E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kujtim të Nush Radovanit

Nush Radovani, i cili veç pak ditë ma parë u nda nga kjo jetë e përkohshme tokësore, asht ndër ata njerëz që lejnë gjurmë të jashtëzakonshme në jetën e të tjerëve. Prandaj për një njeri si ai, që vazhdon me jetue në jetën e të tjerëve, e kemi të vështirë që ta besojmë se nuk ndodhet ma mes nesh… Personalisht kam pasë fatin e madh, fatin ma të madh të jetës time, që ta kem njohur nga afër, vite e vite ma parë, si profesor, dhe ma vonë si mik të afërm…

Asht ndër fisnikët e rrallë të racës shqiptare, ndër ata fisnikë që i kanë dhanë kuptimin e vetëm Shqipnisë…

Dhe me vdekjen e Profesor Nushit, të mikut të tij, Padër Zef Pllumit, të Xhenar Topallit, të Ruzhdi Çobës, të Gjon Shllakut, zhduket një brez fisnikësh dhe mbyllet një epokë fisnike që e kam të vështirë me besue se ka m’u përsëritë…

Të gjithë e kanë njohë me emnin Profesor Nushi. Jo vetëm studentët e tij, por edhe 80 vjeçar-ët, edhe ata që nuk dinin shkrim e këndim. Ngase të gjithë e njihnin se ai qe një intelekt i madh, një dijetar i jashtëzakonshëm, një enciklopedi e gjallë lëvizëse, një kërkues i përjetshëm…

Dhe të mos harrojmë se ai qe një enciklopedi e gjallë në një kohë kur injoranca lavdërohej si virtyti më i madh dhe më fitimprurës, ishte i ditun kur padituria shpërblehej, ishte kërkues i pandalun në një shoqni të përgjumun. Emnat e njerëzve të mëdhenj të kësaj bote i kam ndi për herë të parë nga Profesor Nushi: Sokratin, Platonin, Niçen, Shopenhaurin, Shën Augustinin. Dija njerëzore tek ai ishte një sfidë ndaj injorancës. Dhe nuk kishte gja që urrente ma shumë se injoranca. Dhe kolimllëkun e injorancës. Shpesh na thoshte në klasë tercetin e Dantes, se kur injoranca bashkohet me pushtetin, nuk i mbetet shpëtim njerëzimit. Me një guxim të jashtëzakonshëm, na thoshte, ne, 14-15 vjeçarëve, se si duhet të dallojmë atë injorantin me kostum dhe kollare nga ai fshatari, i cili, vërtetë nuk din shkrim dhe këndim, jo për fajin e vet, e që ka instiktin e shënoshtë të njeriut të mençun, që ka mburojën e kulturës së paraardhësve të vet, të cilës i beson dhe që ka mendjen e shënoshë e të paprishun nga edukimi gjysmak. Dhe injoranca me kostum dhe me kollare asokohe – dhe besoj se edhe ksaj kohe - identifikohej me pushtetin, me arrogancën e saj dhe me kryetrashësinë e saj…

Na thoshte me hidhërim, me atë mënyrën e veçantë që mban veç vulën karekterstike të Profesor Nushit, se Shqipnia ka vetëm një dallim të vogël nga vendet e qytetërueme: “Në botë, na thoshte, kalon një i mençum dhe njerëzit i shkojnë mrapa me ndie se çka thotë; shkon rrugës një i marrë, dhe njerëzit e shohin me keqardhje dhe thonë - I shkreti çka e ka gjetë! Asht i marrë! Ndërsa te ne: Kalon një i marrë rrugës dhe tanë i shkojnë mrapa me ndie se çka thotë. Kalon një i mençun dhe tanë i shmangen sikur t’i kishte ra kolera, duke thanë - I shkreti ky çka e ka gjetë! Asht i mençun!”

