Vetëm ne mund të jemi barbarë
Guxoj të shtroj pandehmën se Konstantin Kavafis u emërua për çmimin Nobel të letërsisë në fillimet e shekullit XX, ndoshta vetëm për vargun e fundit të poezisë “Mbërritja e barbarëve”, që tingëllon pak a shumë kështu: “por, fatkeqësisht, barbarët nuk do të vijnë /dhe ata tekefundit ishin zgjidhja”. Megjithatë, besoj se tema alarmante për të gjithë ne Romanë, Gjermanë e Sllavë gjendet në vargun e parë të së njëjtës poezi:
“Përse u mbyllën punimet e kuvendeve?
Përse këshilltarët nuk hartojnë ligje nëpër mbledhje?
Sepse janë duke mbërritur barbarët.
Atëherë çfarë ligjesh duhen nxjerrë?
Do t’i nxjerrin barbarët kur të vijnë”
Kush e di nëse Kavafisi, një shekull më parë, kishte në mendje edhe shqiptarët në Greqi, për të mos përmendur maqedonasit?
Duke spekuluar për mjedisin tim, dhe duke qenë këtu, nuk mund të lë pas dore analogji fantazmagorike; por, edhe këtu kemi detet etno-nacionale me dallgët shpesh rrënimtare, dhe nëse shtylla kurrizore evropiane gjendet mes Alpeve dhe Adriatikut, barku i Evropës është në Ballkan. Hapësira evropiane aty sipër po krijohet me vështirësi; mitet kombëtare janë shumë të fortë, dhe stereotipat patriotikë mes neve vetë, gjermanë, romanë e sllavë... Dhe këtu, me ju shqiptarë, fis i lashtë dhe i shtypur për shekuj nga fqinjët, të pranishëm qoftë në Atdheun Mëmë, qoftë në Greqinë, Maqedoninë, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi fqinjë? Me maqedonasit po aq të shqetësuar, ngase të rrethuar prej shqiptarëve, grekëve, bullgarëve, serbëve? Për të mos harruar Serbinë multum diminuta, me fitoret e saj vrasëse e vetëvrasëse, për të mos harruar shpresat e drejta evropiane të Turqisë.
Por, atëherë, nëse Evropa e bashkuar ose do të lindë aty sipër, ndën Alpe, ose nuk do të lindë, edhe e bashkuar nuk mund të ekzistojë përveçse me Ballkanin e bashkuar dhe të evropianizuar!
Kësisoj ne të gjithë duhet të shfaqim fytyrën tonë në pasqyrën e Dorian Gray-t, – dhe ai është barbari, në reflektimin e fantazmës sonë në pasqyrën evropiane: kështu është, edhe këtu po vazhdojmë qetësisht takimin, ndërsa “barbarët” tashmë janë mes nesh. Brenda nesh; dhe ata – jemi ne vetë!!!…
Në kohën e vet, Carolus Cergoly (poet triestin) recitoi për mua në mënyrë teatrale disa vargje nga “Për sì për da për ja” të përmbledhjes së tij Ura e Kuqe: “O, Triestja ime!/Kaq marroke dhe e ligë”, dhe duke recituar tregonte në mënyrë patetike portretet e Frankopani-ve, - pasardhës i të cilëve ishte dhe ëndërronte (sikurse unë sot) ëndrrën e madhe K. und K.; kthimin e Perandorisë Austro-Hungareze, të Mitteleuropea-ës, – utopi të cilën Peter Haadke e përqesh me përçmim. Falë Cergoly-t, në vitet ‘70, unë, kroat nga Istria, nisa të dashuroja Triesten, asokohe krejt italiane! Pra dhe Fausta Cialente-n, Umberto Saba-n, Biagio Marin-in, Franco Basaglia-n, Marko Kravos-in, Boris Pahor-in, Alojz Rebula-n; veshur si “Arbitër”, kafe dhe “Il Piccolo” në “Tommaseo”, Aldo Moro-n dhe Miloš Minić-in në Osimo…
Ishte njëlloj si në vitin ’68, kur Hana Mandlikova shpjegonte në Gjermani pse donte Rusët, përse Brezhnjevi nuk ishte Rusia, por Tolstoi e Dostojevski dhe Bulgakovi e Babeli…
Amor et ars omnia vincit; por meqenëse po punoj për përkthimin e romanit të mikut tim Naim Flamuri dhe vëllait të tij binjak Sami (shqiptarë nga Mali i Zi dhe australianë), pyes veten se kur do të prezantohet ky roman dhe autorët e tij, nëse jo në Mitrovicë të Kosovës, të paktën në Nish apo Beograd?
