E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja makabre, djali me të meta mendore masakron me sëpatë babanë



Artan CENA
GRAMSH - Djali ka qëlluar për vdekje me sëpatë babanë e tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Lilë të komunës Kukur të Gramshit. Krimi ndodhi mëngjesin e djeshëm, ndërsa viktima, Halim Lila, 76 vjeç, u gjet nga familjarët rreth 1 kilometër larg banesës së tij. Menjëherë ata kanë njoftuar forcat e policisë, të cilat kanë nisur menjëherë hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë. Pas disa orësh uniformat blu kanë mundur që të identifikojnë dhe autorin, i cili rezultoi të jetë djali i viktimës, Avni Lila, 28 vjeç. Në këtë mënyrë është zbardhur vrasja e ndodhur në fshatin Lilaj të Gramshit. Pas identifikimit policia ka vënë në pranga të dyshuarin për krimin.
Krimi
Kanë qenë orët e para të mëngjesit të djeshëm kur familjarët kanë gjetur të vrarë me goditje të shumta në kokë Halim Lilën. Ata janë traumatizuar nga ngjarja, ndërkohë që është njoftuar dhe policia. Në drejtim të fshati Lilaj, në komunën e Kukurit, në Gramsh, janë nisur disa patrulla policie dhe ekspertë të krimeve. Me të mbërritur kanë nisur hetimet në lidhje me ngjarjen. Pasi kanë studiuar vendin ku kishte ndodhur vrasja, ata kanë nisur kërkimet për armën e krimit. Nga kontrollet e bëra nuk është bërë e mundur kjo gjë. Të tjerë ekspertë kanë marrë dëshmitë e familjarëve dhe të fqinjëve të viktimës. Këta të fundit nuk kanë ditur të shpjegojnë mbi ngjarjen e rëndë. Familjarët kanë dëshmuar se nuk kishin ndonjë sherr, apo gjë tjetër që mund të sillte vrasjen e 76-vjeçarit. Siç bëhet e ditur, ai ishte goditur me sëpatë në pjesën e pasme të kokës. Nga plagët që kishte marrë ai kishte gjetur vdekjen e menjëhershme. Krimi kishte ndodhur në një tokë të familjes Lila.
Hetimet
Dyshimet më të shumta të policisë dhe familjarëve kanë rënë mbi djalin e shtëpisë. Ai nuk është gjetur gjatë gjithë kohës që policia po bënte hetime në lidhje me krimin. Pasi janë marrë disa informacione ai është gjetur. Familjarët kanë deklaruar se ai ishte me probleme mendore dhe kishte vite që kurohej. Gjatë marrjes në pyetje që i është bërë nga policia, është dyshuar se ai e ka kryer krimin e rëndë. Nga kërkimet është gjetur dhe sëpata me të cilën ishte qëlluar 76-vjeçari nga Gramshi. Nga hetime e tjera policia tha se është arritur në përfundimin se autor i dyshuar i vrasjes së Halim Lilës është djali i tij, 28-vjeçari Avni Lila. “Në vijim të ngjarjes së ndodhur në fshatin Lilaj, ku është vrarë me sëpatë shtetasi Halim Lila, nga veprimet e kryera nga ana e shërbimeve të policisë, rezultoi se ky shtetas është qëlluar me sëpatë nga djali i tij, shtetasi Avni Lila, 28 vjeç, banues po në fshatin Lilaj. Nga deklarimet e marra familjarëve të tij, ky shtetas rezulton të jetë me të meta mendore”, - thanë ditën e djeshme burimet zyrtare nga Policia e Elbasanit.

