2 mijë kilometra në këmbë për çlirimin e Kosovës

Maxhun Smajli
100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë dhe 78 ditë bombardime të NATO-s ndaj forcave serbe në Kosovë në vitin 1999 kanë motivuar emigrantin kosovar Maxhun Smajli që të udhëtojë në këmbë nga qyteti Fulda i Gjermanisë deri në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Smajli gjatë udhëtimit në qytetin e Shkodrës ka shpjeguar se qëllimi i tij është që të bëjë 2 000 km në këmbë për 78 ditë deri në vendin e quajtur Kosharë, ku prehen varrezat e dëshmorëve të luftës për çlirimin e Kosovës dhe atje të vendosë flamurin shqiptar. Është kjo aventura e 480vjeçarit, i cili deri tani ka përshkruar 1 720 km me këmbë.
Jam nisur nga Gjermania me 24 mars, pikërisht në datën e nisjes së fushatës ushtarake të NATO-s mbi ushtrinë serbe. Synoj që udhëtimin tim në këmbë ta përfundoj më 12 qershor, që është dita e çlirimit të Kosovës dhe pikërisht në Kosharë, tek varrezat e të rënëve do vendos një flamur shqiptar që ma ka dhuruar një mërgimtar, thotë Smajli.
Udhëtimi i tij ka një simbolikë të veçantë pasi përshkohet edhe rruga nëpër të cilën kaluan shumë emigrantë kosovarë gjatë luftës, të detyruar të largohen ku një pjesë e tyre nuk u kthyen më.
Kjo ecje me këmbë ka edhe domethënien e rikthimit në vendin e lindjes, shprehet Maxhuni, i cili shton se vij nga një fshat i komunës së Glinës në Kosovë dhe gjatë luftës kam punuar si gazetar, korrospondent dhe fotoreporter lufte në këtë komunë. Këto 2000 km kanë simbolikën e distancës së përshkuar prej meje, e lëvizjeve të mia nëpër 147 fshatrat e dhjetëra komunave gjatë luftës. /Anila Dushi/