ja përse demagogët nuk ndiheshin të sigurt në Tiranë, ku, mbas qeverisë, vigjëlonte Zogu.

Por më në fund u arrit në një përfundim.

Xhandarmëria ishte infektuar; ushtarakë të mirë e të zotë ishin helmatisur dhe filluan të rebeloheshin ndaj oficerëve që ishin nga ana e rregullit. Ndodhi që një kapiten i këmbësorisë të braktisej nga të gjithë ushtarët dhe të bashkoheshin me rebelët!...

E pra, e donin shumë komandantin e tyre!

Po përkthej fjalë për fjalë shënimet e mia që kam mbajtur në ditar në lidhje me rebelimin e 1924-ës.

"E shtunë, 17 maj 1924:

"Lajme të zymta!"

"Komandanti i garnizonit të Shkodrës ka refuzuar të dorëzojë komandën e trupave në duart e zyrtarëve të dërguar nga qeveria për ta zëvendësuar. Atëherë qeveria urdhëron thirrjen e të tre grupeve të rezervistëve, për t'i dërguar në Shkodër."

"Regjenti më thotë si në mirëbesim se, po nuk u arrit gjë, qeveria duhet të bëjë dorëheqje."

"E diel, 18 maj:

"Ne deputetët e Durrësit e të Dibrës kemi bërë një mbledhje në shtëpinë e Zogut. Ishim 18 vetë. Kemi vendosur të dërgojmë në Shkodër dy prej nesh, të cilës, në emër të asamblistëve, t'i bëhet thirrje për të vendosur rendin dhe paqen."

"Ka rrezik të plasë luftë civile!"

"Pasi dolën kolegët, qëndroj pak me Zogun, i cili më thotë: "ti mos thuaj gjë, por ne kemi humbur tashmë. Ata janë të fuqishëm, shumë të organizuar e mjaft të vendosur!".

"Vinte në fakt së tepërmi era barut!"

"Duke u rikthyer në shtëpi, gjej të vendosur para saj në një pozicion rojeje, një njeri të Zogut, i cili e kishte dërguar që të më ruante. Ngela mjaft i prekur nga ky gjest miqësie"."

Le të kalojmë shpejt disa faqe.

"E diel 1 qershor:

"Lidhjet telefonike e telegrafike me Shkodrën janë prerë".

"Kapiteni i xhandarmërisë, Ferid Frashëri, është vrarë në Shkodër, në Prefekturë, nga pushka e një rebeli".

"Prefektura u dorëzohet revolucionarëve"."

"E enjte, 5 qershor:

"Shumë autoritete, deputetë e të shquar, ia mbathin pa zhurmë".

"Zogu shkulet së qeshuri nga frika e atyre që ia mbathin. Eshtë i vetmi moment ndryshimi nga gjendja e përgjithshme në këto ditë...".

"I ofron... një shishe konjak dhe i thotë: -"Lerini gotat o...; por pijeni direkt nga shishja tani"!"

"E enjte 8 qershor:

"Luftime në Lezhë ndërmjet forcave qeveritare dhe trupave vullnetare të rebelëve".

"Kryeministri aktual dhe ministra të tjerë dhe autoritete, strehohen në Itali"."

"E hënë 9 qershor:

"Tirana ngelet pa qeveri, por asnjë nuk lëviz, sepse dihet që këtu është Zogu që kujdeset për të gjitha".

"Dhe në fakt ai dërgon zyrtarisht në Lezhën e braktisur nga tanët, një ushtarak, i cili fton rebelët që të hyjnë në Tiranë vetëm nën këto kushte:

1-Qyteti duhet të pushtohet vetëm nga trupat e rregullta me uniformë.

2-Të respektojnë paprekshmërinë e zyrtarëve dhe funksionarëve e të të gjithë atyre që i kanë shërbyer qeverisë.

Dhe shton: Do t'ua çoni këto kushtet e mia dhe do do t'u thoni se nuk po iki, sepse kam humbur, por sepse nuk dua që të derdhet gjak shqiptari. Do t'u thoni se po nuk respektuan këto kushte dhe po pati çrregullime, në kthimin tim të afërt në Tiranë, do t'i pushkatoj krerët e rebelimit".

"Zyrtari është ngurrues dhe nuk u beson veshëve".

"Ka shumë mundësi që mendon se është një veprim krejtësisht i pamenduar"."

