E Shtunë, 31 Tetor 2026

2 mijë m2 truall dhuratë misionit të bamirësisë

25/02/2010 Vendim qeverie

Qeveria ka vendosur t’i dhurojë dy mijë metra katrorë truall misionit të bamirësisë “Motrat e Nënë Terezës”, që ndodhet në kryeqytet, në rrugën “Irfan Tomini”. Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e djeshme, kalimi i pronësisë do të bëhet për misionin e bamirësisë “Motrat e Nënë Terezës”, sipas dispozitave të Kodit Civil. Qeveria ngarkon Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi. Misioni i bamirësisë “Motrat e Nënë Terezës” është i pranishëm në Shqipëri prej vitit 1991. Aktualisht misioni ushtron veprimtarinë e tij në një godinë të ndërtuar mbi një truall që është në pronësi të shtetit. Qeveria arsyeton se për të shmangur zhvendosjen fizike të misionit bamirës nga ambientet, të cilat ofrojnë kushte të përshtatshme për zhvillimin e aktivitetit, vendimi parashikon dhënien në pronësi të tokës shtetërore këtij misioni. Vendimi i djeshëm vjen në vijim të pretimeve të Qeverisë dhe vetë Kryeministrit Sali Berisha për të asistuar misionin e bamirësisë, që është vendosur në Shqipëri që në fillim të viteve ’90. Ndërkohë, Qeveria ka vendosur që ky vit të quhet viti i “Nënë Terezës”, gjatë të cilit do të organizohen aktivitete të ndryshme, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›