E Shtunë, 31 Tetor 2026

20-vjeçarja hidhet nga monumenti i Skënderbeut

Një vajzë e re ka tentuar t‘i japë fund jetës në qendër të Tiranës, duke u hedhur nga monumenti i Skënderbeut. 20-vjeçarja Gentiana S. kishte zgjedhur monumentin e heroit kombëtar për të kryer këtë veprim, por fatmirësisht ajo ka shpëtuar vetëm me disa dëmtime të lehta. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në prani të shumë kalimtarëve në qendër të Tiranës, ku ndodhet edhe sheshi me të njëjtin emër. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se ngjarja është regjistruar në orën 08:30, kur një kalimtar ka telefonuar në sallën operative dhe ka treguar se një vajzë e re ishte hedhur nga monumenti i Skënderbeut. Me t‘u njoftuar, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e patrullës së përgjithshme të policisë, ndërkohë që protagonistja është dërguar për në qendrën spitalore "Nënë Tereza". Nga informacionet e mbledhura, policia ka zbuluar se vajza e re kishte probleme mendore. Sipas policisë, mëngjesin e djeshëm kishte dalë nga banesa, ku jeton dhe kishte shkuar në qendër të Tiranës. Me mundim, ajo është ngjitur mbi monumentin e "Skënderbeut" dhe nga aty është hedhur me kokë poshtë. Njerëzit, të cilët e kanë vënë re vajzën, e cila po bëhej gati të hidhej, i kanë bërë thirrje asaj që të ulet, por ajo nuk ka pranuar. Sapo vajza e re ka rënë në shesh, njerëzit e mbledhur, qoftë nga kurioziteti apo nga interesi për të ndaluar 20-vjeçaren që të kryente një veprim të tillë, i kanë dhënë asaj ndihmën e parë. Me një nga makinat që qarkullonin pranë vendit të ngjarjes, vajza e re është dërguar në urgjencën e spitalit, ku i është nënshtruar një terapie intensive. Burimet spitalore thanë se ajo ka pësuar disa dëmtime në kokë dhe thyerje të ndryshme, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia, pasi ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe vlerësimin e saj, ka shkuar në spitalin ku është shtruar Gentiana S., për ta marrë në pyetje. Por, gjendja e saj shëndetësore nuk i ka lejuar oficerët për të pyetur vajzën e re në lidhje me motivet që e kanë çuar për të ndërmarrë aktin e vetëflijimit. Në këto kushte, grupi hetimor ka pyetur të njohurit e saj dhe dëshmitarët okularë, të cilët kanë rrëfyer ngjarjen. Ndërkohë, të njohurit kanë shpjeguar se ajo nuk kishte shfaqur shenja vetëvrasjeje më parë. Megjithatë, pritet që vajza e re të tregojë motivin pas përmirësimit të gjendjes së saj shëndetësore, ndërkohë që policia ia ka kaluar materialet e çështjes prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›