20 maj 2008
Mbledhja e Komisionit i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik Në mbledhjen e të tij të datës 20 maj 2008, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik u njoh dhe diskutoi korrespondencën drejtuar atij. Fillimisht, Komisioni u njoh me Projektkalendarin për Harmonizimin e kuadrit ligjor për transmetimet audiovizuale me standardet europiane , përgatitur nga këshilltari ligjor Idar Bistri, të cilin e miratoi pa vërejtje. Më pas, Kryetarja, Leskaj, njohu Komisionin me përgjigjet e ardhura nga KKRT-ja dhe Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve për problemin e antenave të operatorëve radiotelevizivë në malin e Dajtit, pas kërkesës për sqarim të situatës nga ana e tij, gjë që u la të diskutohet në një mbledhje të ardhshme. Mbledhja vazhdoi me ankesën e Shoqatës së Mediave Elektronike për shkelje të ligjit Për radion dhe televizionin në Republikën e Shqipërisë, neni 14 Për papajtueshmëritë, nga anëtari i KKRT-së, zoti Frano Kulli. Komisioni, vendosi që fillimisht tu kërkojë KKRT-së dhe KD të RTSH-së nëse anëtarët e tyre janë në respektim të këtij ligji në funksionet që kryejnë. Mbledhja vazhdoi me Kërkesën e Forumit të Mbrojtjes së Autorëve të Audiovizualit Film dhe Video për mundësinë e abrogimit të ligjit nr. 9353, dt. 3.3.2005, për prodhimet kinematografike të realizuara deri në vitin 1990, që administrohen nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, ti kalojnë për administrim këtij Forumi. Për këtë kërkesë, Komisioni fillimisht kërkoi mendimin e këshilltarit dhe të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më pas do të vendosë për diskutimin e çështjes në një mbledhje të ardhshme. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 96). Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miraton disa projektligje
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 20 maj 2008, shqyrtoi këto çështje: 1.Dëgjimi i Raportit të ERE-s për vitin 2007.
2. Shqyrtimi i projektligjit Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet R. Sh. përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave dhe Fondit Kuvaitjan për zhvillimin ekonomik arab, për financimin e projektit Mbikalimi i Durrësit dhe nyja rrugore e Vorës.
3. Shqyrtimi i projektligjit Për aderimin e R.Sh në konventën Për taksimin e automjeteve rrugore në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve. Për çështjen e parë të rendit të ditës ishin të pranishëm, Drejtori i Përgjithshëm i ERE-s, Bujar Nepravishta, përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Fation Tugu dhe Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Gjergj Bojaxhi.
Fillimisht, foli Drejtori i Përgjithshëm i ERE-s, Bujar Nepravishta. Ai i bëri një analizë objektive situatës së sektorëve publik dhe privat të energjisë elektrike, gjatë vitit 2007 dhe njëkohësisht u bënë vlerësimet përkatëse mbi mënyrën sesi është menaxhuar situata energjetike gjatë vitit të kaluar.
Zoti Nepravishta vlerësoi punën e kujdesshme dhe të vështirë të kryer nga KESH-i gjatë vitit 2007, në kushtet e një thatësire të jashtëzakonshme dhe vështirësie të madhe, për të siguruar importe të energjisë elektrike, në shfrytëzimin e rezervës hidroenergjetike, si efikase.
Ai e vlerësoi të përligjur vendimin e Bordit të ERE-s për të lënë në fuqi deri në 29 shkurt 2008, çmimet dhe tarifat ekzistuese të energjisë elektrike.
Më pas, Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Gjergj Bojaxhi tha se nga viti 2004 deri në vitin 2008, çmimet e energjisë elektrike në tregun ndërkombëtar janë dyfishuar, kurse tarifat janë minimale. Megjithë përpjekjet e KESH- it, rritja e eficiencës është e vogël, në krahasim me çmimet e energjisë elektrike në botë. Për këto dy vjet të vështirë, KESH-i ka furnizuar me përgjegjësi me energji, por kjo ka patur kosto të lartë për KESH-in. Privatizimi i sektorit të shpërndarjes së KESH-it dhe pajisja e konsumatorëve me matësa do të rrisin efikasitetin.
Në fund, u dëgjuan shpjegimet e përfaqësuesit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Ai theksoi se Ministria ka mbështetur nga ana ligjore në shkëmbimin rajonal të energjisë elektrike, për përmirësimin e performancës, për ristrukturimin e KESH-it, për projektet e reja për investime, si dhe me mbështetje buxhetore. Gjatë shqyrtimit të çështjes së dytë të rendit të ditës, ishin të pranishëm përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Marenglen Poreçi dhe Renata Teta.Ata shpjeguan se kjo marrëveshje huaje që bëhet për financimin e projektit Mbikalimi i Durrësit dhe nyja rrugore e Vorës me një vlerë prej 6 milionë dinarësh kuvaitjanë, është nënshkruar më 31.3.2008. Qëllimi i projektit është të ndikojë në rritjen e zhvillimit ekonomik, dhe shoqëror në zonat e Shqipërisë Qendrore dhe verilindore dhe të lehtësojë trafikun në segmentin rrugor Durës -Vorë. Termat e kredisë janë të përshtatshëm. Institucionet përgjegjëse për zbatimin e marrëveshjes janë Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Në përfundim të diskutimeve, deputetët u shprehën dakord në parim për kalimin e këtij projektligji, për miratim në seancë plenare. Gjatë shqyrtimit të çështjes së tretë të rendit të ditës, ishin të pranishëm përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Marenglen Poreçi dhe Renata Teta. Ata shpjeguan se aderimi në këtë konventë është një detyrim që rrjedh nga Plani Kombëtar i Zbatimit të MSA-së.
Kjo konventë ka për qëllim lehtësimin e qarkullimit të operatorëve të transportit ndërkombëtar të udhëtarëve gjatë kryerjes së shërbimeve të transportit në territoret e palëve kontraktuese.
Institucionet përgjegjëse për zbatimin e konventës janë Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Në përfundim të diskutimeve, deputetët u shprehën dakord në parim për kalimin e këtij projektligji, për miratim në seancë plenare. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 93). Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit
Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al ;
pressoffice@parlament.al ; info@parlament.al .