E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat: Emigrantët nuk sollën aq euro sa pritej këtë vit



Bankat private në Shqipëri thonë se deri tani, sezoni turistik nuk ka sjellë në sportelet e tyre sasi të konsiderueshme eurosh, siç pati ndodhur gjatë viteve të shkuara. Kjo gjë i uli shpresat për forcim të lekut shqiptar gjatë muajve në vijim. Ekspertët e bankave shpjegojnë se tani institucionet financiare të vendit po përgatiten për rritje të kërkesës për valutë në treg, fenomen ky që shfaqet zakonisht me përfundimin e sezonit turistik. Gjatë javës së kaluar, leku pësoi luhatshmëri të fortë me tendencë të përgjithshme zhvlerësimi, por u stabilizua në fund të javës. Ekspertët thonë se zhvlerësimi i dedikohet kërkesës së lartë për valutë nga bankat, e cila u ngop vetëm pas hedhjes së një sasie valute nga Banka e Shqipërisë. Zyrtarisht BSH i bën publike ndërhyrjet në treg vetëm pas tre muajsh. Gjatë viteve të shkuara, paratë e emigrantëve shërbenin për t‘u konvertuar në depozita dhe depozitat shërbenin pastaj për kreditim në valutë të fortë. Gjatë viteve të shkuara, kthimi i emigrantëve për pushime në muajt korrik dhe gusht, si dhe numri i konsiderueshëm i turistëve nga rajoni dhe Europa, patën sjellë disa qindra milionë euro, të cilat shkaktuan edhe ofertë të tepërt në valutë të fortë. Bankat shijuan rritje të shpejtë të depozitave, pasi një pjesë e emigrantëve shfrytëzojnë periudhën e pushimeve për të depozituar kursimet e tyre në atdhe, kryesisht për shkak të interesave më të larta që ofrohen në bankat tona në krahasim me interesat mesatare të ofruara në bankat në Itali apo Greqi. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë periudhës korrik-shtator të vitit të kaluar, në Shqipëri hynë rreth 100 milionë euro neto nga shërbimet e udhëtimeve dhe rreth 200 milionë euro të tjera nga emigrantët. Gjatë vitit 2007, po në tremujorin e verës, patën hyrë 45 milionë euro neto nga turizmi dhe 250 milionë euro nga emigrantët. Për pasojë, depozitat në banka u shtuan me rreth 400 milionë euro në verën e vitit 2008 dhe rreth 280 milionë gjatë verës së vitit 2007. Si pasojë e ofertës së lartë për valutë, Banka e Shqipërisë bleu rreth 80 milionë euro në tregun e brendshëm gjatë verës së vitit 2008, duke rritur rezervën valutore ndërkombëtare të vendit tonë. Por këtë vit duket se po ndodh e kundërta.

13 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›