E Diel, 1 Nëntor 2026

24 maj 2008 - Topalli takime me Kryetarët e Parlamenteve të vendeve të KE-së, për promovimin e Shqipërisë dhe për njohjen e Kosovës.


 
Në vijim të lobimit të saj për promovimin e Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë punimeve të Konferencës të Asamblesë Parlamentare të KE-së zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme me krerë të parlamenteve, pjesëmarrës në këtë konferencë të nivelit të lartë politik.
Përmbyllja e procesit të ratifikimit të MSA-së dhe pavarësia e Kosovës ishin gjithashtu çështje thelbësore në këto takime.   Një takim të veçantë Kryetarja e Kuvendit e zhvilloi me Kryetarin e Parlamentit të Greqisë, Dimitrios Sioufas.   Bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin e marrëdhënieve politike dhe u fokusuan në zhvillimet aktuale dhe në perspektivën  europiane të rajonit.   Në takimin me Kryetarin e Parlamentit të Portugalisë, Jaime Gama, zonja Topalli u ndal në mundësitë e rritjes së bashkëpunimit mes këtyre dy vendeve të Mesdheut, por edhe në kuadrin e bashkëpunimit të iniciativës së Barcelonës dhe Asamblesë së EuroMed-it, ku Shqipëria pritet të bëhet anëtare së shpejti. Ju siguroj, tha zoti Gama, se menjëherë në seancën e 30 majit do të kalojmë në Parlament ratifikimin e MSA-së Shqipëri-BE. Ne mbështesim aspiratën dhe perspektivën tuaj euro-atlantike.   Qipro është një nga vendet e pakta që ende nuk kanë ratifikuar MSA-në Shqipëri-BE, ndaj dhe zonja Topalli i kushtoi një vëmendje të veçantë takimit me Kryetarin e Parlamentit të këtij vendi, Marios Garoyan. Në këtë takim, zoti Garoyan tha se do ta shohë me përparësi çështjen e ratifikimit të MSA-së nga Parlamenti i Qipros.   Një vend të veçantë në takimet e zonjës Topalli zuri edhe çështja e Kosovës.   Në takimin me Kryetarin e Senatit të Meksikës, Santiago Creel Miranda, si një ndër vendet më të rëndësishme të Amerikës Latine dhe me influencë në vendet e kësaj zone, biseda u përqendrua në njohjen e pavarësisë së Kosovës.   Një takim i përzemërt ishte edhe ai me Kryetarin e Senatit të Spanjës Javier Rojo Garcia.   Ballkani, tha zonja Topalli po përjeton një realitet të ri, në paqe dhe stabilitetit, orientuar drejt perspektivës europiane.
Kosova, vijoi ajo, ishte një rast unik dhe e vetmja zgjidhje për stabilitetin e Ballkanit ishte pavarësia e saj.   Në këto takime u bisedua gjerësisht mbi forcimin e bashkëpunimit në një prizëm të ri më dinamik.   Si zoti Miranda, ashtu edhe zoti Garcia ftuan zonjën Topalli për një vizitë zyrtare në vendet e tyre, me qëllim konkretizimin e bashkëpunimit dy dhe shumëpalësh.   Një tjetër takim i rëndësishëm ishte ai me  Kryetaren e parlamentit hungarez Katalin Szili. Dy Kryetaret u shprehën të kënaqura për bashkëpunimin e deritanishëm dhe diskutuan për nisjen e projekteve të reja në kuadër të BE-së.     Një tjetër Kryetare Parlamenti, ajo e Estonisë, Ene Ergma në takimin me zonjën Topalli tha se: "Ne do të mbështesim Shqipërinë dhe të gjitha vendet që aspirojnë të integrohen në Bashkimin Europian, sepse ne e dimë se çdo të thotë liri dhe aspiratë europiane". Zonja Topalli falënderoi zonjën Ergma për kontributin dhe ndihmën që Estonia i ka dhënë Shqipërisë, me ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, procesit të integrimit në NATO dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Biseda u përqëndrua edhe në eksperiencën e Estonisë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe përfitimit që mund të ketë Shqipëria nga kjo eksperiencë.   Mirënjohje për mbështetjen e dhënë, Kryetarja e Kuvendit Topalli i shprehu edhe Kryetarit të Parlamentit të Belgjikës, Herman van Rompuy, një ndër mbështetësit më të mirë të pavarësisë së Kosovës Ju bëj urimet më të mira, tha Zoti Rompuy, për gjithë punë tuaj si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Ai foli me optimizëm për të ardhmen e Kosovës dhe shprehu angazhimin për të vazhduar mbështetjen që vendi i tij do i japë këtij shtetit të ri. Dëshirojmë të shohim Shqipërinë sa më shpejt anëtare të BE-së Kështu u shpreh   Kryetari i Parlamentit të Suedisë Per Uesterberg, në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Topalli. Marrja e ftesës për në NATO ishte një inkurajim në rrugën tonë, tha zonja Topalli. Marrja e kësaj ftese do të shkurtojë rrugën tonë për në BE.   Një prezantim të shkurtër të zhvillimeve në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit bëri edhe në takimet e veçanta që zhvilloi me Kryetarin e Parlamentit të Finlandës, Sauli Niniso, Kryetarin e Parlamentit të Islandës, Sturla Bodvarsson, si dhe me Kryetarin e Parlamentit të Norvegjisë Thorbjorn Jagland. Në këto takime biseda u fokusua në rritjen e bashkëpunimit, forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe vitalizimin e shkëmbimeve parlamentare. Nga ana e tyre, Kryetarët e Parlamenteve folën me admirim për transformimet, që Shqipëria ka pasur në këto kohë.   Ndërsa në takimin me Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapic, u diskutua gjerësisht mbi bashkëpunimin rajonal. Zonja Topalli dhe zoti Krivokapic ndanë mendimin se në realitetin e ri ballkanik, bashkëpunimi dy dhe shumëpalësh mes vendeve të Ballkanit po bëhet gjithnjë e më i natyrshëm, kjo edhe në shërbim të objektivave të përbashkëta integruese.   Një takim i një dimensioni të rëndësishëm ishte edhe ai me Zëvendësekretaren e Përgjithshme të KE-së, Maud de Boer Buquicchio, e njohur për angazhimin e saj në mbrojtje të të drejtave të grave dhe fëmijëve. Bashkëbisedueset diskutuan mbi respektimin e të drejtave të njeriut, mbi vlerat e KE-së dhe mbi mundësinë e bashkëpunimit për të afruar Parlamentin me qytetarët.   Zonja Topalli e njohu zonjën Buquicchio me nismat e Kuvendit të Shqipërisë për mbrojtjen e gruas dhe fëmijëve dhe me angazhimin për  rritjen e dimensionit social të Kuvendit.  

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›