"E martë 10 qershor

"Në orët e para të këtij mëngjesi Zogu është nisur vullnetarisht për në mërgim."

"Ai niset me një grusht njerëzish të besueshëm nga kryeqyteti në drejtim të lindjes, ndërsa nga veriu parparojnë pararojat ushtarake të trupave të Shkodrës".

"Bie sipari i aktit të fundit të tragjedisë që duhet t'i bëhet mësim një populli që të ruhet nga çrregullimi, nga rebelimi, nga demagogjia"!"

VIII.

Zogu në mërgim

Ne që s'mundëm ta ndjekim Zogun, u gjendëm nga ana e "partisë së keqe". Prej nesh, brutalitetit të plebaljes (turmës) së stërfryrë prej demagogjisë, i shpëtoi vetëm ai që nuk kishte ndonjë hesap të vjetër pa larë dhe që pati kujdesin të zhdukej nga qarkullimi.

Një kronikë e imtësishme nuk është e mundshme, por as e dobishme të bëhet. Por duhet të thuhet njëherë e mirë që dhuna e ushtruar kundër disa shokëve tanë, tregonte se shpërthimi i urrejtjes ishte si konsekuencë e një pune të thellë bindëse; - nga disa e kryer pa asnjë ndenjë atdhetare o njerëzore, nga disa të tjerë, e kryer në mënyrë të pandërgjegjshme.

Mbasi u largua Zogu, armiqtë e tij menduan që do të ishte e nevojshme ta zhduknin për gjithmonë, ta bënin të urrejtshëm për popullin, në mënyrë që të krijonin një barrierë të pakalueshme në rast se ai do të kthehej, sidomos nëse nuk do të arrihej vrasja e tij me anë të agjentëve të Bashkimit të Shenjtë.

Rihap edhe njëherë ditarin tim dhe kopjoj edhe disa shënime:

"13 qershor 1924:

"Futen vrullshëm në Tiranë disa 'heronj' nga anë të ndryshme të vendit. Ndonjë zog gomari shkon e zapton shtëpinë e Zogut, sikur ajo të ishte pronë e shtetit, ose sikur të ishte 'res nullius' (mall pas zot)."

"Mbas disa konsultimesh djallëzore, sulmohet me kujdes kasaforta, sepse ekzistonte frika që aty mund të kishte ndonjë bombë me ndezje mekanike. Dhe në kasafortë, mbas shumë rrahjesh të forta zemre, nuk gjendet gjë!... Çfarë zhgënjimi"!"

"15 qershor:

"Dje u mbajt një kuvend i "madh". Sot po ashtu."

"Tradhëtorët janë urryer gjithmonë e jetë. Natyrisht në filipike (fjalime) të tilla, aspak serioze, hidhen shigjetat më të mprehta e më... vdekësore kundër Zogut".

"Po në kampin e Agramantit (personazh letrar në Orlandin e tërbuar - shën.i përkth. N.K.) shpërthejnë mosmarrëveshjet, sepse nuk është e lehtë të biesh dakord për të ndarë kolltuqet!"

"Po kur do të ketë qetësi, punë e bukë ky popull"?"

"16 qershor:

Heronjtë e Bashkimit të Shenjtë, të armatosur me pushkë e thikë në dorë, rendnin nëpër qytete, duke agresuar (sulmuar), keqtrajtuar e poshtëruar miqtë e shokët tanë. Por jo gjithmonë kungulli të ecën sipër ujit. Dhe në fakt "heronjve", të grumbulluar në Shkodër për të dhënë prova trimërie - duke agresuar, rrahur e poshtëruar pasuesit e Zogut - u bëhet me dije që do t'u përgjigjen ashpër gjesteve të tilla prej burracakësh."

"Ai që bën këtë kundërshtim të fuqishëm është një patriot autentik, i mashtruar fatkeqësissht edhe ai, nga demagogët. Ai është arqipeshkvi i Shkodrës, imzot Mjeda"."

