20 të shoqëruar për vrasjen te Shkëmbi Kavajës

Drejtoria e Policisë Durrës
Rreth vrasjes së kryer policia ka njoftuar se për vrasjen e Elvis Dedajt, 36 vjeç, janë shoqëruar 20 persona. Sipas deklaratës zyrtare, me marrjen dijeni për faktin, në vend janë dërguar në mënyrë të menjëhershme shërbime Policie të cilat kanë kryer një sërë veprimesh të cilat lidhen me identifikimin e viktimës, përcaktimin, ruajtjen dhe menaxhimin e vendit të ngjarjes, ngritjen e pikave të kontrollit në disa zona të qytetit si dhe nyjet që lidhin Durrësin me rrethet fqinje, kryerjen e veprimeve të para në vendin e ngjarjes, verifikimin e personalitetit të viktimës dhe punën hetimore në drejtim të zbardhjes së ngjarjes e identifikimit të autorëve.
Në ndjekje të këtyre detyrave, brenda një kohe të shkurtër shërbimet e terrenit konstatuan të sapo djegur në afërsi të fshatit Arapaj, pranë rrugës së vjetër Durrës-Tiranë një automjet fuoristradë, i cili mendohet të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes për tu larguar. Policia ka bërë ndërkohë krehje e zonës përreth dhe verifikime të shumta. Gjate këqyrjes viktimës iu gjend në brez një pistoletë tip Glock me kaliber 9 mm me 7 copë fisheke dhe një thikë.
Sipas policisë, lidhur me këtë ngjarje janë shoqëruar e pyetur në ambientet policore 20 shtetas, ndërkohë që verifikimet në këtë drejtim vazhdojnë. /M.Brunga/