1938, Italia bën “bis”në Botërorin francez
Nga Skifter Këllici
Në titujt e dy pjesëve të para të rrëfimit tonë për botërorët e futbollit,krahas Martelinit, komentatorit të njohur të RAI-t italian, kam shtuar edhe emrin e Anton Mazrekut.Dhe jo më kot, sepse që nga kjo pjesë, edhe komentatori, publicisti dhe shkrimtari ynë i paharruar do të jetë i pranishëm me kujtimet e tij për botërorët e futbollit,deri më 1970, kur papritmas u nda nga ne.
Teksa Martelini gjatë bisedave më përmendi disa herë Nikolo Karozion, komentatorin e parë të futbollit në EIAR, që pas vitit 1945 do të shndërrohej në RAI, i shpjegova se edhe unë me kolegë të tjerë, kishim pasur një mësues, Antonin,që më 1 shtator të viti 1938, siç e kam shpjeguar në pjesën e dytë,u bë shembull yni në kronikat e ndeshjeve të futbollit nga mikrofonët e Radio Tiranës. Pra, katër vjet pas Karozios, saktësisht,më 1 shtator të vitit 1938.
Për botërorët e futbollit, Anton Mazreku, zuri të më rrëfente më 1961,një vit para se në Kili të zhvillohej Botërori i 7-të në Kili.Asokohe, gazetar në Radio Tirana,pata rast të shfletoja për herë të parë koleksionet e gazetës “Sporti Shqiptar”, drejtor i së cilës ai kishte qënë në vitet 1935-1939,vit kur u mbyll pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.Dhe mbeta i befasuar kur pashë që Mazreku, krahas shkrimeve të mahnitshme që kishte shkruar për futbollin shqiptar dhe ndërkombëtar, për Lojërave Verore Olimpike të Berlinit,më 1936,ku kishte qenë i pranishëm,kishte shkruar edhe për Kampionatin Botëror e 3-të Botëror të Fubollit të vitit 1938.
“Mjerisht,-më tha ai,-ndryshe nga Komiteti Organizues i Lojërave Olimpike të Berlinit që dërgoi ftesa edhe në Shqipëri për të marrë pjesë në këto lojëra,asnjë zyrtar nga FIFA,nuk u kujtua që një delagacion nga Shqipëria të ishte i pranishëm në këtë veprimtari, ndonëse ajo ishte pranuar në FIFAqë më 1932. Kësisoj këtë botëror e ndoqa nëpërmjet radikronikave në italishte të Nikolo Karozios.Jo vetëm kaq, por,bazuar në to,lajmet e EIAR-iT,që pas vitit 1945 do të quhej RAI, dhe njoftimet nga Agjensia Telegrafike italiane “Stefani”, u pasqyrua ky botëror”.
Duhet vënë ne dukje se botërori francez u zhvillua në një klimë të ashpër që kishte përfshirë tërë Europën. Dhe kjo sepse në Spanjë forcat e djathta,pas humbjeve në parlament,nisën Luftën Civile që e drejtonte gjenerali Franko. Vendet e demokracive perëndimore e bënë veshin shurdhër kur forcat frakiste iu sulën republikanëve edhe më ndihmën e Musolinit ,që një vit më pas do të pushtonte Shqipërinë dhe Hitlerit që nuk priti gjatë, por që atë vit gllabëroi Austrinë.
Për herë të parë FIFA vendosi që fituesja e Kupës së Botës dhe vendi organizues të uleshin drejtpërdrejt në sofrën e kampionatit, pa kaluar telashet e ndeshjeve mënjanuese.
Që në ndeshjen e parë axurrët, kampionë botërorë, desh e pësuan nga norvegjezët diletantë, që, sic duket, kishin sjellë me vete thëllimin e fjordeve. Axurrët dukeshin të mpirrë.Po kështu të dhjetë mijë tifozët italianë që kishin ardhur me tren në Marsejë,një vrap pele nga Italia,aq më tepër kur panë që futbollistët ,sipas udhëzimeve të gjerakëve fashistë,para takimit nderuan si zakonisht “alla romana”.Jo vetëm kaq, por ata,në shenjë mosaparovimi filluan të fishkëllenin.
Por të kthehemi te ndeshja:po përfundonte pjesa e dytë dhe rezultati ishte…1-1.Mos po përsërtiteshin lajtmotivet spanjolle dhe austriake, kur axurrëve u desh të fitonin me shtesë loje? Por jo, ishte qendërsulmuesi Piola, i cili në fillim të viteve ’40-të do të kishte në krah Boricin tonë në radhët e “Lacios”, shënoi golin e fitores.
