E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, shanse të mëdha për t’u shndërruar në superfuqi energjetike

Mblidhet në Këshillin e Ministrave Task Force për Reformën Rregullatore. Në mbledhjen e djeshme u diskutua mbi Qendrën Kombëtare të Aplikimit të Energjisë (QKAE) dhe alokimin e kësaj qendre pranë Qendrës Kombëtare të Lejeve dhe Licencave

Kryeministri Sali Berisha drejtoi dje, pranë Këshillit të Ministrave, mbledhjen e Task Force për Reformën Rregullatore. Në mbledhjen e djeshme u diskutua mbi Qendrën Kombëtare të Aplikimit të Energjisë (QKAE) dhe alokimin e kësaj qendre pranë Qendrës Kombëtare të Lejeve dhe Licencave. Në çelje të kësaj mbledhjeje, Kryeministri Berisha u shpreh se në vazhdim të reformës rregullatore të tregut, kjo mbledhje do të shqyrtonte një çështje shumë të rëndësishme siç është QKAE, One Stop Shop për energjinë, e cila u ngrit rreth një vit më parë, pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Kryeministri nënvizoi se ngritja e kësaj Qendre erdhi si domosdoshmëri dhe shtytje pas interesit shumë të madh shqiptar, europian dhe botëror për energjetikën në Shqipëri dhe biznesin lidhur me këtë fushë. Shqipëria, tha kryeministri, ka një pozicion gjeografik të shkëlqyer për t’u shndërruar në një superfuqi të vërtetë energjetike në rajon, e vendosur në bririn më perëndimor të gadishullit, më pak se 100 km nga një nga tregjet më të mëdha në Europë të energjisë, siç është tregu italian, e pasur në burimet e saj për energji të rinovueshme. Shqipëria ka tërhequr interesin e kompanive të të gjitha përmasave për të investuar në Shqipëri, nga ato më të mëdhatë në Europë, deri tek kompanitë e vogla shqiptare dhe të huaja. Qendra e ngritur pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, u shpreh më tej Kryeministri, bëri hapat e para, por qëllimi ynë ka qenë gjithmonë i qartë dhe i prerë, që kjo qendër të kalonte pranë Qendrës Kombëtare të Lejeve dhe Licencave.

Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes, përgëzoi punën e bërë nga Qendra Kombëtare për Lejet dhe Licencat, për arritjet e saj në një kohë të shkurtër, të cilat kanë bërë që kjo nismë e qeverisë dhe e Task Force-s për Reformën Rregullatore të shndërrohej në një histori suksesi. Kryeministri Berisha kërkoi nga kjo Qendër që, në këtë stad të ri të saj, të angazhojë ekspertët dhe forcat më të kualifikuara të fushës. Në mbledhjen e Task Force për Reformën Rregullatore u diskutua edhe mbi problematikën lidhur me licencat për lëndët ozonholluese dhe mbi praktikat e ndjekura në vende të ndryshme në këtë drejtim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›