E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministrit i raportohet në detaje pas çdo mbledhjeje

25/02/2010 Ngrihet Task Forca për zbulimin e eshtrave të të ekzekutuarve gjatë komunizmit

Ngritja e Task Forcës së paralajmëruar nga Kryeministri Sali Berisha për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist, është zyrtarizuar dje. Qeveria vendosi që kjo Task Forcë, e cila do të drejtohet nga zëvendësministri i Brendshëm, do të bashkërendojë punën për identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist, për të cilët nuk dihet vendi i varrimit; identifikimin dhe zbulimin e vendndodhjeve të varreve dhe gjetjen e eshtrave, verifikimin dhe identifikimin e tyre. Sipas vendimit, Task Forca mblidhet me kërkesë të kryetarit të saj, i cili i raporton Kryeministrit me shkrim, pas çdo mbledhjeje, lidhur me ecurinë, problematikat e hasura, masat e ndërmarra dhe rezultatet konkrete të arritura. Me kërkesë të kreut të Qeverisë, kryetari i Task Forcës raporton edhe për çështje të veçanta.

Vendimi për ngritjen e një Task Force vjen si rrjedhojë e zbulimit rastësisht të një varri masiv, rreth tri javë më parë pranë fshatit Linzë, në malin e Dajtit. Eshtrat e 19 personave mendohet se i takojnë ekzekutimeve që kryheshin gjatë diktaturës komuniste në vend. Në veprimtarinë e saj Task Forca asistohet nga sekretariati teknik, i cili ka në përbërje një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit, në Ministrinë e Drejtësisë; një përfaqësues nga Drejtoria Juridike, në Ministrinë e Brendshme dhe një përfaqësues nga Policia e Shtetit. Vendimi i miratuar nga Qeveria thotë se anëtari i Task Forcës ka për detyrë të hartojë planet e masave, sipas fushës së veprimtarisë që mbulon, të bashkërendojë të gjitha veprimtaritë me institucionet e tjera, si dhe të raportojë periodikisht pranë drejtuesit të Task Forcës, lidhur me ecurinë dhe rezultatet e arritura nga institucioni që përfaqëson.

Por zbulimi i varrit masiv në malin e Dajtit shkaktoi përplasje politike mes Partisë Demokratike në pushtet dhe asaj Socialiste në opozitë. PD-ja kërkoi nga socialistët që të distancohet publikisht nga krimet e diktaturës, duke theksuar se është koha kur pasardhësit e krerëve të diktaturës të kërkojnë ndjesë për krimet e etërve të tyre, e jo t’i mbulojnë ato me shpifje. Ky reagim erdhi pasi PS-ja shigjetoi ashpër Kryeministrin Berisha në lidhje me persekutimet politike gjatë regjimit komunist, si dhe me hapjen e dosjeve. PS-ja akuzoi Kryeministrin se është përgjegjës për internimin e dy mjekëve.

Përbërja e Task Forcës

Zëvendësministri i Brendshëm

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave

Drejtori i Arkivës së Shërbimit Informativ Shtetëror

Drejtori i Arkivës së Ministrisë së Brendshme

Drejtori i Arkivit Qendror në Ministrinë e Mbrojtjes

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Nëndrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve

Nëndrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore

Kryetari i Institutit të të Përndjekurve Politikë

Ftohen përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe të institucioneve të tjera të interesuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›