E Diel, 1 Nëntor 2026

Paqeruajtësit shqiptarë do të rrinë deri më 30 qershor

25/02/2010 Shtyhet afati i qëndrimit të ushtarëve shqiptarë në Çad

Qeveria ka vendosur të shtyjë afatin e qëndrimit të ushtarëve shqiptarë, të cilët shërbejnë në misionin paqeruajtës në Çad. Sipas projektligjit të miratuar në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, kompania e Forcave të Armatosura, që shërben në misionin “Minurcat”, të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, do të qëndrojë deri më 30 qershor të këtij viti. Sipas projektligjit, misioni i autorizuar i kompanisë shqiptare do të jetë i njëjtë me misionin që kompania ka aktualisht: sigurimi dhe ruajtja e Shtabit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në N’Djamena, kryeqytet i Republikës së Çadit. Në këtë draft ligjor është marrë në konsideratë edhe shpërblimi që do të përfitojnë ushtarët shqiptarë. Ata ushtarë, që do të marrin pjesë në vazhdim në misionin paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara, për ditët e qëndrimit në këtë mision do të marrin veç pagës mujore, edhe një shpërblim ditor për vështirësi shërbimi, në masë të barabartë me shpërblimin ditor të ushtarakëve që marrin pjesë aktualisht në këtë mision. Në korrik 2008 kontingjenti i ushtarëve shqiptarë u dislokua në Çad. Kompania u nis në misionin paqeruajtës, pasi Qeveria shqiptare nënshkroi marrëveshjen me Bashkimin Evropian për dërgimin e trupave në ÇAD, si pjesë në misionet ushtarake të BE-së. Gjithashtu, një marrëveshje e veçantë u nënshkrua midis Shqipërisë dhe Francës për mbështetjen e trupave të Forcave tona të Armatosura në operacionet ushtarake.

Kompania

Kontingjenti përbëhet nga një efektiv prej 63 ushtarakësh, që janë pjesë e strukturave të Regjimentit Komando. Gjithsej në këtë mision angazhohen 2 rotacione me 63 ushtarakë, duke vepruar në përbërje të kontingjentit francez. Mbështetja financiare e kontingjentit sigurohet nga pala shqiptare, ndërsa mbështetjen logjistike, duke përfshirë edhe transportin strategjik për dërgimin e trupave në rajonin e operacionit, e ka realizuar pala franceze.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›