Këtu përpara jush po kërkoj formulën e përtëritjes të paktën të legalitetit dhe të ndershmërisë, puna jonë që do ta përkufizoja alkimi të kulluar, do të jetë zbulimi i gurit filozofal, gurit të paqtimit. Dhe dua të shpreh këtu gëzimin tim të madh që gjendem sërishmi në këtë bregdet të shkëlqyer mesdhetar shqiptar, me tundimin për të parë rishtas ikonat e Beratit dhe të dëgjoj këngët e gjalla në Fier. Sepse edhe këtu, sikurse në Trieste, apo Celovec (Klagenfurt), kam zbuluar përsëri vetë kulturën time, paksa si Albert Camus që kujton fëmijërinë e vet në Algjeri.
Përndryshe kush do të na mbrojë, – pasi të zhduken rojet tona të kufirit dhe doganierët, – kur hordhi të mundshme barbarësh të rinj mësymës do të zbresin nga Karsi dhe nga fushat e pafundme lombarde do të vërsulen me një tërbim asimilues pushtuesit tanë të rinj? Dhe kush do ta ndalojë dyndjen e hordhive të cubave nga malet ballkanike, nga fise të ndryshme, armatosur me raketahedhës krahu?
Por ne trembemi, trembemi nga Tjetri apo nga vetja jonë tek Tjetri apo brenda nesh, në terrin shpërthyes të zgafellave të shpirtit tonë, fërgëllojmë përpara vajit, vajit të shenjtë në shtratin e vdekjes të mburrkave tona patriotike, të betejave kombëtare gjithmonë të fituara, – ndoshta po kaq të humbura, – të vajit të motërave që zhyejnë duart e makinistëve (stërgjyshërit tanë) të flotave të Persano-s dhe Tegetthoff-it, të vajit të ricinit të purgatorit të racës barbare, por edhe përballë vajit të ullirit që erëmon “sallatën mikse” etnike të Ulderico Bernardi-t, sajuar jo vetëm nga radhiqet, rukola dhe moxarela, vaj kungulli e copa speck-u, por nga përbërës të patretshëm ballkanikë, orientalë.
Në Umago, metropol i FORUM TOMIZZA ku rrekemi të krijojmë hapësirën evropiane përmidis kufijve të lartpërmendur, këtë gusht, gjellëbërësit përgatitën PULLUM NUMIDICUM, sipas recetës së lashtë, të të famshmit Apicius, por Numidia (në jug të Algjerisë së sotme) ekziston ende vetëm në histori dhe mite…
Gjatë radhitjes së librit për ishujt Quarnero, intinerar i një udhëtimi të brendshëm, kam hasur një episod të ndodhur në Neresine në vitin 1945, – gran finale groteske e shekullit të kotë XIX dhe e shekullit të përgjakshëm XX: ndodhi që dy kushërinj të parë, bij të dy vëllezërve, u gjendën në të njëjtën tryezë. Njëri qe italiani Rino Camali, oficer i marinës luftarake italiane, të cilit një granatë angleze ia kishte prerë të dy këmbët pranë Matapan-it; i dyti qe kroati Vojno Kamalić, oficer partizan, që asokohe (në verën e vitit 1945) i rastisi të ishte edhe kreu i OZNA-s famëkeqe (Departamenti për mbrojtjen e popullit, shërbimet sekrete të Titos), vendosur përmbi jetën dhe vdekjen, që në të vërtetë është vetë jeta ose vdekja. Një episod që shkon përtej Balzakut dhe Zolasë, një episod malapartian…
Po për sa na përket ne? Në këto zgafellat dhe mitomanitë tona. Në varret e përbashkët, duhet të kërkojmë zgjidhje për vitin 2010. Ose 2011. (12,13,14, 20…); kur më në fund përballja me veten tonë do të ndodhë në gjirin e Bashkimit Europian, me Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën, Serbinë, të gjithë anëtarë të familjes së madhe kontinentale?
Thoshte Ligio Zanini, poet istrian, “toka nuk i përket askujt, ne i përkasim tokës”. Adaxhio e Dhjatës së Vjetër duket se shtyhet kështu deri brenda shtresave të thella të ndërgjegjes dhe vetëdijes së kolektivitetit të kufijve. Të jetosh njëri pranë Tjetrit dhe pranë të Ndryshmit, – e quaj një veçori sociale tashmë mbizotëruese për këto hapësira të mrekullueshme të trashëgimisë së bollshme dhe ndjellëse kulturore në një zonë gjeostrategjike të klasit të parë. Nga ngopja e historisë, mendoj, nga Etnosi dhe nga Kombi, në këto vende po lind prej instinktit dhe intuitës, DEMOS-i. Një Demos i cili në vend që të mohojë apo pretendojë na ofron dressing – qoftë globalist apo amerikan, – të “sallatës mikse” bernardiane.