“Nga ndeshjet më interesante,- më tregonte një ditë Mazreku,-ishte ajo midis Brazilit dhe Polonisë.,që e e ndoqa me shumë vëmendje në radio. Duhet thënë se jehona e këtij botërori në Shqipëri ishte ende e vogël, sepse mungonin radiot dhe informacionet në shtyp. E vetmja gazetë, siç thashë më parë, që u përpoq t’i informonte sportdashësit, ishte “Sporti Shqiptar”, por edhe ajo me vonesë, sepse dilte një herë në javë. Ndeshja Brazil-Poloni,që u zhvillua në Strazburg. Në shtypin botëror shkruhej se brazilianët ishin magjistarë të topit, veçanërisht qendërsulmuesi Leonidas, i cili,si të dëshmonte këtë, shënoi shtatë gola në këtë botëror, po aq sa edhe hungarezi Shengeler.
(Vite me pas, kur po shkruaja “Historië e futbollit”, ndërsa lexoja materiale të ndyshme nga libra,gazeta dhe revista të huaja, kam kujtuar këto episode të treguara nga Mazreku). Por,me sa shihej brazilianët me fjalën futboll nënkuptonin vetëm sulmin,sepse kundërshtarët mund të bridhnin e dëpërtonin në mbrojtjen e tyre sipas qejfit. Pesë herë iu tund rrjeta nga golat e polakëve .Megjithatë, nuk u bë hataja, se Leonidasi me topcinjtë e tjerë brazilianë shënuan gjashtë dhe dolën fitimtarë në këtë takim të begatë me gola.”
Më 1938 Martelini nuk ishte më kalama. Kishte mbushur pot 17 vjeç dhe, siç thuhet, kishin nisur “t’i dërsinin mustaqet”. Madje, sic më tregonte, kishte këmbëngulur shumë dhe kishte arritur t’i bindte prindërit që të shkonte më 1936 në Berlin,për të ndjekur lojërat olimpike dhe skuadrën axurra, që do të fitonte medaljet e arta në turneun e futbollit të kësaj olimpiade duke mundur në finalen e zhvilluar në stadiumin Olimpik të Berlinit Austrinë në prani të vetë Hitlerit. Një skuadër me profesionistë që sipas rregullores nuk lejoheshin të merrnin pjesë në olimpiadë, e cila dy vjet më pas do të fitonte, siç do të shohim, botërorin francez.
Nga biseda me të, më kujtohet kur foli për ndeshjen midis Gjermanisë me Zvivrën.Në radhët e “dojcëve” kishte edhe lojtarë austriakë, të cilët, ngaqë nuk mund të luanin për atdheun e tyre, Austrinë, tashmë e pushtuar nga ushtritë hitleriane, ishin të detyruar forcërisht të mbushnin radhët e skuadrës gjermane.
Takimi i parë,barazim 1-1. Por në takimin e dytë zviceranët u dhanë gjermanëve një dajak të mirë më shifrat 4-2. Lajmi i kësaj disfate arriti deri në Raishtag dhe hijet e dyshimit u zvargën te futbollistët e Austrisë së skllavëruar, që u akuzuan për sabotim.
Ndeshja Brazil-Çekosllovaki qe ballafaqim midis dy shkollash të ndryshme,por me një tipar karakteristik-hijeshinë. 90 minuta prodhuan nga një gol për secilën palë. Po ashtu edhe shtesa prej 30 minutash,Vetëm në takimin e dytë Brazili mposhti 2-1 nënkampionët e botës.
Ndërkohë, në shumë qytete italiane,kujtonte Martelini, filluan festime .Kjo ndodhi kur skuadra axurra mundi në stadiumin “Kolomb” të Parisit Francën, madje 3-1. Që nga ky takim francezët do të shkonin në fushë si macja me miu,”traditë” që vazhdon edhe në ditët e sotme. Dhe vala e këtyre festimeve u rrit edhe më shumë, kur pas disa ditësh përsëri në Marsejë italianët mundën të gjunjëzonin Brazilin e Leonidasit.E vërteta është se ata pas tri ndeshjes të zhvilluara brenda një jave ata ishin tërësisht të dërmuar. Italianët fituan 2-1 me gola të Kolausit dhe Meacës. Por edhe ata u panë në fushë se ishin jo më pak të rraskapitur se kundërshtarët.
Kurse Anton Mazreku më sillte ndërmend takimet të tjera të botërorit francez që kishte ndjekur nga komentet e Nikolo Karozios. Jo vetëm kaq,por ai i kishte ndjekur edhe nga reportazhet që kishte lexuar në “La Gaxeta delo Sport”,e cila së bashku me gazeta e revista të tjera, vinte thuajse çdo ditë me anije nga Bari në Durrës e që andej në Tiranë.
Këtyre kujtimeve u shtoja edhe unë ato që mbaja mend, pasi si ai,kisha lexuar që nga viti 1958,artikuj kushtuar botërorëve të futbollit, për të cilat do të flas në pjesët e tjera të këtij cikli.
