Koincidencat e hetimit të Trebickës
Pikëpyetjet e shumta mbi vdekjen e të ndjerit Kosta Trebicka janë shtuar së tepërmi dhe nga qëndrimi i hutuar i policisë dhe organeve të hetimit. Rrëmuja e informacioneve të para, versionet e ndryshme për mënyrën si ishte vrarë, ngatërresat e paqëllimshme për mënyrën se si kishte vdekur, e bënë lëmsh opinionin publik.
Kështu ngatërresa nisi me TV Klan. Korrespondentja e kishte marrë vesh ngjarjen qysh në orën 13.00, dhe ka shkuar në vendngjarje duke arritur të kthehet sërish në studio. Lajmi është transmetuar me 15.30. Ajo tha se policia ishte njoftuar dhe po shkonte ne vendngjarje. Por një drejtues policie, Tonin Voci tha se njoftimi është marrë me 13.47 minuta, pra pasi është transmetuar në TV Klan. Ky mish-mash informativ dhe mosrakordim mes një TV afër qeverisë dhe vetë qeverisë na nxiti të pyesim se si ndodhi kjo.
Flamuri, miku i rubrikës sonë, ka gjithmonë një shpjegim origjinal.
Sipas tij, shkak u bë se ngjarjen e morën në dorë të gjithë drejtuesit nga Tropoja. Kështu, sipas Flamurit, gabimi i parë ishte shkuarja në vendngjarje e Drejtorit të Krimeve të Hapura A.K. nga Tropoja. Sipas Flamurit, po vajti ai në vendngjarje, gjithmonë ndodh rrëmujë.
- Sikur të mos mjaftonte kjo, tha Flamuri, plasi dhe e dyta. Drejtori i Mjekësisë Ligjore ishte prapë nga Tropoja. Këtu Flamuri e kishte humbur durimin dhe kishte marrë vetë në telefon në Prokurorinë e Korçës. Kishte folur në emër të atij burrit dhe kishte urdhëruar prokurorinë të shkonte vetë në vendngjarje.
- Si urdhëron, ishte përgjigja nga ana tjetër.
I kënaqur që më në fund po vihej puna në vijë, Flamuri bëri dhe një telefon tjetër. E pyeti nga është prokurori i Korçës.
- Nga Tropoja, erdhi përgjigja nga ana tjetër e telefonit.
Kjo e hutoi dhe më keq Flamurin dhe hoqi dorë nga marrja me këtë ngjarje.
- Nuk mbaj më përgjegjësi, tha. I kam thënë atij burrit, nuk mund të ketë tropojanë në çdo vend delikat. Jo se nuk janë të aftë, po bien shumë në sy. Sidomos në vrasje është puna shumë delikate. Hajt mbaj mendjen tani. Policët dhe pa qenë nga Tropoja thonë marrëzira. Merre me mend të jenë të gjithë andej. E bën krejt rrëmujë. Dhe s’kuptoj pse e bëjnë këtë se unë kam çuar një nga Kukësi në Korçë si drejtor. S’di pse janë të gjithë nga Tropoja në vendngjarje. Se ja një që nuk ishte nga Tropoja, ai Tonini, ai mendonte ndryshe. Po nuk e thotë se s’ia mban. Po ai mendon se është vrasje. Nejse dhe për atë e di unë kush e ka fajin. U kam thënë me kohë mo ta shoh më në polici, por e mbajnë aty.
Shpjegimi i Flamurit na e bëri dhe më të paqartë skenën e vrasjes së Trebickës. Mospërputhjet e policisë, mospërputhjet e hetimit, mospërputhjet e orareve , mospërputhja e dinamikës së lëvizjes, mospërputhja e fakteve, nëse ishte vetëm apo me shokë, e shtuan aq shumë dyshimin sa më mirë do të ishte që dikush të gjente dikë që pranonte që e kishte vrarë se kishte gjuajtur pa leje në tokë të tij dhe të mbyllej kjo histori.