E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesat janë thjesht pretekste të Edvinit, për të maskuar bojkotin

Partia Demokratike hedh poshtë aludimet e opozitës

Deputetët e mazhorancës reaguan dje në Kuvend, gjatë diskutimit të lirë duke i kërkuar pakicës, të rikthehet në Kuvend dhe të dëgjojë apelin e ndërkombëtarëve.

Deputeti i PD-së Edi Paloka e cilësoi vendimin e PS-së për të marrë pjesë vetëm në diskutimet jashtë rendit të ditës në Kuvend dhe më pas të largohen si një formë maskimi të bojkotit. Në fjalën e tij në Kuvend, Paloka theksoi se me daljen nga salla PS-ja po tregon se po vazhdon bojkotin por me një formë tjetër. Sipas tij, opozita po kërkon të maskojë bojkotin për të mashtruar ndërkombëtarët të cilët kërkojnë me ngulm që PS-ja të hyjë në Kuvend.

Gjithashtu deputeti demokrat, vuri në dukej se në Shqipëri nuk ka një krizë politike, por një ngërç artificial i bërë nga kryetari i PS-së. Sipas Palokës, lëvizjet e Ramës kërkojnë destabilitet që më pas të ketë përfitime politike.

Në të njëjtin qëndrim është shprehur edhe deputeti Gent Strazimiri. Ai shtoi se Partia Demokratike i konsideron si pretekste qëndrimet e opozitës për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Deputeti demokrat, Strazimiri vërejti se opozita është shumë e vetëdijshme për antikushtetutshmërinë e kërkesave të saj dhe se po zvarrit çështjet e ngritura nga vetë ajo. “Opozita po përpiqet të manipulojë kolegët e saj evropianë dhe nxjerrin si problem mungesën e dialogut politik. Por, problemi nuk është mungesa e dialogut politik. Problemi është tek kushtetutshmëria dhe legjitimiteti i kërkesave të PS. Konflikti që ne kemi nuk është politik, por kushtetues. Duhet dialog politik, për kushtetutshmërinë apo pakushtetueshmërinë e qëndrimit të opozitës. Ka një Gjykatë Kushtetuese. Miqtë evropianë të PS-së kanë deklaruar vazhdimit se opozita duhet të jetë e angazhuar për transparecën dhe njëherazi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Madje, ndërkombëtarët kanë dhënë asistencën e tyre, për t’ju drejtuar Komisionit të Venecias. Por, as njëra dhe as tjetra nuk është konsideruar nga opozita shqiptare”, u shpreh deputeti Gent Strazimiri.

Ndërkaq, nga ana tjetër, deputeti i PS-së Fatmir Xhafa nuk tha as më shumë e as më pak dhe asgjë ndryshe nga seanca e javës së kaluar, duke i dhënë përparësi refrenit të kutive dhe mohua me forcë Komisionin Hetimor, të ngritur posaçërisht për transparencën e zgjedhjeve. Në krizë të thellë identiteti dhe mungese të theksuar argumentesh të përshtatshëm për legjitimitetin e zgjedhjeve, Xhafa e konsideroi miratimin e Komisionit Hetimor, si e premtja e zezë e Kuvendit të dhunuar, duke aluduar për shkelje të ligjit, por që reagimi i menjëhershëm i kryetares së Kuvedit, Jozefina Topalli, e bëri atë që të mos besonte gënjeshtrën e Edvinit.

Si çdo javë, opozita nuk ka kurrfarë argumenti tjetër lidhur me kërkesat e saj, përveç aludimeve dhe gënjeshtrave turpëruese për shkelje të ligjit dhe rregullores, në një kohë kur vetë deputetët e opozitës janë vetë të pranishëm aty, në sallë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›