E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia që ndryshoi historinë

Gjashtë muaj pas tragjedisë së Gërdecit, historia jonë është ndryshuar tërësisht. Tragjedia ka ndryshuar historinë e qeverisë, historinë e opozitës, historinë e qytetarëve dhe historinë e politikës shqiptare. E futur dhunshëm në historinë tonë, si një ndëshkim për arrogancën e shtetit dhe indiferencën e qytetarëve, tragjedia e Gërdecit na bëri të gjithëve më të përgjegjshëm për pasojat e një pushteti të kapur nga mafia.

Para syve tanë gjashtë muaj më parë, flaka që tronditi botën, zbuloi për një të qindtat e sekondës, kapjen e shtetit, vënien e tij në dispozicion të trafikantëve, mungesën e shtetit ligjor, mungesën e funksionimit të administratës tatimore, mungesën e pushtetit lokal, mungesën e opozitës efiçente, mungesën e lirisë për të denoncuar dhe mbi të gjitha mungesën e një mekanizmi ligjor për ta identifikuar tutorin e korrupsionit përpara se ai të bënte kërdinë.

Para syve tanë gjashtë muaj më parë u shfaq një bilanc tragjik prej korrupsionit. Historia tragjike e atij shpërthimi është unike në historitë e korrupsionit botëror, pasi është nga rastet e pakta kur përpjekjet për të vjedhur kanë një kosto kaq të lartë njerëzore. Masakra e shkaktuar nga arroganca e trafikantëve që komandonin shtetin përmbysi imazhin tonë për duart e pastra të qeverisë.

Para syve tanë gjashtë muaj më parë, u shfaq një shtet që ngjante si një lodër në duart e Mihal Delijorgjit dhe ortakëve të tij zyrtarë dhe jozyrtarë. Ushtria shqiptare, repartet e saj, lënda e saj e parë, logjistika e saj, u pa qartë se ishin thjesht një infrastrukturë dhe pasuri në shërbim të trafikantëve. Ministri ynë i Mbrojtjes u pa qartë se ishte një noter i bindur i tyre dhe me mendjelehtësinë që e karakterizon, ishte shpesh dhe mbrojtës i tyre publik.

Para syve tanë gjashtë muaj më parë u shfaq po ashtu një opozitë e kapur. Lidhjet private të liderëve të saj me Mihal Delijorgjin e kompleksuan atë në aksionin e saj politik dhe rritën dëshpërimin tek qytetarët. Shoqëria shqiptare e traumatizuar nga tragjedia shtoi dozat e pesimizmit, kur mësoi se klienti trafikant i familjes politike dhe biologjike të Sali Berishës, ishte një trafikant i trashëguar nga qeveritë Majko, Meta, Nano. Kjo bëri që shumë njerëz të ndjeheshin të tradhtuar nga politika dhe të shtonin dozat e pesimizmit në shoqëri. Ky ishte një tjetër atentat i madh ndaj shoqërisë sonë i asaj tragjedie.

Para syve tanë gjashtë muaj më parë u shfaq dhe një mësim i madh për historinë tonë. Mësimi i madh ka të bëjë me faktin se ky vend nuk mund të shpëtojë më nga asnjë individ, nga asnjë premtim personal, nga asnjë mision që bazohet tek mbivlera personale liderësh. Mësimi i madh që na dha tragjedia e Gërdecit është të mos besojmë më tek askush që na thotë kini besim tek unë, por të besojmë ata që thonë kini besim tek ligji. Mësimi i madh i Gërdecit është të përpiqemi të gjithë të ngremë një çadër sigurie për të ardhmen tonë, një çadër, e cila të mos komandohet nga një person i vetëm, por nga ligji, drejtësia dhe institucionet e një shteti modern. Nuk mund t’i besojmë më të ardhmen tonë, as qytetarit Sali Berisha, as qytetarit Edi Rama, as qytetarit Ilir Meta, as kryeqytetarit Bamir Topi apo kryeprokurores Ina Rama. Tragjedia e Gërdecit na dëshmon se të ardhmen tonë duhet t’ia besojmë një shteti, i cili duhet të ndryshojë tërësisht pas 15 marsit. Tragjedia e Gërdecit përgjaku në të qindtat e sekondës duart e pastra të Sali Berishës dhe mitin e kryefamiljarit të familjes së ndershme. Për një të qindtat e sekondës ne pamë një baba që s’di ç’bën i biri, një bashkëshort, që gruaja druan t’i tregoj emrin e baxhanakut, një prind që nervozohet kur i përmendin fëmijët, një burrë të fortë të dorëzuar para batakçinjve që kishte mallkuar për vite të tëra në opozitë, një kryeministër që kërcënon se do të zhdukë ata që e akuzojnë, një lider histerik që i thotë gjithkujt do të ta bëj fytyrën si këpuca, ose siç mund të thuhet tashmë pa cinizëm si fytyra e të ndjerit Kosta Trebicka.

Para syve tanë gjashtë muaj më vonë ka plot fantazma që duan të mitizojnë fuqinë e tyre duke mitizuar bilancin e rëndë dhe mosveprimin e drejtësisë për gjashtë muaj. Po përpiqen të na trembin me gjithçka, me të vrarët, me të plagosurit, me të dëmtuarit, me të mosdënuarit, me të mosthirrurit në prokurori, me mospërmendjen e Mihal Delijorgjit asnjëherë nga goja e papërmbajtur e Sali Berishës, me vdekjen e mistershme të Kosta Trebickës dhe me gjithçka tjetër që të trishton kur shikon se gjashtë muaj pas tragjedisë nuk ka dritë në fund të tunelit. Po përpiqen të na trembin me suksesin formal të mos hetimit të tragjedisë, të mos zbardhjes së saj. Po përpiqen të na e imponojnë tragjedinë si një fat që duhet ta pranojmë. Por harrojnë se tragjedia e Gërdecit ndryshoi përfundimisht historinë tonë, historinë e çdo qytetari, besimin e çdo individi tek politika dhe politikanë konkretë. Kjo tragjedi, si çdo ngjarje e madhe në jetën e një vendi, prodhoi kujtesën e saj, dëshmorët e saj, të cilët janë të vetmit dëshmorë të korrupsionit në historinë tonë. Përveç heronjve të pavarësisë, dëshmorëve të betejave tona për liri, dëshmorëve të demokracisë, ne kemi sot dhe dëshmorët e betejës kundër korrupsionit. Ata janë 26 të mbeturit nën flakët e shpërthimit dhe Kosta Trebicka i mbetur në një lëndinë të Korçës dy ditë më parë, si denoncues kyç i kësaj tragjedie. Ne kemi sot memorien tonë historike për këtë histori korrupsioni. Ashtu siç kemi referencat tona para dhe pas pavarësisë, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, para dhe pas komunizmit, tashmë kemi një referencë të re për shoqërinë tonë, e cila është para dhe pas Gërdecit. Këtë nuk na e vjedh dot më askush dhe sikur kryeministri Berisha të bëjë tender me prokurim të drejtpërdrejtë për një histori zyrtare për këtë ngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›