Tashmë, – për ne, elitat, – nuk mbetet veç të përballemi me nacionalizmat dhe egoizmat e pavdirë, me patetizmat nacional-patriotike, paragjykimet dhe mitomanitë… që në dalldi shtypin alarmin! Të përballesh: si?
Sikurse ju, këtu në “POETEK˔, kështu, ne të FORUM TOMIZZA, prej dhjetë vjetësh luftojmë fobitë tona.
Pra, cili është “çelësi” i vargut të fundit të Kavafisit thurur në Greqi njëqind vjet më parë? Barbarët, fatkeqësisht, nuk do të vijnë, dhe ata ishin shpëtimi! Është e natyrshme që barbarët të mos vijnë, sepse BARBARËT TASHMË JANË KËTU, – fqinjat a mia, të afërmit e familjeve të Triestes dhe Trevizos që marrin pension… muratorët serbë, të rinjtë shqiptarë, mafiozët rusë, afrikanët, marokenët, moldavët dhe kinezët me çikërrimat dhe saksofonët e tyre, që luajnë për ne Ellington-in për një kore buke këndeve të pallateve tona gotike orientale, pra gotik turk.
Kavafisi e ka parashikuar të ardhmen tonë duke përcjellë kumtin që vijon: nuk janë barbarë barbarët, vetëm ne mund të jemi barbarë. Po e përfundoj duke cituar Giorgio Bocca-n, – njeriu nuk dëshiron të jetë HOMO LUDENS, por HOMO FABER.
Stili juaj këtu, formula juaj, ashtu sikurse mënyrat e ngjashme të tonës pars Adriae, janë përgjigjja e duhur për një të nesërme, kur Europa do të jetë Atdheu i të gjithëve ne; arti & kultura, kontakti & komunikimi, – një dialog i vazhduar që shuan stereotipët, paragjykimet, nacionalizmat, duke krijuar mirëkuptim dhe vëllazëri mes kulturash.
Por, nëse këto fjalë tingëllojnë pak si priftërore, dëshiroj të jem më i saktë; Inteligencia (intelektualët) postmoderne nuk mbyllet më në kullën e fildishtë (siç bëri Theodor Adorno); kulla rreth shkrimtarit postmodern-dhe-post-post-gjithçka është bërë prej prezervativësh, disa për përdorim kundër Aids, të tjerë plot me kokainë, dhe brenda kullës është Gjeniu që shkruan The Ordinary Kitsch.
Gjeniu mungon, out od order, përtej çdo angazhimi, Gjeniu prodhon vetveten, vulgaritete dhe banalitete që kërkohen nga elita; i mirëpaguar, Gjeniu i përket pikërisht kësaj elite marroke që luhatet sa nga një ndeshje golfi në Bermuda dhe një feste në nderin e saj, me medalje ari të rangut kombëtar, dhe një puthje intime e Presidentit!
Nga ana tjetër, mbetjet e inteligencia skrupuloze duan që kultura të marrë vendin e lënë bosh nga revolucionet e paarrira, nga politikat e korruptuara dhe të paafta, të menaxherëve të flashkët e të pafuqishëm. Et voila’ la chose; Qytetari pret rikthimin e Shkrimtarit në skenën shoqërore, një “J’Accuse!” e re. Përsëris fjalët e Karl Krauss-it; NËSE KE NDONJË GJË PËR TË THËNË, NGRIHU DHE – HESHT! Apo fjalët e Miguel de Unamuno-s, në hyrje të sallës së mbushur plot me pasuesit dhe admiruesit e tij: “ENTRAMOS, YO SOY CONTRA!”
Unë, në Vogëlsinë time të pamasë, rrekem të kuptoj dhe të ndjek mjeshtrit; të lartësoj Fjalën, Sfidën, Mallkimin, të shumoj “raison critique”, të përhap ide përmbysëse, të shpalos flamurin mendor. Ja ç’mund të jetë sit një shkrimtar në... Ja roli i shkrimtarit të angazhuar në kohën e boshatisur pas fundit të historisë.
