Fokus/Edhe dje vazhdoi parlamentarizmi part-time i ylberistëve
Turpi i ylberistëve të Edvinit, vazhdon të mos njohë caqe të moralitetit politik dhe vazhdon të destabilizohet drejt një konvertimi edhe më qesharak, të të zgjedhurve të popullit, të cilët hyjnë dhe dalin nga salla e Kuvendin, si në një “han me dy porta”.
“Turizmi parlamentar” i Partisë Socialiste me punimet e Kuvendit të Shqipërisë është konfirmuar tashmë si e vetmja etiketë amoraliteti e atyre 64 deputetëve. Të ngushtuar deri në fyt nga urdhri i prerë për të bojkotuar çdo nismë të parlamentit, edhe projektvendimet që lidhen me përmbushjen e reformave në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian dhe për liberalizimin e vizave, tregon qartë kthetrat, të cilat kanë molepsur opozitën shqiptare dhe kreun e saj në detyrë, Edvin Rama.
Partia Socialiste ka ripërsëritur dje rrotullnajën e radhës me raportet e saj të kushtëzuara me Kuvendin. Deputetët opozitarë morën leje nga Edvini për të marrë pjesë vetëm 60 minuta në seancë, kohë e mjaftueshme kjo për të firmosur pagën mujore si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Nisur nga interesa të ngushta të kryetarit të tyre, deputetët e PS-së vazhdojnë frekuentimin sezonal të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, duke bojkotuar kështu, çdo nismë dhe projektvendim të parlamentit, në kuadër të reformave integruese.
Kjo sjellje e paprecedentë e një force politike, forcës më të rëndësishme në opozitë vazhdon të mos ketë një justifikim konkret, përveç angallës së Edvinit për të penalizuar progresin e kësaj qeverie dhe vendosmërinë e ekzekutivit për t’u garantuar shqiptarëve lëvizjen e lirë në hapësirën “Schengen”.
...