E Diel, 1 Nëntor 2026

20 rulota me turistë italian, udhëtim nëpër Shqipëri

Autori i Lajmit: red.
36 turistë italianë me automjete - kampera, kanë ndaluar ditën e djeshme në qytetin e Durrësit. Turistët që vijnë nga qytete të ndryshme të vendit fqinj, kanë nisur që prej disa ditësh një vizitë turistike nëpër Shqipëri. Vendimi për të vizituar Shqipërinë duket se ka qenë dëshira për të shuar kërshërinë e lindur nga tregimet e një qytetari shqiptar, aktualisht me banim në Itali. Turistët italianë janë pritur në mjediset e Bashkisë së qytetit të Durrësit nga kryebashkiaku Vangjush Dako, i cili, pasi vlerësoi vizitën e miqve nga Italia, prezantoi disa nga vlerat e qytetit bregdetar. Kryebashkiaku Dako e ka cilësuar një eksperiencë të mirë për turizmin, që fare mirë mund të pasohej me krijim të kushteve për organizime të tilla dhe në vendin tonë. Gjatë takimit vizitorët ndoqën dokumentarin televiziv “Kartolina nga Durrësi dhe Kruja”, ndërsa më pas vizituan disa nga pikat historike dhe muzeun arkeologjik. Turistët italianë janë anëtarë të shoqatës “Camper Club” me qender në Bolonja dhe gjatë këtyre ditëve kanë vizituar qytetet e Shkodrës, Lezhës, Beratit dhe Krujës. Gjatë udhëtimeve të tyre turistike ata shfrytëzojnë si vend fjetjeje automjetet e tyre të posaçme “kampera”. Turi i tyre do të vazhdojë në qytetet e jugut të vendit tonë.
Ky lajm është publikuar: 20/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›