20 shkurti, kur shqiptarët tërhoqën zvarrë diktaturën
Prej dy ditësh studentët e Universitetit të Tiranës kishin hyrë në grevë urie. Ishte data 18 shkurt dhe sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSH, Ramiz Alia, me një dekret të veçantë, në janarin e vitit 1991, vetëm pak ditë pasi kishin kaluar festat e fundvitit, ndalonte mediet dhe njerëzit të preknin simbolet e komunizmit. Pluralizmi dhe krijimi i Partisë Demokratike në dhjetorin e ‘90, dukej ende si diçka e pabesueshme.
Fillimi i Lëvizjes
Fillimi i shkurtit ishte i ftohtë për Tiranën. Studentët, ende pa u shuar jehona e ndryshimeve politike që kishin ndërmarrë vetëm dy muaj më parë, tashmë kërkonin që emri i Enver Hoxhës të hiqej nga universiteti i tyre. Ata nuk donin që të quheshin “Studentë të Enverit”. Duhej të ishte data 12 apo 13 shkurt, kur studentët, pas disa kërkesave drejtuar qeverisë së atëhershme, vendosën të bojkotonin mësimin dhe të mblidheshin në vendin ku ata kishin filluar protestat e Dhjetorit që më pas do të merrte emrin sheshi “Demokracia”.
Eksponentë të PD, Azem Hajdari asokohe dhe student, Arben Imami, Eduard Selami, Neritan Ceka, por edhe kreu aktual, Sali Berisha, vinin herëpashere në mbështetje të studentëve, megjithëse krahasuar me ngjarjet e dhjetorit 1990, në shkurt të vitit 1991, pjesëmarrja e tyre nëpër foltore ishte më e paktë. Folësit kërkonin të njëjtën gjë, emri i njeriut që kishte mbajtur vendin për afro gjysmë shekulli nën diktaturë, të hiqej nga universiteti i tyre. Një kërkesë kjo, po aq politike, sa edhe kërkesa për pluralizmin. Rituali i protestave do të vazhdonte dhe në ditët më pas. Studentët mblidheshin rreth orës dhjetë në sheshin e Qytetit Studenti, protestonin dhe kërkonin të njëjtën gjë. Enver Hoxha nuk duhej të ishte më simboli i universitetit të tyre.
Protestat
Pas disa ditësh proteste, më datën 17 shkurt, mes protestuesve u lajmërua një grevë urie për plotësimin e kërkesave të tyre. Nga ana e qeverisë së asaj kohe vazhdohej me deklarata boshe, sipas të cilave emri i Enver Hoxhës “ishte i lidhur thellë me historinë e partisë dhe të vendit”. Pra, bisha komuniste, megjithëse në grahmat e fundit, nuk pranonte të braktiste simbolin e saj. Thirrjes së studentëve për t’u bashkuar me idealin e tyre, iu bashkuan dhe mijëra qytetarë të Tiranës. Lista e atyre që kërkonin të hynin në grevë urie ishte tepër e gjatë, dhe në fund u vendos që shumë nga studentët pjesëmarrës në protestë, por edhe disa nga iniciatorët e tyre, ta mbështesnin grevën nga jashtë. Hija e diktaturës, e frikshme dhe kërcënuese, qëndronte ende prezent. Me një urdhër të ish-ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai, ishin përforcuar forcat policore dhe që prej nisjes së protestave forcat speciale dhe ushtria patrullonin 24 orë në rrugët e Tiranës.
