20 të vrarë e 100 të plagosur në Egjipt

Protesta ne Kajro / Foto Corriere della Sera
Mendohet të jetë rreth 20 numri i viktimave, ndërsa rreth 100 të tjerë të plagosur, gjatë përleshjeve mes protestuesve dhe një grupi të panjohur agresorësh, ditën e djeshme, në Kajro, Egjipt.
Ngjarja ndodhi gjatë një proteste në afërsi të Ministrisë së Mbrojtjes. Numri i viktimave dhe të plagosurve është bërë i ditur nga burime spitalore dhe agjenci ndërkombëtare të lajmeve, por për autoritetet egjiptiane, të vrarët janë vetëm 11.
Dhuna ka shpërthyer mëngjesin e së mërkurës, kur një grup personash të armatosur kanë sulmuar qindra protestues, të cilët prej ditësh kanë dalë në shesh për të kërkuar fundin e qeverisë së gjeneralëve.
Shumë prej protestuesve janë mbështetës të kandidatit islamik ultrakonservator, sheikut Hazem Abu Ismail, i cili është përjashtuar nga gara presidenciale, për shkak të dyshtetësisë së nënës së tij, që figuronte edhe si egjiptiane, edhe si amerikane.
Zgjedhjet
Përjashtimi i Hazem Abu Ismail nga gara për president ka shkaktuar një sërë debatesh në lidhje me tentativën e supozuar të Këshillit Ushtarak për të parapërcaktuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. / Përgatiti: Gazmira Ndoja