E Diel, 1 Nëntor 2026

20 për qind e bizneseve, me marka

Biznesi vendas është shumë pak i interesuar për të regjistruar markat tregtare.  Edhe pse  është miratuar ligji për pronësinë intelektuale, biznesi duket indiferent për të përfituar nga kjo situatë. Drejtori i Përgjithshëm i Patentave  dhe Markave, Safet Sula, 

tha se një pjesë e konsiderueshme e bizneseve ngurrojnë të regjistrojnë markat e produkteve apo shërbimeve që ata ofrojnë, edhe pse tarifa për këtë është e papërfillshme. Ndër të tjera Sula u shpreh se ende biznesi nuk është ndërgjegjësuar për domosdoshmërinë e regjistrimit të markës. Gati 80 për qind e markave tregtare të regjistruara në Shqipëri janë të huaja dhe vetëm 20 për qind janë vendase. Marka tregtare ofron mbrojtje ligjore për biznesin që e ka atë, pasi ndalon kopjimin apo përdorimin e saj nga të tjerët. Regjistrimi i një marke bëhet për 10 vjet, ndërsa për patentë bëhet ripërtëritje çdo vit. Kërkesa për të regjistruar një markë mund të bëhet nga një person fizik ose juridik. Ligji detyron Drejtorinë e Përgjithshme të Patentave dhe Markave që brenda tre muajve nga data e aplikimit ta shqyrtojë atë e të japë një vendim përfundimtar nëse është brenda ligjit dhe rregullores përkatëse.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›