"Lajmi i fundit i pabesueshëm: Qeveria e re që përfaqëson popullin etj., etj., shpall me bujë në të katër anët se ka prova të pakundërshtueshme që Zogu është shtyrësi - as më pak e as më shumë - i vrasjes së dy amerikanëve të gjorë në vrarë në Mamurras! Dhe kësaj shpifjeje që nuk di se si ta përcaktoj më shumë, si idiote, apo si mizore, ia vënë veshin (me kënaqësi) edhe njerëz që deri dje i kam konsideruar inteligjentë. E tillë dhe kaq e madhe është egërsia e kësaj propagande kriminale, në të cilën bien viktimë dhe të poshtëruar edhe personalitete të njohura si njerëz pa parti!"

"Një gazetë e huaj publikon kundër Zogut një reportazh të helmatisur nga Tirana, me pseudonimin Milo Shini. Protestoj pranë Redaksisë, por më kot. Eshtë e qartë se rrënjët e së keqes janë përhapur shumë."

19 qershor:

"Zogu do të dënohet në mungesë për vrasjen e dy turistëve amerikanë dhe natyrisht do të... dënohet sëbashku me mjaft ish ministra e funksionarë të lartë, nën akuzën e provokimit të vëllavrasjes."

"As më shumë as më pak".

"Vjen e më bën një vizitë një prej kundërshtarëve më të moderuar, njeri thellësisht i ndershëm, por i padjallëzuar e kokëngjeshur, Deputeti X., që e kam mik personal e që çmoj sinqerisht në sy të të cilit shprehem për "fatkeqësinë e shkaktuar prej faqezinjve e aventurierëve", i cili më kërkon që të bashkëpunojmë. Kërkon të më bëjë një propozim le të themi kështu... përkëdhelës (është shprehja e tij). Natyrisht ai ka bindjen se po i bën një shërbim Atdheut dhe nga ana tjetër edhe mua, duke më shkëputur nga Zogu.

I përgjigjem:

"Mund të shkëputem nga partia e Zogut, nëse ai do të ishte në pushtet dhe të kishim mosmarrëveshje të rëndësishme principiale; por Zogu, të paktën në aparencë, sot është një i mundur, e për më tepër nuk kuptoj se si mund të kem mosmarrëveshje me Të. Unë jam lidhur me mish e me shpirt me Kombin tim dhe jo me njerëz të veçantë: tregoni me fakte se jeni më të mirë se Zogu, dhe se ne ndjekësit e tij, e pastaj të diskutojmë mbi propozimet tuaja. Vetë Zogu që mbi të gjitha është një ushtar i atdheut, nuk do t'ju pengojë por do t'ju mbështesë në veprën tuaj"."

Deri tani nuk kam fshehur gjë dhe nuk kam pasur asnjë fije mëshire për të fshehur gjë, pasi është bindja ime e thellë dhe e palëkundshme që historia ka të drejta të shenjta dhe të padhunueshme, të ndershmit duhen respektuar e mbrojtur; dhe nëse deri tani kam thënë gjëra të hidhura, tashmë ka ardhur momenti të pohoj se ne, ndjekësit e Zogut, nuk lëvizim as një gisht, as në favor, as kundër rendit të ri gjërave. Dua të them që megjithëse i dënonim aktet e një sjelljeje kriminale, megjithëse i mallkonim inskenimet shpifarake të bëra nga një grup të papërgjegjshmish, nën emrin e një pseudo-Drejtësie kombëtare, e megjithëse ndiheshim të turpëruar si shqiptarë për shkak se në Atdheun tonë po i mësohej popullit që t'i trajtonte ministrat, prefektët dhe zyrtarët si shërbyes të pabesë të zënë me dorë në thes - të gjithë mbajtëm një neutralitet prej patriotësh e zotërinjsh. Dhe një sjellje e tillë pritshmërie u mbajt jo vetëm prej nesh që i dinim gjërat e ishim të ndërgjegjshëm për tragjedinë kombëtare dhe kishim frikë se mund të bëhej edhe një katastrofë e pariparueshme, por edhe populli i thjeshtë që mbante anën tonë u soll njëlloj si ne.

Me këtë rast po dua të kujtoj se edhe në punëtorët më të thjeshtë, dhe në fshatarët e varfër, në të cilët nuk kish zënë vend propaganda shkatërruese e "liberatorëve", - ekzistonte një preokupim i madh e i sinqertë për të ardhmen, sepse buonsensi i lindur i popullit, i cili ka imunitet ndaj helmeve demagogjikë, filloi ta nuhaste rrezikun e madh të zhvillimeve të atyre ditëve dhe filloi të ngrejë kokë brerja e ndërgjegjes.

