Banka Botërore miraton vazhdimin e projektit për menaxhimin e bregdetit jonian

Merr fund ëndrra e aleancës së Edi Ramës me botues-ndërtuesit, për “privatizimin” e Rivierës shqiptare
Mëse dy muaj pasi Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, Philipe Le Houerou, i kërkoi ndjesë publike qeverisë shqiptare, ky organizëm i rëndësishëm ndërkombëtar, ka miratuar ditët e fundit ristrukturimin e Projektit të Menaxhimit të Integruar të Bregdetit dhe Pastrimit në Shqipëri
Nëpërmjet një njoftimi të saj zyrtar, Banka Botërore, ka bërë të ditur dje se, Bordi i Drejtorëve të saj, miratoi në 22 mars ristrukturimin e Projektit të Menaxhimit të Integruar të Bregdetit dhe Pastrimit (ICZMCP). Për ristrukturimin e këtij projekti u diskutua dhe u ra dakord me qeverinë shqiptare.
Projekti i Bankës Botërore për menaxhimin e bregdetit të jugut të vendit, më se një vit më parë, u bë objekt i akuzave të pabaza të mediave të kontrolluara nga Edi Rama, të cilat sajonin të pavërteta për përfshirjen e qeverisë shqiptare, në këtë projekt. Ndërkohë, sikurse u mësua nga e vërteta a e zbardhur më pas, ishin interesa të klaneve të caktuara biznesmenësh të lidhur me Edi Ramën, që synonin të bënin pjesë të interesave të tyre të ngushta, pjesën e Jalës.
Pas pezullimit të përkohshëm të projektit, si edhe pas zgjidhjeve të problemeve të saj të brendshme, prej rreth 10 ditësh, Banka Botërore, i ka dhënë “ok”, vazhdimit të këtij projekti.
Projekti i BB-së për bregdetin e jugut
Sipas sqarimeve që vetë banka Botërore, kishte bërë dje, mësohet se, në mënyrë më specifike, Projekti do të vazhdojë të mbështesë investimet për: pastrimin e mbetjeve të rrezikshme në Porto-Romano; ndërtimin e një hapësire për mbetjet e ngurta për bashkinë e Sarandës dhe një stacioni transferimi në Himarë në mbështetje të menaxhimit të përmirësuar të mbetjeve të ngurta; rikonstruksionin e portit të Sarandës për të mundësuar hyrjen e trageteve për pasagjerë në Bregdetin e Jugut; sistemin e ujësjellës-kanalizimeve në qytetin e Sarandës; investimet me bazë komunitetin në fshatrat e Bregdetit; dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Banka Botërore sqaron gjithashtu se Projekti i ristrukturuar do të zbatohet nën përgjegjësinë direkte të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Kostoja totale fillestare e projektit ishte 38.5 milionë dollarë. Ajo përfshin, 17.5 milionë dollarë nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), 2.23 milionë dollarë nga një grant i qeverisë japoneze, 3.11 milionë dollarë nga një grant i qeverisë holandeze, 2.6 milionë dollarë nga një grant qeverisë austriake, 0.95 milionë dollarë nga Fondi Global për Mjedisin (GEF), 5.7 milionë dollarë nga qeveria shqiptare 1.26 milionë nga kontribute të komunitetit lokal. Afërsisht 23 për qind të fondeve totale të projektit të financuara nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) janë disbursuar deri tani. Një grant i Komisionit Evropian, me një disbursim total prej 1.8 milionë dollarësh, u mbyll në 30 qershor 2009.
Sipas Bankës Botërore, mësohet gjithashtu se, Projekti i ristrukturuar do të mbështesë infrastrukturën më të nevojshme që lidhet me përmirësimin e kushteve të mjedisit dhe higjienës, të cilat janë shumë të rëndësishme për një zhvillim afatgjatë të bregdetit dhe turizmit. Ky ristrukturim pasqyron ndryshimet e ndodhura në mjedisin ekonomik, financiar dhe teknik që nga projekti fillestar dhe i jep zgjidhje çështjeve të hartimit dhe zbatimit të projektit që u ngritën nga Raporti i Investigimit të Panelit të Inspektimit.
Objektivi i rishikuar i projektit është të ndihmojë qeverinë shqiptare në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Bregdetin e Jugut duke përmirësuar infrastrukturën kryesore publike mjedisore dhe shërbimet e pushtetit vendor, sqaron më tej në të njëjtin njoftim të saj, Banka Botërore.
Zhurma mediatike për implikimin e qeverisë
Zhurma e sfumuar tashmë, për implikim të qeverisë shqiptare në projektin e Bankës Botërore, për menaxhimn e bregdetit të jugut, ishin asgjë më shumë se sulme, në themel të të cilave ishin, sjajesat e trillimet, në tentativë për të mbrojtur prishjen e planeve korruptive të ndërtuesve dhe botuesve, në planet e tyre për të grabitur toka në bregdetin jugor. Për të realizuar këtë aferë, aleatët ndërtues-botues të Edi Ramës, kishin gati edhe skemën, sipas praktikës korruptive të “ndërtimit të fshatrave turistikë”.
