E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët, si i shpenzojnë paratë kur mbërrijnë në atdhe



Emanuela Sako

Emigrantët e ardhur gjatë sezonit veror kanë shpenzuar një pjesë të madhe të të ardhurave të tyre në fushën e shëndetësisë. Sipas të dhënave në klinikat shëndetësorë private dhe shtetërore, shumica e pacientëve verorë që kërkojnë kryerjen e vizitave mjekësore janë emigrantë. Ndërsa arsyeja është vetëm një, ata kërkojnë të kujdesen për gjendjen shëndetësore duke paguar më pak para. Sipas deklaratave të personave që vijnë nga jashtë vendit, thuhet se ata kryejnë vizita mjekësore të ndryshme në vend sepse kostoja është më e ulët se në vendet e tjera ku jetojnë dhe punojnë. Për më tepër, për të kryer një vizitë jashtë vendit duhet të presësh për një afat kohor që mund të zgjasë disa muaj, ndërsa në vendin tonë kjo rregullore nuk ekziston në praktikën e përditshme. Sektori më i kërkuar nga emigrantët është stomatologjia.
Emigrantët
Emigrantët pranojnë se përveç urgjencave rastet e tjera shëndetësore i ndjekin në vend. Sidomos ato që i përkasin sektorit të stomatologjisë. Sipas tyre, rregullimi i dhëmbëve në vendet ku jetojnë ka një kosto tepër të lartë, ndërsa në vendin tonë pavarësisht rritjeve të herëpashershme të tarifave janë ende më të ulëta se vendet e tjera europiane. Stomatologu, Vladimir Mboçe, thotë se shërbimi dentar në Shqipëri ofron tarifa jashtëzakonisht të ulëta, po t’i krahasosh me vendet perëndimore. Por, fluksi i emigrantëve në klinikat mjekësore është një tendencë e importuar nga vendet europiane, ku ndjekja e vazhdueshme e gjendjes shëndetësore dhe e vizitave rutinë është një gjë mjaft e rëndësishme. Prandaj, të ardhurit nga jashtë vendit për pushime në familjet e tyre, përveç investimeve indirekte në turizëm, investojnë edhe në shëndetësi.
Sezoni
Madje sezoni veror është më fitimprurësi për sistemin shëndetësor privat dhe shtetëror. Vizitat më të larta në spitale kryhen kryesisht nga emigrantët. Kjo, duke marrë parasysh numrin e lartë të emigrantëve që kanë ardhur ditët e fundit në vendin tonë. Sipas të dhënave të institucioneve doganore, në portin e Durrësit, gjatë muajit korrik dhe gusht brenda 24 orëve regjistroheshin në të paktën 5200 shtetas shqiptarë, ndërsa janë përpunuar të dhënat për 1100 mjete. Ndërkohë që në pikën kufitare të Kakavisë nga Greqia, numri i emigrantëve që vijnë për në Shqipëri shkon rreth 4000 persona në ditë. Autoritetet portuale dhe doganore, duke pasur parasysh dhe situatën në vitet e kaluara shprehen se fluksi vazhdon kryesisht deri në mesin e muajit gusht. Më pas fillon vala e parë e largimit në emigrantëve, të cilët në shtator fillojnë punën në vendet ku jetojnë.

13 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›