Greva
Greva e urisë duhet të ketë filluar rreth orës 11 të datës 18 shkurt dhe nga të gjitha hyrjet e Qytetit Studenti shiheshin qytetarë të Tiranës, të të gjitha shtresave që vinin pareshtur në mbrojtje të studentëve. Sindikatat e sapokrijuara në atë kohë kishin bërë thirrje që punëtorët të braktisnin punën dhe të bashkoheshin me studentët. Megjithëse nën kërcënimin e drejtorëve komunistë të ndërmarrjeve dhe megjithëse rrezikonin seriozisht të humbisnin vendet e punës, për dy ditë rresht, me mijëra qytetarë të Tiranës, punëtorë dhe intelektualë, ndenjën 24 orë rreth godinës së Kinoklubit në Qytetin Studenti, duke e kthyer këtë të fundit në strehën më të sigurt për ta. Orët kalonin dhe qeveria komuniste e drejtuar nga Ramiz Alia nuk lëshonte terren për ndryshimin e emrit. Në hyrje të Qytetit Studenti dalloheshin qartë makinat e policisë, por askujt nuk i shkonte ndërmend se pas tyre qëndronin autoblindat dhe tanket e ushtrisë.
Mëngjesi i 20 shkurtit
Pas dy ditësh në grevë urie, gjendja e disa prej studentëve po përkeqësohej. Jashtë thirrjet për rrëzimin e diktaturës nuk reshtnin. Duhej të ishte ora 10.00 e paradites, kur një grup grash të një ndërmarrjeje veshjesh filluan të bënin thirrje për të dalë në qendër të qytetit, dhe pse jo për të hyrë në ambientet e ish-“Bllokut”. Nisja e tyre përpara dhe sjellja brutale e policisë në rrugën e Elbasanit përballë Fakultetit të Histori-Filologjisë do irritonte dhjetëra-mijëra qytetarët e tjerë që ishin mbledhur te kinoklubi i Qytetit Studenti. Atëherë, turma mori rrugën për andej nga ishte nisur në fillim dhe grupi i vogël i atyre grave. Policia nuk bëri rezistencë, derisa turma po kalonte përballë Liceut Artistik. Në atë moment, rreth gjysmë ore pas nisjes së parë, një makinë policie e blinduar do të kalonte me shpejtësi marramendëse në mes të turmës duke rrezikuar seriozisht jetën e protestuesve. Më pas, nga rruga e ambasadës franceze, si dhe nga rruga e që të çon te TVSH do shiheshin forcat e policisë që me shkopinj gome dhe lopata xheniere lëshoheshin drejt protestuesve. Për një moment u krijua një situatë kaosi. Grupi i parë protestuesve u ndodh mes dy zjarreve, ndërkohë që paniku i fillimit bëri që të zmbrapsej për disa minuta dhe pjesa tjetër e turmës. Të ndodhur në këtë situatë, protestuesit fillimisht u strehuan në shtëpitë e banorëve aty pranë, derisa një thirrje bëri që pjesa tjetër e turmës të zmbrapste policinë duke e qëlluar me ç’të gjente…. Në këto kushte, forcat policore u tërhoqën përsëri dhe u pozicionuan përballë Radiotelevizionit, ku fillonte dhe hyrja për në “Bllokun” e udhëheqjes.
Rrugës për në qendër
Bisha e frikësuar ishte strehuar në atë që për 45 vjet kishte qenë oazi i saj, vendi i sa e sa intrigave të përgjakshme që luheshin në kurriz të këtij populli, tek ish-“Blloku”. Nga ana tjetër dhe policia duke parë fuqinë e asaj turme u dorëzua dhe i la rrugë të lirë protestuesve drejt qendrës, atje ku për më shumë se 5-6 vjet qëndronte busti i diktatorit. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, që tek ura e madhe dhe deri tek universiteti ishte bllokuar nga autoblindat dhe tanket e ushtrisë. Në rast se turma do të tentonte të hynte në ambientet e ish-“Bllokut” të udhëheqjes, atëherë nuk dihej se çfarë do të ndodhte. Ishte ora rreth 13 e pasdites dhe pas ditëve të ftohta kishte dalë një diell i ngrohtë dhe i pazakonte për atë fund shkurti. Hyrja për në sheshin “Skënderbej” ishte e lirë, por busti i diktatorit ishte rrethuar nga forca të shumta policore. Por ato sikur u bënë të padukshme për atë masë njerëzish që kërkonin të derdhnin urrejtjen e tyre mbi atë shtatore të atij njeriu të urryer. Nga ana tjetër, një grup gazetarësh të TVSH dhe teknikësh, në kundërshtim me urdhrat e udhëheqjes, kishin hyrë në transmetim dhe po transmetonin direkt atë çka po ndodhte, pra këtë ngjarje të madhe po e shihte e gjithë Shqipëria, ashtu siç po ndodhte.