Në kohën kur këto plane të koalicionit Edi Rama me ndërtues-botuesit, po prisheshin, makineria e tyre mediatike u vi në lëvizje, dhe sajuan një problem të brendshëm të vetë bankës Botërore, si problem mes qeverisë dhe këtij organizmi të rëndësishëm ndërkombëtarë.
Shpifjet mediatike, u përqendruan kryesisht, në tentativën e implikimit të qeverisë shqiptare, në prishjen e disa ndërtimeve pa leje në bregdetin e Jalës, ndërkohë që i gjithë procesi i menaxhimt të kësaj pjese të bregdetit, ishte pjesë e një projekti shumë më të madh menaxhimi, të Bankës Botërore dhe që datonte shumë më herët se sa krijimi i qeverisë “Berisha”.
Qeveria shqiptare, pas këtyre sajesave të pabaza mediatike, i dërgoi informacione të bollshme Bankës, të cilat sqaronin situatën faktike.
Pas verifikimeve Banka Botërore, pranoi se e gjithë tentativa për implikimin e qeverisë, ishte pjesë e problemeve të brendshme të saj.
Ndërkohë që Banka Botërore, bënte verifikimet e saj, faktet e dala në dritën e diellit, zbuluan se zhurmuesit e aleancës së Edi Ramës me ndërtues-botuesit, ishin të vetëshpallur pronarë të fshatrave turistikë, projektet dhe maketet e të cilëve për Ksamilin e Jalën, i botonin nëpër katalogë, si pjesë të marketingut ndërkombëtarë.
Qeveria shqiptare, ndërsa hodhi poshtë këto plane e projekte kilenteliste, së bashku edhe me Bankën Botërore, përgatitën planin e zhvillimit të kësaj zone të rëndësishme në përputhje me Kodin Europian të sjelljes në zonat bregdetare që heq njollat selektive dhe tregon veç kriteret ku lejohet, çfarë lejohet, fuqizon pushtetin vendor, bashkitë dhe komunat të përgatisin planet lokale te zhvillimit.
Ndjesa e BB-së, për qeverinë shqiptare
Pas sqarimit të problemeve të brendshme të saj, Banka Botërore mori përsipër përgjegjësinë e gabimeve në projektin e menaxhimit të integruar të bregut të jugut, për të cilën u sulmua qeveria “Berisha” me një valë kritikash dhe akuzash tërësisht të pabaza. Në emër të Bankës Botërore, Zëvendëspresidenti i saj, Philipe Le Houerou, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në mesin e muajit janar të këtij viti, duke marrë fjalën në mbledhjen e Komitetit Ndërministror, nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha, kërkoi ndjesë, duke pranuar se gabimet në projekt ishin të Bankës Botërore dhe jo të qeverisë shqiptare. Me këtë ndjesë të kërkuar, Banka Botërore, jo vetëm që pranoi gabimet e bëra në projekt, por shoi edhe zërat hileqarë, njëherazi duke ju dhënë përgjigje të merituar amplifikatorëve politikë e mediatikë të Edi Ramës dhe grupeve të interesit, të grumbulluar rreth tij.
“Do të doja të flisja pak për ndodhitë e vitit të kaluar, në lidhje me projektin e menaxhimit të integruar të zonës bregdetare. Bankës Botërore i vjen keq që, në një inspektim që kishte për qëllim të shikonte nëse banka u ishte përmbajtur apo jo politikave të saj, dolën deklarata të pabazuara kundër veprimeve të qeverisë me këtë projekt. Unë dua të jem shumë i qartë. Procesi i panelit të inspektimit nuk heton në asnjë mënyrë veprimet e klientëve tanë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të interpretohet si i tillë. Për më tepër, nuk pati asnjë provë për korrupsion, në mënyrë që Departamenti për Integritetin Institucional të Bankës, të kryente hetime të mëtejshme. Pra, përfundimisht, duhet të pranojmë që banka ka bërë gabime në këtë projekt. Po punojmë që të sigurohemi që kjo nuk do të ndodhë më në të ardhmen, qoftë këtu, apo në ndonjë vend tjetër”, u shpreh nga Tirana, Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, Philippe Le Houérou, jo më larg se mesi i muajit janar të këtij viti.
Nga ana e tij Kryeministri i vendit Sali Berisha, u shpreh për çështjen në fjalë se qeveria ka zbatuar me përpikëri marrëveshjen me BB, ndërsa theksoi se problemet e krijuara lidhur me projektin e bregut të jugut tashmë janë sheshuar.
“Publiku shqiptar e di se ka pasur një lloj kundërshtie, siç është e zakonshme midis partnerëve, për projektin e zhvillimit të zonës bregdetare. Të gjithë këto probleme janë qartësuar përfundimisht në rrafshin bilateral dhe nuk mbetet as edhe një çështje lidhur me këtë projekt. Qeveria ka zbatuar me luajalitet marrëveshjen me Bankën Botërore. Banka e ka shumë të qartë dhe Zëvendëspresidenti siguroi qeverinë se është plotësisht i bindur në rëndësinë e këtij projekti dhe në korrektesën e qeverisë shqiptare”, u shpreh Kryeministri Sali Berisha, në të njëjtën mbledhje të , ku merrte pjesë edhe Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore Philippe Le Houérou.
...