E Diel, 1 Nëntor 2026

2 Prilli i masakrës komuniste, në errësirë të perdes së hekurt

Përgjakja e një manifestimi të paarmatosur, në transparencë zero

Kanë kaluar pikërisht 19 vjet nga ajo batërdi që u bë nga forcat e armatosura të G. Ruçit kundër manifestuesve të Shkodrës së martirizuar nga komunizmi. Pak ditë më parë kishin përfunduar zgjedhjet e Ramiz Alisë, të falsifikuara gjer në rrasht nga përdhosësi i demokracisë fillestare në vendin tonë, Ramiz Alia.
Revolta e shkodranëve kundër një parodie zgjedhore qé e papërmbajtshme. Veçse ishte paqësore. Nëse do të bëhej transparencë në kutitë e votimeve, që sollën si pasojë revoltën, do të zbuloheshin falsifikime të papërfytyrueshme. Përvoja nuk mungonte. Komunistët nuk njohin humbje. Komunisti R. Alia, nuk mund të mos ishte i frymëzuar nga zgjedhjet e kohës së E. Hoxhës, me përfytyrime fantazmagorike.
2 Prilli do të mbetet në analet e shëmtuara të komunizmit, një njollë e zezë e dyfishtë e regjimit të Ramizit: farsa zgjedhore dhe masakra e popullit të ngritur kundër kësaj farse. Krimeve të Enver Hoxhës u shtohen ato të Ramiz Alisë, në një periudhë tjetër, në atë të proceseve demokratike antikomuniste. Por neveritës është ai manovrimi i njerëzve pa karakter, që populli i portretizon në “hedhin gurin e fshehin dorën”. Këtu gjendja është më e rëndë sesa kjo thënie që u përplaset intrigantëve hipokritë. Sepse është tragjike: Hedhin breshëri automatikësh dhe fshehin krimin! Në fakt krimi mbeti i pazbuluar. . .
Një gjyq që u bë nuk nxori aspak mandantët, urdhëruesit e krimit. Sa për sikarët, zbatuesit e urdhrit, ata s’kanë rëndësi. Janë njerëz ordinerë, të rëndomtë, të hurit e të litarit. Shyqyr që u jepet mundësia të zbrazin fishekët, jo në poligonet e qitjes, por në armiqtë e tyre të imagjinuar. Gjyqi përfundoi në një farsë transparence. Kriminelët që përlyen duart me gjak të pafajshmish, janë si punë njerëzish të një specieje të veçantë, të devotshëm që të kryejnë me besnikëri (ndonëse janë të pabesë) detyra partie. E ndër porositë e tyre të pashkruara janë ruajtja e sekretit (lexo më tej: që ngjarjet kriminale kundër armikut të mbeten në mister). Kjo mund të konsiderohet nga njerëzit me ndjenja njerëzore si antitransparencë, ose transparencë kryengulthi!
Digresioni këtu është i detyrueshëm.
Ky zvetënim të çon në përsiatje: Bash njerëz të këtij kallëpi flasin sikur u qan shpirti për transparencë! Sikur kjo fjalë të personifikohet (siç bëri EdRama me zgjedhjet gjersa i humbi), do t’i zinte për fyti njerëzit pa namuz: - Po më masakroni kuptimin e mirëfilltë, me të cilën unë, transparenca, krenohem, o njerëz të rrëmujës, të zhurmnajës së çmendur, të kaosit e të anarkisë. O ju që s’e njihni transparencën, s’ia dini kuptimin dhe e përdhunoni atë!
Do të dëshironim që shmangia të mbyllej këtu. Por duket se janë ngjarje që përshkohen nga ajo që quhet “shoqërim idesh”.
