E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, 4967 bebe nuk marrin shpërblimin e lindjes

Fëmijët e sapolindur, foto arkiv

4967 fëmijë në qytetin e Korçës nuk kanë marrë ende shpërblimin e lindjes. Fëmijët që nuk kanë marrë shpërblimin prej 5 mijë lekësh të reja, janë ato që kanë lindur nga tetori i vitit 2010.

Përgjegjësja e publikimeve pranë Bashkisë Korçës, Larisa Katundi, pohon se Ministria e Brendshme nuk ka derdhur fondet për dhënien e këtij shpërblimi. Sipas saj, pavarësisht raportimeve të përmuajshme që zyra e financës dhe ajo e gjendjes civile çojnë në MB, ende nuk ka patur asnjë përgjigje konkrete lidhur me çeljen e fondeve.

Ajo pohon se pranë zyrës së financës paraqiten çdo ditë prindër që interesohen për marrjen e shpërblimit, por deri më tani askush nuk ka marrë ndonjë përgjigje pozitive.

Bashkia e Korçës duhet të shlyejë rreth 24 milion lekë prindërve që kanë sjellë në jetë fëmijët e tyre prej tetorit të 2010-ës. /E.L/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›