Zagreb, shtator 2008
Përktheu Erion Kristo
Milan Rakovac dhe “Republika e Poetëve”
Poeti Milan Rakovac (Rakovaç) tashmë është një nga ikonat e poezisë kroate. Ai ka qenë i pranishëm nga data 26 prill deri më 2 maj 2006, në qytetin e Durrësit, gjatë zhvillimit të edicionit të dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, POETEKA. Milan Rakovac vjen për herë të dytë në edicionin e katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë POETEKA që do të zhvillohet në Durrës nga 22 deri më 28 shtator 2008” dhe drejtohet nga poeti Arian Leka, i cili në këtë edicion e ka sjellë festivalin në kulmin e lulëzimit të tij, duke i dhënë statusin e festivaleve më rëndësishëm ndërkombëtar të poezisë. Në edicionin e dytë të këtij festivali ai ishte i pranishëm duke fituar zemrat e pjesëmarrësve me temperamentin e tij interesant dhe natyrën energjike. Poeti Milan Rakovaç është përfaqësues i brezit klasik të poezisë kroate, laureat i mjaft çmimeve poetike, i përkthyer në disa gjuhë evropiane. Madje ai është edhe lëvrues i poezisë në dialekte. Poeti kroat Milan Rakovaç beson tek poezia dhe vlerat e saj. Në një intervistë të dhënë për gazetën “TemA” në 2006-ën, ai ka shprehur mendimin se tashmë ka ardhur koha e ringjalljes së poezisë dhe kjo sipas tij përkon edhe me rikthimin e poetëve tek poezia klasike. “Unë ndihem si në shtëpinë time kur vij në Shqipëri. Vendet tona nuk janë larg, as nga traditat dhe fatin e kanë të ngjashëm. Ju keni kaluar shumë luftëra, vështirësi dhe katastrofa, të cilat kanë ndikuar në kulturë. Letërsia shqipe vjen nga një regjim i egër komunist, të cilin edhe ne e kemi përjetuar. Një pjesë e shqiptarëve që jetojnë në Kosovë ashtu si ne kanë përjetuar luftën, e cila na ka rrezikuar gjithnjë e më tepër kulturën, librin e poezinë”. Në atë kohë festivali POETEKA ishte në fillimet e tij dhe poeti kroat Rakovac e përgëzoi këtë nismë duke u shprehur se “Çfarëdo që të ndodh në botë, janë vetëm poetët ata që do të mbijetojnë sërish dhe do të sjellin mesazhin e paqes. Prandaj unë e vlerësoj dhe e çmoj shumë një festival poezie. Kultura, letërsia e poezia, sa inekzistente duken, aq të rëndësishme janë për fatin e njeriut. Janë këto elementë që e rikthejnë njeriun tek ekzistenca e tij humane, tek paqja, arsyeja, ndjeshmëria. Janë poetët që i bëjnë thirrje njeriut të kthehet te kujtesa e ndjesive, të kthehet te poezia e shpirtit, sepse ajo ka një forcë të mahnitshme për të vepruar te njerëzit. Ajo i bën të pendohen, të kujtohen për ato vlera që humbasin, e gjithësia e këtyre vlerave është një thesar i paçmuar, nëse njeriu i ka, ose i ruan ato”. Ishte Rakovaç ai që festivalin POETEKA në Durrës e pagëzoi me shprehjen “Republika e Poetëve”. “Unë besoj se në botë ka një republikë më të bashkuar se të gjitha shtetet dhe republikat e tjera, një republikë inekzistente që nuk figuron në asnjë hartë të botës. Kjo është “Republika e Poetëve”, por më e rëndësishme është që të gjithë dilpomatët e dinë këtë. Edhe kur nuk e dinë, ata e kuptojnë se bota ka nevojë për poetët. Festivalet e poezisë dëshmojnë për një lëvizje të re poetike, e cila megjithëse kjo është më e ndjeshme në vendet e lindjes, është e mirëpritur akoma më shumë në vendet perëndimore si një ftesë e nënkuptuar për të shmangur një lloj krize të krijimit pikërisht në këto vende, të cilat megjithëse nuk kanë pasur luftë, kanë pasur shumë probleme të tjera shpirtërore, të cilat kanë ardhur si pasojë e zhvillimit të përshpejtuar” ka thënë ai po në intervistën për gazetën “TemA”.
Milan Rakovac ka lindur në vitin 1939 dhe është gazetar, poet, prozator. Istrian, para së gjithash, dhe kjo do të thotë se nuk është thjesht kroat, por pjesërisht italian, slloven, dhe pak austriak. “Uomo di frontiera”, me vetëdije dhe për shkak të origjinës, njeri i kufirit, kjo është kredoja e jetës dhe veprës së tij.
Botime të tij. Libër me poezi: “Sik” (Pema e krasitur); “Priko Učke” (mbi Učka, mal në Istria). Poezi dhe ese; “Cha për fëmijë” (cha, ča – çfarë, në dialektin kroat istrian)...
Novela; “Riva i druxi” (Shokët mbërritën), “Haluj” (Stuhia), “Snovid” (Një ëndërr, makth), “Sliparija”, “La Triestina” (Gruaja nga Trieste), “Istragram” (Histori), “Kvarnerski otočni lucidar” (Fari i ishujve Quarnero), prozë…
Tekste për albume fotografike (Pula, Poreč, Croatia)...
Rreth 50 dokumentarë televizivë për televizionin kroat; dy skenarë për filma me metrazh të gjatë…
Pothuaj të gjitha veprat e tij janë të lidhura ngushtë me vendlindjen, Istrian…
Si gazetar shkruan për disa gazeta kroate, sllovene dhe italiane...