Nëntëmbëdhjetë vite më parë, njerëzit shihnin në parlamentin shqiptar sesi justifikoheshin përgjegjësit në vetë të parë të këtij krimi të papërligjshëm, në një periudhë pasdiktatoriale. Personat e ndershëm, që donin demokracinë euroatlantike, shqyenin sytë kur shihnin në ekran njerëzit e Ramizit, të zverdhur e bëlbëzues, që justifikoheshin me fjalë dredharake: do t’i nxjerrim para gjyqit, do të ndëshkohen fajtorët, do të dalë e drejta në shesh... (demek, do të bëhet, me nder jush, transparencë!). Donin të përfitonin kohë. As ndjesë nuk kërkuan për familjet e viktimave. Të paragjykuarit për paditjet në gjyq për kriminalitet, nuk bëjnë mea culpa. Do të ishte një angazhim për një qëndrim të ri. Kurse, sikur e kërcënonin këtë popull të shumëvuajtur, se “ne nuk përkulemi përpara atyre që do të na ndalojnë në rrugën e krimit”! (Me funksion marrjen e pushtetit me dhunë, kur s’e kemi. Dhe mbajtjen po me dhunë, kur e kemi!).
Cili ishte në radhë të parë i implikuar për masakrën e 2 prillit? Natyrisht ministri i Brendshëm, Gramoz Ruçi. A mund të imagjinohet që zbrazësit e automatikëve ta bënin një gjë të tillë me iniciativë? Kurrën e kurrës! Kaq do t’ua priste truri sikarëve, sido që të indoktrinuar, se do të përgjigjeshin si kriminelë. Aty për aty, pas nëntëmbëdhjetë vitesh, apo pas tridhjetë vitesh! Pastaj, ka domethënien e saj edhe se të katër të vrarët ishin protagonistë të PD-së në këtë revoltë popullore. Ishin të vënë nën shënjestër, pra. Arben Broci dhe tre të tjerët, si të thuash, ishin programuar për t’u ekzekutuar. Nuk qé një kundërveprim spontan, ndaj atyre që thërrisnin më shumë në miting. Ishte një ekzekutim selektiv. Pra, çdo gjë e organizuar. Dhe, në vijimin logjik, cili nga urdhërdhënësit dolën të përlyer në gjyqin që u bë, gjyq për drejtësinë e të cilit nuk beson askush? A bëri transparencë ky gjyq? Minimumi i transparencës sikur të bëhej, gishtin do të duhej të viheje te ministri i Brendshëm!
Dhe, ana paradoksale e kësaj çështjeje është se pikërisht ky ish-ministër i Brendshëm i krimit, doli i palagur dhe sot na bën thirrjet gjer në ngjirje për transparencë në ... kutinë e votimit, pas nëntë muajsh nga zgjedhjet! Ndërsa për atë transparencën e vërtetë, për atë të 2 prillit, me kriteret e mbajtësit në mënyrë abuzive të ofiqit të kryetarit të partisë, duhej të bëheshin jo vetëm 9 muaj kërkesa këmbëngulëse, por 9 vjet e kusur, gjersa të dënoheshin me gjyq ata që vranë Arben Brocin me shokë. . .
Kutitë nuk hapen jo për mosdashjen e Berishës, por për mospërdhosjen e ligjit. Për ruajtjen e dinjitetit të shtetit ligjor. Marrëzia ka arritur gjer në “tradhtinë” e pakonkretizuar të 20 mijë komisionerëve. Ata do të duhej të bënin një shoqatë dhe të hidhnin në gjyq Ramën, Ruçin e kompani: - A e njihni prezumimin e pafajësisë, shokë shpifarakë? Na shpalosni provat se jemi tradhtarë!
-Nuk kemi prova, por këto i kërkojmë në kutitë! (Po të kishin prova, le t’i nxirrnin, me persona me emër e me mbiemër, që të mos flisnin për fajësira të hamendësuara).
Ndërsa demokratët kanë të drejtë të mëtojnë: - Bëni rrëmujë e krijoni kaosin që e keni në gjak, sa të doni. Por jo në emër të transparencës për zgjedhjet. Po të jetë për transparencë, ne kemi të drejtën e ligjshme që ta kërkojmë atë për të gjitha “zgjedhjet” tuaja të tetëvjeçarit, një masakër e vërtetë zgjedhore!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›