Hetimet
Sherr mes adoleshentësh, plagoset me pistoletën e policit 18-vjeçari
DURRËS - Zënka mes adoleshentëve ka përfunduar me një të plagosur me armën e një polici pyjor. Ngjarja ka ndodhur në Durrës mesditën e djeshme. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit kanë bërë të ditur se në spital është dërguar i plagosur me armë zjarri 18-vjeçari me inicialet A. Xh., banor i Lagjes Nr. 15 Durrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 të po kësaj date, në afërsi të vendit të quajtur “Rezervuari”, në Lagjen Nr. 15, Durrës. Pas një konflikti të një dite më parë, për shkaqe ende të paqarta, adoleshentët me inicialet M. R., rreth 16 vjeç, A. Xh., rreth 16 vjeç dhe E. H., po 16 vjeç, të tre banorë të Lagjes 15 Durrës, të pajisur me një armë zjarri pistoletë, të cilën shtetasi E. H., i cili ia kishte marrë në banesë babait të tij (punonjës i Policisë Pyjore), kanë ritakuar të plagosurin A. Xh. dhe në konflikt e sipër kanë qëlluar me armë duke e lënë të plagosur këtë të fundit. Aktualisht, i dëmtuari, pas ndihmës së parë mjekësore të marrë në Spitalin e Durrësit, ndodhet nën kujdes mjekësor jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas ngjarjes policia ka marrë masa duke çuar në kapjen dhe shoqërimin e tre personave të dyshuar si të përfshirë në kryerjen e saj. Gjatë aksionit është bërë e mundur edhe bllokimi i armës së përdorur në këtë ngjarje. Uniformat blu të qytetit bregdetar thanë se është duke vazhduar puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë në bashkëpunim dhe me Prokurorinë e Rrethit Durrës.

Operacioni
Pranga dy vajzave, prostituonin në hotelet luksoze
TIRANË - Dy vajza janë vënë në prangat e policisë, pasi akuzohen për prostitucion dhe shfrytëzim prostitucioni. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se natën duke u gdhirë dita e djeshme është ndaluar një vajzë 24-vjeçare dhe një adoleshente. Kanë qenë efektivët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme, të cilët kanë bërë kapjen e më pas arrestimin në flagrancë të dy vajzave, të dyshuara për konsumim të veprës penale të “shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “prostitucion”. Në pranga janë vënë Orjana Këllezi, 24 vjeçe dhe 17-vjeçarja me inicialet B. Q., të dyja banuese në Tiranë. Arrestimi i Orjana Këllezit është bërë pasi dyshohet se ka shfrytëzuar për prostitucion, me qëllim përfitimin, shtetasen 17-vjeçare me inicialet B. Q. Kjo e fundit është kapur mbrëmë në flagrancë në ambientet e një hoteli të ndodhur në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, duke kryer marrëdhënie seksuale kundrejt shumës së parave prej 5 mijë lekësh. Gjatë aksioni policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 5 mijë lekë, 4 telefona celularë dhe sende te tjera. Dosja me materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të dy vajzave i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale të mësipërme.

Grinden për një mur, masakron me hekur fqinjin
TIRANË - Sherri për një mur rrethues ka përfunduar me një të plagosur dhe një të arrestuar. Policia e Tiranës ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se nga efektivët e Seksionit të Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të Maringlen Shimas, 27 vjeç, banues në Sauk Tiranë. Nga të dhënat, ky person dyshohet se dy ditë më parë, rreth orës 14:30, për shkak të prishjes së murit rrethues të banesës së tij në Sauk, ka goditur me sende të forta, si hekur dhe drurë, duke e plagosur rëndë 37-vjeçarin Enver Sinani, me banim po në Sauk. Pas ngjarjes i plagosuri është dërguar për mjekim dhe aktualisht ndodhet në spitalin “Nënë Tereza”, jashtë rrezikut për jetën. Dosja me materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të Shimas i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “plagosje e rëndë me dashje”.

Vdes në minierë punëtori 65-vjeçar
BULQIZË - Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur në një nga minierat e Bulqizës. Burimet policore kanë bërë të ditur se paraditen e djeshme në minierën e Krastës është aksidentuar për vdekje minatori Muharrem Omuri, 65 vjeç. Sipas të dhënave të para aksidenti ka ndodhur brenda në galeri ku 65-vjeçari po punonte. Muharrem Omuri është nga qyteti i Kukësit. Rrethanat e vdekjes së minatorit janë ende të paqarta. Vdekja e Omurit vjen pak ditë pas protestave që Shoqata e Minatorëve bëri para selisë së qeverisë me kërkesat e tyre për rishikim të statusit të minatorit, pagat, moshën e daljes së pension etj.

20 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›