21 maj 2008 - Kryetarja e Kuvendit në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, do të marrë pjesë në Konferencën Evropiane të Kryetarëve të Parlamenteve, që do të zhvillohet në Selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, në datat 22-23 maj 2008. Kjo Konferencë politike, më e rëndësishmja e këtij lloji, do të trajtojë dy sfidat kryesorë të së ardhmes së Evropës: gjetjen e rrugëve më të mira për të afruar shoqërinë civile më pranë jetës politike të kombeve, si edhe përfshirjen e vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe të shtetit ligjor në politikat e përditshme në nivel kombëtar dhe atë evropian. Në këtë Konferencë, ku do të jenë të pranishëm 47 kryetarët e Parlamenteve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, janë të ftuar edhe kryetarët e Parlamenteve me statusin e vëzhguesit pranë Asamblesë Parlamentare të KE-së (Kanada, Izrael, Meksikë) si edhe të Asambleve Parlamentare Ndërkombëtare( OSBE, IPU, NATO, PABSEK, CEI etj).
Ndër pesë kryeparlamentarët, që organizatorët e kësaj konference kanë përzgjedhur për të mbajtur referatet kryesore të kësaj konference, është edhe kryeparlamentarja shqiptare Jozefina Topalli, e cila në fjalën e saj do të trajtojë progresin, sfidat dhe angazhimin e gjithë faktorëve të politikës shqiptare në perspektivën evropiane të Shqipërisë. Gjatë ditëve të zhvillimit të kësaj konference, Kryetarja Topalli pritet të zhvillojë takime të rëndësishme, të veçanta, me homologët e saj të vendeve të Bashkimit Evropian e më gjerë.