Më kujtohet se si në Lezhë – ku ishin mbledhë dhe disa nga karakteret ma të çuditshëm- ishte një plak i mbrrolun dhe i bamë një grusht nga pleqnia. Të gjithë e njihnin me emnin Avokati. Tue kenë i pambrojtun, qe ba gazi i qytetit. Vetëm Profesor Nushi revoltohej dhe i delte zot…

Ma vonë, shumë e shumë vite ma vonë, kam marrë vesh se kush kishte kenë ky plak me të cilin tallej qyteti, e të cilit veç Profesor Nushi i delte zot: avokati, të cilit teneqexhinjtë i hedhshin minj poshtë derës e që të diplomuemit e Tiranës e tallnin, kishte qenë Benedikt Bilishti, përfaqësuesi i parë i Shqipnisë në Lidhjen e Kombeve të Bashkueme, dhe mik i ngushtë i Fan Nolit dhe i Faik Konicës…

Disa vite më vonë kam parë të botuar një libër për Historinë e Diplomacisë shqiptare në periudhën 1920-1930 të njërit nga njerëzit që mbahen si tepër të rëndësishëm në Shqipëri, gjysëm filozof, gjysëm sociolog, pak historian e pak profesor, i cili pat botuar librin e shkruar nga po ky avokat veçse nën emrin e vet, madje pa ia përmendur kund emrin autorit të vërtetë…

Në atë mënyrën e vet të prehtë, me një prehtësi sokratiane, na thoshte shpesh se ne shqiptarët, jemi si ai udhëtari që ec me dy strajca në krahë: njënën, atë të madhen, që ja thyen shpinën, e mban mbas kurrizit. Tjetrën, trastën e vogël, që nuk ka peshë, e mban përpara vetes. Te strajca e madhe, që nuk e sheh, ka vu hallet e veta. Te strajca e vogël, që nuk ka kurrfarë peshe, ka hallet e botës. Tanë ditën merret me strajcën e vogël - me hallet e botës – ndërsa me atë që ja thyen kurrizin, me hallet e veta, që nuk i sheh, nuk ka se si të merret, sepse kujton, ngase nuk i sheh, se nuk i takojnë atij.

Për herë të fundit Profesor Nushin e kam takue në vitin 1990. Kishte ardhë me dy miq të vetë, me Ruzhdi Çobën, dhe me një mikun e vet prift. Më tha se prifti quhet Zef Pllumi. Shumë vite ma vonë, tue lexue kujtimet e Padër Zefit, kam ndesh emnin e Profesor Nushit. Nuk e kisha ditë se kishin kenë bashkë në kënetat e Maliqit. Padër Zefi flet me adhurim për Nush Radovanin e ri, për dijen dhe papërkulshmërinë e karakterit të tij.

Me një dinjitet të jashtëzakonshëm, Pr. Nushi kurrë nuk fliste se çfarë kishte hekë gjatë jetës. Vuejtjet e jetës për të ishin tepër të vogla që të mund t’ia thyenin besimin se e keqja asht veç një moment i përkohshëm në historinë e njerëzve. Me gjithçka që bante dhe me gjithçka që thoshte, te Profesor Nush Radovani dalloje se dija, intelekti, ishin përpjekja për të kapërcye përtej asaj çka asht materiale dhe përtej asaj çka asht e dukshme, dhe e përkohshme. E gjithë jeta e Profesor Nushit duket se ka kenë një përpjekje kambëngulëse dhe e vazhdueshme, deri në momentet ma të fundit të jetës së vet, për të arritë të padukshmen, spiritualen dhe sublimen, ku fshehet zanafilla dhe arsyeja e mrame e gjithçkaje.

Po të parafrazojmë John Donn-in, me vdekjen e njerëzve si Nush Radovani, Shkodra, dhe në një kuptim ma të gjanë, Shqipnia, zvogëlohen. Por qiella e amëshueme, ku prehet shpirti i tij, sigurisht do ndjehet ma i madh prej njerëzve si ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›