E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokimi i rrugës Tamarë-Vermosh nga dherat, nis puna

20/05/2010 Banorët të bllokuar nga dëbora prej muajsh të tërë

SHKODER- Ndërmarrja rajonale e Rrugëve Rurale është angazhuar prej dy ditësh për hapjen e rrugës Tamarë-Vermosh, të bllokuar rreth 5 ditë më parë nga shembjet e shumta të dherave nga shpatet e maleve. Sipas drejtorit të kësaj ndërmarrjeje, Gjovalin Kodra, aktualisht është duke u punuar në zonën e njohur si Gropat e Selcës, ku ka një shembje prej rreth 500 metër kub dhera dhe gurë, të cilat e kanë bërë absolutisht të pamundur kalimin e çdo lloj mjeti në aksin rrugor Tamarë –Vermosh të gjatë 36 kilometër. Sasitë e mëdha të dherave dhe gurëve në rrugë dolën si rezultat i shembjeve anësore, për shkak të reshjeve të shumta dhe të pandërprera të shiut, që ranë ditët e kaluara. Drejtori i Ndërmarrjes rajonale të Rrugëve Rurale, Gjovalin Kodra bëri të ditur se largimi i dherave dhe gurëve po realizohet dhe me ndihmën e Këshillit të Qarkut, i cili ka bërë të mundur nxjerrjen e fondeve për kontraktimin e një mjeti privat. Njëkohësisht drejtori Kodra ka theksuar se me ritmet e larta dhe të pandërprera të punës, aksi Tamarë-Vermosh do të jetë i kalueshëm që ditën e enjte, fillimisht për mjetet e larta dhe më pas dhe për autoveturat. Ndërkohë banorët e kësaj zone shprehen se ka ardhur koha që Këshilli i Qarkut dhe qeveria të kthejë sytë seriozisht nga komuna malore e Kelmendit, pasi fshatra të tërë jetojnë nga 3 deri në 6 muaj të izoluar nga dëbora, ndërkohë që edhe në pranverë e vjeshtë krijohen bllokime të herëpashershme e me ditë të tëra rrugësh, nga shembjet e dherave për shkak të shirave. Ata kërkojnë jo vetëm rikonstruksion e asfaltim të rrugës Tamarë –Vermosh, por edhe ngritjen e pritave për mos shembjen e dherave nga vërshimet e rrëkeve të shiut dhe përrenjve malorë mjaft problematikë për këtë zonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›