Monumentet arkeologjike të Durrësit, kuriozitet për të huajt
Autori i Lajmit: red.
Kjo kullë e ngritur në krah të monumentit të Mujo Ulqinakut ndodhet shumë pranë detit. Për nga koha e ndërtimit dhe teknika e përdorur është tipike veneciane e shekullit XV, kohë në të cilën venedikasit qeverisnin qytetin. Monumenti ndodhet përballë hyrjes së portit detar dhe është objekti i parë muzeal me të cilin ndeshen vizitorët e huaj që mbërrijnë me anije turistike krocera. Diametri i saj është 16 metra dhe lartësia 9.10 metra. Ajo përbëhet nga një kat i vetëm, që është i pajisur me pesë frëngji topash. Një shkallare e lartë të çon në tarracën me bedena nga ku soditet mjaft këndshëm deti. Pjesa më e madhe e mureve që ndeshen ngjitur me kullën veneciane u takojnë shekujve IV-VI të erës sonë kur qyteti u rifortifikua për t i bërë ballë dyndjes së barbarëve.
Hamami mesjetar
Mendohet se është ndërtuar në shek. XVIII në periudhën e pushtimit turk. Përbëhet prej tre mjedisesh. Në qendër ndodhet mjedisi i zhveshjes dhe dhoma mbulohet nga një kupolë sferike (origjinalja është prishur), e cila ka lartësi 5.80 metra nga dyshemeja. Në mesin e gjysmësferës janë vendosur 12 dritare shumë të vogla. Dyshemetë e dhomave të tjera ngroheshin me avull nëpërmjet tubacionesh që dilnin nga furra, që ndodhet në anën e prapme të banjës. Nga furra dalin pesë degëzime tubash qeramike. Hamami është restauruar në fund të viteve 1980. Muajt e fundit ai është restauruar falë nismës së Shoqatës së Biznesit të Rrugës Tregtare.
Amfiteatri antik
Është monumenti më i rëndësishëm i Durrësit, i vendosur krejt në qendër të lagjes më të vjetër dhe i rrethuar nga shtëpitë e banorëve. Ai u zbulua nga arkeologu i mirënjohur durrsak, Vangjel Toçi, në vitin 1966 dhe është një nga më të mëdhenjtë në Ballkan. Ai është ndërtuar në shek. I-II pas Krishtit, në kohën e perandorit romak Adrian. Pas fushatave të viteve 1966-1970 në amfiteatër, gjatë katër viteve të fundit janë kryer fushata gërmimesh arkeologjike verore me përfundime të rëndësishme. Galeritë e amfiteatrit janë shfrytëzuar disa herë si vende ekspozitash arkeologjike, ndërsa në vitin 2004 janë organizuar disa spektakle artistike. Rrënimi i amfiteatrit ka nisur në shekullin V, kohë në të cilën perandorët, tashmë të krishterë, i ndaluan ndeshjet vdekjeprurëse të gladiatorëve.
Forumi rrethor
Amfiteatri ndodhet ngjitur me qendrën e re të qytetit, pranë së cilës ndodhen edhe disa monumente të tjera. Pranë teatrit "Aleksandër Moisiu" në vitet 1987-1990 është zbuluar forumi rrethor mesjetar (shek. V pas Krishtit), i njohur si "rotonda". Forumi ka qenë i ndërtuar në formën e një portiku rrethor në mesin e të cilit gjendet një pjesë më e ngritur. Vetë portiku me diametër 40 metra është i shtruar pjesërisht me pllaka. Duket se përveç aktiviteteve tregtare në këtë shesh zhvilloheshin panaire, tubime të banorëve, etj. Mendohet që tregu të ketë funksionuar si i tillë deri në shekullin VII. Edhe në këtë hapësirë që nga viti 2003 zhvillohen veprimtari të ndryshme koncertore e poetike.
Termat
Në afërsi të teatrit "Aleksandër Moisiu" ndodhen edhe termat e periudhës romake. Nga pjesa e tyre e ruajtur mund të dallohet "caldarium" (salla me ujë të nxehtë) dhe "piscina", e cila është e shtruar me pllaka mermeri të zi dhe të bardhë, të kombinuara në formë gurësh shahu. Termat kanë pasur edhe ambiente të tjera: apodyterium (salla e zhveshjes), tepidarium (salla me ujë të vakët), frigidarium (salla me ujë të ftohtë).
Pusi i Tophanesë
Ndodhet pranë rrugës "Aleksandër Goga", pas godinës së Gjykatës së Shkallës së Parë, 200 metra larg qendrës së qytetit. Eshtë restauruar nga Atelieja e Monumenteve në vitin 2005. Për fat të keq, ai nuk shihet më nga rruga për shkak të zgjerimit të godinës së Prokurorisë së Rrethit. Monumenti mesjetar, i cili për disa shekuj me radhë kishte shërbyer si burim uji për lagjet qendrore të Durrësit, dallohet për kolonat dhe pjesët e pusit që janë rivendosur në hapësirën prej 25 metrash katrore. Sipas historianëve, pusi mesjetar i ka shërbyer më parë një punishteje për prodhimin e barutit, çka i dha emrin "Top- Hane".
Xhamia “Fatih”
Xhamia është ndërtuar në rrënojat e një bazilike mesjetare të krishterë, e cila përbëhet nga salla e lutjeve, me një plan drejtkëndësh, e mbuluar me çati druri, që ndjek në përgjithësi linjat e mureve anësore të bazilikës. Portiku dhe minarja datojnë të një periudhe më të vonë. Xhamia "Fatih" nga banorët quhet ndryshe edhe “Xhamia e vogël”. Mendohet të jetë ndërtuar në vitet 1502-1503, si një nga ndërtimet e para pas pushtimit osman. Duke qenë i lehtë nga pikëpamja e ndërtimit, ky tip ishte i mundshëm për ndërtesat e cilësdo qendre qyteti apo fshati.
Shtëpia-muze "Aleksandër Moisiu"
Shtëpia e Aleksandër Moisiut është përuruar si shtëpi-muze në shtator 1982. Këtu ka kaluar fëmijërinë e tij aktori me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu, në vitet 1884-1889, ku ka kryer dhe vitet e shkollës fillore. Në dy dhoma shpalosen në stenda biografia e tij familjare e artistike bazuar në dokumente autentike, kurse në dhomën e dytë paraqiten vepra arti të krijuesve vendas për figurën e aktorit të madh. Në Durrës ka dhe kosovarë dhe çamë të shpërngulur, që kanë ruajtur tradita të veçanta etnografike e folklorike.
Muzeu Arkeologjik
Muzeu Arkeologjik ndodhet përballë shëtitores kryesore të qytetit, e cila mban emrin "Taulantia" dhe është përuruar më 13 prill 2002. Muzeu i ri ka rreth 2000 objekte të ekspozuara dhe të klasifikuara sipas kronologjisë së zhvillimit të qytetit që nga periudha arkaike deri në mesjetën e hershme. Nëntoka e Durrësit, duke qenë se qyteti aktual është i ngritur tërësisht mbi të vjetrin, është një burim i vazhdueshëm zbulimesh të reja dhe për këtë arsye është shpallur muze dhe mbrohet me ligj të veçantë.
Ky lajm është publikuar: 20/05/2008