E Shtunë, 31 Tetor 2026

24 maj 2008 - Terry Davis : Jam shumë i impresionuar nga progresi në Shqipëri

"Jam shumë i impresionuar nga progresi i bërë në Shqipëri dhe jam i kënaqur që gjithçka po shkon shumë mirë, mbi të gjitha për klimën politike e cila ka ndryshuar pozitivisht Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Terry Davis pas takimit me Kryetaren e  Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në Strasburg.   Gjatë bisedës në takim, Kryetarja Topalli e njohu zotin Davis me zhvillimet e fundit në Shqipëri, me reformat politike, ekonomike dhe sociale të bëra.   Në një klimë shumë të mirë konsensusi të gjerë, së fundmi në Parlamet u miratua një paketë ndryshimesh kushtetuese, të cilat zgjidhin një sërë ngërçesh institucionale dhe i japin vendit më shumë stabilitet, tha zonja Topalli. Reformat ekonomike, vijoi ajo, kanë sjellë një stabilitet makroekonomik, një rritje ekonomike prej 6 për qind dhe një inflacion nën 5 për qind dhe, interesi i investitorëve ka ardhur gjithnjë në rritje.
 
Nga ana e tij zoti Davis vlerësoi bashkëpunimin mes forcave politike në Parlament, përmes një klime që i shërben ecjes përpara të vendit.   Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO, vijoi zonja Topalli, ishte për Shqipërinë një ngjarje e madhe dhe rezultat i reformave të arritura. Po ashtu, ne shpresojmë të përmbyllim fazën e ratifikimit të MSA-së Shqipëri-BE dhe brenda këtij viti të kërkojmë statusin e vendit kandidat për anëtarësim.   Zonja Topalli e ftoi zotin Davis për një vizitë në Shqipëri, ftesë që u prit më shumë kënaqësi nga Sekretari i Përgjithshëm i KE-së.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›