24 maj 2008 - Topalli- Fini: Raportet mes dy vendeve tona do të jenë edhe më dinamike.
Italia dhe Shqipëria kanë marrëdhënie shumë të mira, por ekzistojnë të gjitha mundësitë për tu përmirësuar edhe më tej, theksoi Kryetari i Parlamentit Italian, Gianfranco Fini në takimin me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli
Zonja Topalli i bëri urimet më të mira Kryetarit të ri të Parlametit Italian, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi mes dy parlamenteve dhe dy vendeve fqinje do të njohë një dinamizëm të ri.
Biseda miqësore u fokusua në zhvillimet më të fundit në Itali dhe Shqipëri. Kryetarja e Kuvendit Topalli bëri një prezantim të shkurtër të ecurisë së reformave dhe proceseve integruese.
Duke u ndalur më tej në situatën në rajon, Kryetarja Topalli tha se me pavarësinë e Kosovës dhe me Samitin e Bukureshtit, Ballkani përjetoi ngjarje historike. Shqipëria, vijoi ajo, po lobon për njohjen e shtetit të ri të Kosovës.
Do të ishte kënaqësi, tha zonja Topalli, tju prisja në një vizitë tuajën në Shqipëri, për të nxitur edhe më tej bashkëpunimin dypalësh.
Pas takimit, zoti Fini dhe zonja Topalli iu përgjigjën interesit të medias:
Gianfranco Fini: Dy vendet tona kanë tashmë marrëdhënie shumë të mira, por ekzistojnë të gjitha mundësitë për tu përmirësuar edhe më tej, jo thjesht për afërsinë gjeografike, por për gjithçka që lidh dy vendet: për kulturën, për ekonominë, për interesin e përbashkët në Mesdhe, për ti çuar më tej e për ta bërë më të afërt bashkëpunimin. Unë pranova ftesën që më bëri zonja Topalli dhe do të vij shumë shpejt në Shqipëri për të takuar shumë miq, duke nisur nga Kryeministri Berisha, si dhe për tu njohur me zhvillimet në Shqipëri.
Jozefina Topalli: Për mua është kënaqësi që presidenti Fini pranoi ftesën për të ardhur në Shqipëri. I bëra urimet më të mira për zgjedhjen në krye të Parlamentit italian. Unë besoj se me zotin Fini në krye të Parlamentit të Italisë, raportet dhe marrëdhëniet mes dy vendeve tona do të jenë edhe më dinamike dhe, natyrisht, do të ketë një ndikim direkt për ti çuar edhe më tej, marrëdhëniet ekonomike, shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimin në fusha të tjera.