20 të vdekur nga një stuhi në Pekin

Reshjet më të dendura të shiut në 60 vjet kanë shkaktuar të paktën 20 viktima dhe kanë bllokuar me mijëra persona në aeroportin kryesor të kryeqytetit kinez, Pekin.
Stuhia goditi kryeqytetin në orët e vona të së shtunës dhe gjatë natës rrugët kryesore u përmbytën, duke ndërprerë komunikimin e disa lagjeve me pjesën tjetër të qytetit.
Shembjet e çative, rrufetë dhe energjia elektrike nga shtyllat e rrëzuara ishin midis arsyeve që shkaktuan viktima.
Ndërkohë, mbi 500 fluturime u anuluan në aeroportin kryesor.
Aktualisht, shërbimet e urgjencës civile janë duke i ardhur në ndihmë të bllokuarve dhe mijëra të mbeturve të pastrehë.
Sipas medies shtetërore, përmbytjet dhe shkarjet e dheut u bënë përgjegjëse edhe për vdekjen e katër personave në krahinën Shanxi dhe të gjashtë të tjerëve në veriperëndim të Sichuanit.
Zyrtarisht, numri i të shpërngulurve vlerësohet të jetë mbi 14 mijë persona.