Mund të jetë kuptimplote të kujtojmë se disa keqbërës që gjenden gjithmonë e në çdo vend - kishte prej tyre edhe ndërmjet nesh - mprehën kthetrat dhe kalitën armët. Më bënë të njohur se disa delinkuentë kishin vjedhur votat që i ashtuquajturi Bashkim i Shenjtë të fitonte. Atyre u dukej se duhej ta braktisnin tashmë... "papunësinë" që ua kishte imponuar qeveria dhe metodat e Zogut.

Ndërkaq ky i fundit kishte arritur në Beograd dhe atje kishte krijuar një shtab për rikthimin, në të cilin nuk bëhej plan kundër shtetit, përveçse në kuptimin që duhej të përgatiteshin për t'i ardhur në ndihmë atdheut, kur vendi të fillonte të tregonte se ishte lodhur nga heronjtë e Bashkimit të Shenjtë e se donte t'i hiqte qafe.

Shembulli i parë erdhi nga Himara krenare, ku - jo në emër të ndonjë ideologjie por prej barkut bosh - populli një ditë kërkoi bukë, dhe përgjigjja i erdhi me plumb. Dhe ngjau diçka e hatashme, e panjohur në historinë e traditat shqiptare: forcat e armatosura të qeverisë, që ishin në dorë të Bashkimit të Shenjtë, u detyruan të drejtojnë pushkët e të qëllojnë kundër grave të shkreta!

Dhe jo vetëm kaq!

Në Tiranë vijnë përfaqësuesit e Sovjetëve - të panjohur e të keqnjohur si dhe zyrtarë - që është e arsyeshme të themi se donin të verifikonin rezultatin e aktivitetit të dorës së zgjatur që kishte vënë në lëvizje radhët e kriminelëve të armatosur dhe të të mashtruarve. Kështu po shkohej me hapa të mëdhenj drejt shkatërrimit të pjesës më të mirë të pasurisë kombëtare që kishte mbijetuar nga sundimi i gjatë dhe i tmerrshëm i pushtuesve: donin ta shkëpusnin popullin tonë nga traditat e mrekullueshme të besës, të shtëpisë, të familjes, të disiplinës qytetare dhe të bujarisë që kanë qenë e janë krenaria jonë.

Por Zogu rrinte gati për gjithçka.

Nëse nga njëra anë duhej të ruhej nga pritat e pabesa të vrasësve, që me një plumb revolveri ose me një bombë, do të kishin dëshiruar të ndalonin historinë e rilindjes së një populli, nga ana tjetër duhej të përpiqej - dhe ky ishte një okupim bezdisës i përditshëm - të rregullonte sa më shpejt një gjendje të gjërave, jo vetëm shqetësuese për atë vetë, por edhe e tillë që të bënte të qarta dyshimet e disa zhvillimeve mjaft të rrezikshme, sepse minonin jetën e kombit dhe mund të ishin objekt për një çështje të përmasave ndërkombëtare kundër lirisë e pavarësisë së Shqipërisë.

Qeveria ilegale në Tiranë ishte e ndërgjegjshme për gjithçka. Duhet t'ia njohim meritën se kishte një shërbim informativ optimal, nga i cili nuk mund të marrë lëvdata, përkundrazi, duke e parë këtë gjë në lidhje me raportet e mira që kishin me Sovjetikët. Por ajo ishte e destinuar të rrëzohej.

Kishte premtuar shumë dhe i kishte zhgënjyer shumë njerëzit e ekzaltuar me premtime të habitshme. Kishte krijuar bindjen se, me zhdukjen e partisë së Zogut, Shqipëria do të kishte pasur një "Qeveri të zonjën" të aftë për ta transformuar vendin menjëherë, kështuqë përkundrazi kishte krijuar në pak kohë një gjendje shpirërore të një zhgënjimi të thellë.

Kur filluan të vinin lajmet e para të përgatitjeve të Zogut, publiku i shëndoshë, ai i pamashtruar ose dhe i mashtruar, filloi të marrë frymë, duke mos i përfillur shumë ngrefosjet e Bashkimit të Shenjtë, që kërcënonte me zë të lartë se do të çonte në kufi e në kryeqytet rininë shqiptare.

Vijon në numrin e ardhshëm

Përktheu: Neritan Kolgjini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›