Hungarezëve u duhej të kalonin një pengesë që fillimthi dukej të vështirë Suedinë.Por ia arrtitën qëllimit.Duke luajtur me ngulm,sikur të ishin të frymëzuar nga rapsoditë e Listit,fituan madje me rëzultat që nuk e prisnin, 5-1.
Kështu në finale u ndodhën Italia dhe Hungaria.
Takimi zhvillohet në stadiumin”Kolomb” të Parisit. Në bisedën që patëm në Radio “Dimensine Suono”në Romë, më kujtohet që Martelini përmendi se nga shikuesit në fushë u prit me brohoritje ardhja e presidentit të Republkës franceze, Lebrun. Ndonëse nuk kishte haber nga futbolli,ai kishte dëshirë që të nderonte organizatorët e botërorit dhe veçanërisht presidentin e FIFA-s Zhyl Rime, që edhe ai ishte francez.
Kur përmendi duke buzëqeshur emrin e tij, edhe unë buzëqesha, se i rashë në të se ku donte të dilte.Puna ishte se presidenti, me t’u ulur pranë Rimesë,dukë hedhur sytë nga futbollistët e të dyja skuadrave që tashëm i ishin gati të “përlesheshin në fushë”,pyeti me miradije:” Cilët janë fracezët në fushë?”Merret me mend habia e presidentit të FIFA-s, i cili arriti për cudi ta nxirte nga telashi veten dhe presidentin e Republikës franceze duke i dhënë këtë përgjigje.”Francezët, Shkëlqesi, përfaqësohen në fushë me gjyqtarin”,Duke shqiptuar këto fjalë, tregoi në fushë Kapdëvilin, që fat të mirë ishte edhe ai francez.
“Futbollin e kuptoj pak,-shpjegoi pas ndeshjes presidenti francez,,-por pashë që italianët zhvilluan një ndeshje të bukur..”
E vërteta është se çardashi hungarez mbizotëroi në minutat e para, por ata që shënuan të parët ishin italianët me anë të Kolausit, madje që në minutën e gjashtë. Por, pa kaluar një minutë entuziazmin e axurrëve e shoi Titkosi që barazoi. Pastaj ishte Piola që shënoi golin e dytë. Hungarezët e mblodhën shpejt veten dhe bënë ç’është e mundur të barazonin. Por harruan se kundërshtarët ishin mjeshtër të kundërsulmit dhe pikërisht atëherë kur shikuesit prisnin që ata të barazonin, Kolausi ua preu nafakën duke shënuar golin e tretë. Mirëpo kur italianët ishin në delir, Titkosi ia kaloi topin Sharoshit, që shkurtoi rezultatin. Kjo ndodhi në pjesën e dytë. Dukej se gjithçka po përmbysej në fushë. Por ishte përsëri Piola që, duke shënuar golin e katërt, nënshkroi dhe fitoren e axurrëve 4-2.
Kështu ndonëse katër vjet të shkuara fitorja e djemve të Vitorio Pocos,nuk kishte qenë shumë bindëse për shak të golave të dyshimtë me Spanjën dhe Austrinë, këtë radhe fitorja për herë të dytë e titullit kampion ishte e përligjur.”Përsëri festime në qytetet italiane,-kujtonte Martelini.- E midis tyre me çuna të tjerë të lagjeve të Romës, edhe unë, por, mbi të gjithë fashistët e Duces që e quanin këtë sukses ngadhënjim të tyre.”
Kampionët patën në finale këtë përbërje: Oliveri, Foni,Rava, Serantoni, Andreolo, Lokateli, Biavati, Maeca, Piola, Ferrari, Kolausi.
Hungaria: Sabo, Polgar, Biro, Salai, Shyelaersos, Vineze, Sharoshi, Zengeler, Titkos,
Golëshënuesi më i mirë:
Leonidas (Brazil) 8 gola.
Nga galeria e yjeve:
Piola, (Olivieri, (Itali), Sharoshi, (Hungari) Leonidas, (Brazil), Foni, (Itali), Da Guaia,(Brazil)
Tabela e rezultateve:
1/8 e finaleve
Itali-Norvegji 2-1
Zvicër-Gjermani 1-1,(me shtesë),takimi i dytë 4-2
Francë-Belgjikë 3-1
Hungari-Inditë Holandeze 6-0
Brazil-Poloni 6-5
Kubë-Rumani 3-3 (me shtesë),takimi i dytë 2-1
¼ e finaleve
Itali-Francë 3-1
Hungari-Zvicër- 2-0
Suedi-Kubë 8-0
Brazil-Çekosllovaki 1-1,(me shtesë),takimi i dytë 2-1
½ finale
Hungari-Suedi 5-1
Itali-Brazil 2-1
Finale për vendin e tretë
Brazil-Suedi 4-2
Finale
Itali-Hungari 4-2
20 Maj 2010