Berisha: “Vdekja e Trebickës ishte aksident, opozita tu bjerë borive sa të dojë”
“Prej tre ditësh në një stuhi të pashembullt akuzash, opozita ka shfrytëzuar një ngjarje tragjike siç ishte vdekja e Trebickës, për të ndërmarrë sulmet më të pabaza. Duhet të theksoj se t’i përmbahesh motos rroftë vdekja dhe poshtë qeveria është një barbari morale. E kuptoj dhe e mirëkuptoj, qëndrimin dhe interesin maksimal të opozitës. Më është dukur një ngutje e paramenduar. Në lidhje me Kosta Trebickën duhet të theksoj dy apo tre gjëra. Në dijeninë time ai ka dhënë kontribut real në zbardhjen e një afere. Unë personalisht e kam vlerësuar, kam marrë parasysh denoncimin e tij, megjithëse nuk e kisha takuar asnjëherë. Por atë problem që shtronte, unë mora menjëherë masat. Ajo që thoshte ai ishte një e vërtetë e padiskutueshme, dhe më bëri mua që të marr masat përkatëse”, u shpreh Berisha.
Takimi
Nga ana tjetër vetë kryeministri ka pranuar që Trebicka ka marrë kontakte me djalin e tij, por sipas tij ky ka qenë një bashkëbisedim sqarues. Kryeministri u shpreh se në rast se Trebicka do të kërkonte mbrojtje, atëherë kjo do i ishte dhënë nga shteti.
“Së dyti rastisi që në një telefonatë, një interlokutor kishte deklaruar se është kryeministri dhe djali i kryeministrit. Pasi u takua me djalin tim, u sqaruan dhe rrethanat. Ai nuk pranoi të thoshte atë që donit ju, pranoi të thoshte bindjen e tij”, tha Berisha.
Aksident
Kryeministri u shpreh se deri më tani, nga ekspertizat ka rezultuar se është një aksident, por gjithsesi pritet ekspertiza ligjore deri në fund. “Ekspertiza ligjore doni apo s’doni thotë politraumë nga ato që shkaktohen nga aksidenti, natyrisht po bëhen dhe analizat kimike. E drejta juaj është të kërkoni hetim, dhe hetim ndërkombëtar, por të akuzoni tre orë pas aksidentit, kjo është të përdorësh vdekjen për të bërë shantazh. Mundësisht keni durim dhe prisni ekspertizën se është një detyrim. Kryetari juaj dridhej dhe përdridhej para mediave ndërkohë që bashkëshortja dhe familjarët nuk kishin identifikuar kufomën. Ju nuk ju shërbejnë këto qëndrime, pa për mua bjerini borive sa të doni”, u shpreh Berisha.