Rrëzimi i bustit
Sulmi i parë i turmës do të zmbrapsej nga forcat e policisë, të cilët u lëshuan drejt protestuesve me shkopinj gome, qen, zjarrfikës dhe bomba me gaz lotsjellës. Por ama vetëm aq, dhe një tentativë e fundit e disa prej policëve, të cilët qëlluan me armë sërish nuk mundën ta përballojnë turmën. Pas rrethimit nga ana e protestuesve, disa persona shkuan drejt një makine aty pranë dhe sajuan një kavo. Një djalë, i cili mbante veshur një palë pantallona jeshile dhe bluzë me vija, banues në Tiranë, e ngritën lart dhe arriti të vendoste kavon te dora pas shpine e bustit të diktatorit. Në këtë moment policia sulmon sërish, dhe turma zmbrapset për pak sekonda, ndërsa djaloshi qëndronte varur në ajër me njërën dorë atje ku kishte vendosur kavon, me të cilën do bëhej hedhja e bustit. Ishin pamje të rralla, që çdokush që i ka parë, zor se mund t’i shkulen nga kujtesa. Për disa sekonda djali qëndronte atje lart me njërën dorë dhe me dorën tjetër mundohej të qëllonte policinë me pjesën tjetër të kavos. Në këtë kohë turma organizohet sërish, dhe zmbraps sërish policinë. Shumë prej tyre filluan të tërhiqnin kavon, ndërsa të tjerët shikonin me ankth atë që po ndodhte. Busti filloi të lëkundej, ashtu siç kishte filluar të lëkundej nga themelet i gjithë ai sistem që kishte mbajtur këtë popull nën diktaturë për 50 vjet. Lëkundja e parë, e dytë, e tretë, e katërt…… busti anohet dhe qëndron për disa sekonda pezull nga ana e veriut si për t’i dhënë njerëzve kohë të shpërndahen…. Një tërheqje e fundit dhe më në fund diktatori ishte nën këmbët tona.
Një helikopter kaloi mbi kokat e protestuesve, bëri dy-tri rrotullime si kërcënim i fundit nga ai shtet gjakatar dhe më pas u largua në drejtim të veriut. Njerëzit ndërkohë kishin filluar të brohorisnin, nën këmbët e tyre qëndronte shtrirë diktatori si shpagim i krimeve që kishte bërë në aq vjet. Policia ishte larguar dhe protestuesit morën një nga automjetet ushtrisë, e lidhën diktatorin pas saj me të njëjtën kavo që e kishin rrëzuar dhe e tërhoqën zvarrë nëpër Tiranë duke e sharë dhe pështyrë, për ta dërguar te studentët që akoma qëndronin në grevë urie. Këta të fundit ende nuk arrinin ta besonin që busti i diktatorit ishte rrëzuar, derisa qytetarët ua dërguan përpara kinoklubit.
E keqja ishte nën këmbët e tyre, ndërsa festa sapo kishte filluar…..
20 shkurti ka një domethënie të madhe për këtë vend, dhe jo vetëm sepse është dita kur njerëzit e treguan hapur urrejtjen e tyre për diktaturën. Ata nuk tërhoqën zvarrë vetëm një bust, tërhoqën me përçmim zvarrë një ideologji të tërë, tërhoqën zvarrë nëpër rrugët e këtij qyteti atë kob të zi që na kishte zënë derën dhe që për shumë vite kanë qenë të detyruar t’i thurin lavde. Ishte dita, kur komunizmi kuptoi qartë sesa i tepërt dhe i lodhshëm kishte qenë në jetët e këtyre njerëzve. Prandaj të gjithë ata që kanë qenë protagonistë të atyre ditëve janë pjesë e historisë së këtij kombi.
20 shkurti do na kujtojë përherë se si shqiptarët tërhoqën zvarrë të keqen.