E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, një vit pas anëtarësimit në NATO

Kursi më i suksesshëm diplomatik drejt Perëndimit

Një vit pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, një nga arritjet më të rëndësishme të historisë shqiptare, qytetarët do të festojnë me një koncert të madh, ku për herë të parë në një skenë të hapur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të luajnë bashkë në një orkestër frymore plot 100 instrumentistë, të orkestrave të Teatrit të Operës, të orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar, dhe asaj të Akademisë së Arteve.

Nga kjo skenë e ngritur në shëtitoren mes Presidencës dhe Pallatit të Kongreseve do të jepen mesazhet e një feste mbarëkombëtare, në një aktivitet të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes nën kujdesin e vetë kryeministrit Berisha.

Programi i koncertit që do të dirigjohet nga nën kolonel Halim Teqja, do të nisë me Sinjalin e NATO-s, për të vijuar më pas me Himnin Shqiptar, këngë të njohura shqiptare si dhe uvertura të rëndësishme botërore si Vilhelm Tel e Rosinit, Romeo e Xhuljeta e Gunose, Aida e Verdit për t’u përmbyllur me këngën himn “Dua më shumë Shqipërinë”, që do të pushtojë bulevardin e kryeqytetit mbrëmjen e së premtes më 2 prill.

Ndërsa në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (Akademia Ushtarake “Skënderbej”) do të zhvillohet një Konferencë Jubilare. Në këtë aktivitet do të jetë i pranishëm Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, Zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm Ilir Meta, ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Maksim Malaj, ushtarakë të lartë të Forcave tona të Armatosura, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, ushtarakë nga Shtabi i NATO-s në Tiranë dhe përfaqësues të misoneve që shërbejnë në vendin tonë, si dhe mjaft të ftuar të tjerë.

Historia e hyrjes në NATO

Në 1 prill të 2009-s Shqipëria, së bashku me Kroacinë, dorëzoi në një ceremoni të veçantë në Departamentin Amerikan të Shtetit dokumentet për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Shqipëria mori ftesën për anëtarësim një vit më parë, në samitin e Bukureshtit, ndërsa u ul si vend anëtar me të drejta të plota në takimin e përfaqësuesve të lartë të NATO-s në samitin e 2009-ës mbartur në Strasburg- Kehl. Kjo u cilësua një arritje shembullore dhe një fitore e madhe për vendin tonë. Shqipëria dhe Kroacia ishin në qendër të vëmendjes në hapje të seancës së Këshillit të Atlantikut të Veriut pak ditë më pas.

Fillimisht Sekretari i Përgjithshëm Jaap de Hoop Scheffer dhe më pas Presidenti i Shteteve te Bashkuara, Barack Obama, vlerësuan Shqipërinë dhe Kroacinë, që marrin pjesë si të barabartë mes të barabartëve në këtë Samit.

Edhe si President i Shteteve të Bashkuara, vendit ku është depozituar traktati i Atlantikut të Veriut, presidenti Obama u ndal më gjatë në fjalën e tij për dy anëtarët e rinj të aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake.

“Mirëpresim Shqipërinë dhe Kroacinë në NATO. Këtu kemi dy karta që do të doja t’ja dorëzoja dy presidentëve të vendeve që po bëhen anëtaret më të reja të NATO-s”, u shpreh Obama.

Më pas presidenti Obama u dorëzoi ftesat Presidentëve të dy shteteve të reja anëtare, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Momenti i anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, u prit me një entuziazëm të jashtëzakonshëm në mbarë vendin, por edhe në trojet shqiptare jashtë kufijve. Për herë të parë Shqipëria shënonte një kurs të suksesshëm diplomatik drejt perëndimit, pas periudhës së errët komuniste me Traktatin e Varshavës. Shqipëria shënon 1 vit anëtare e aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake dhe ndonëse një hark i shkurtër kohor, ka treguar se mbetet një përfaqësuese e denjë e operacioneve të saj në mbarë zonat e nxehta të globit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›