E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe Maqedonia në NATO, stabilitet për rajonin

Marrja nga Shqipëria dhe Maqedonia e ftesës për anëtarësim në NATO, rreziku që vjen për këto dy vende pas ngjarjeve të fundit, tragjedia me viktima e Gërdecit në Shqipëri dhe kriza qeveritare në Maqedoni ishin në fokusin e analistëve dhe politikanëve në emisionin "Top Show" të moderatorit Alban Dudushi. Të ftuar në studio ishin Menduh Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Kastriot Islami, ish-ministër i Jashtëm, Preç Zogaj, kryetar i Komisionit të Jashtëm Parlamentar, Remzi Lani, publicist, Albert Rakipi, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe Mentor Nazarko, shef i departamentit të shkencave politike të Universitetit "Marin Barleti".

Fillimi i debatit ishte pikërisht kriza e shkaktuar në Maqedoni, pas largimit nga qeveria me disa kushte, e partisë të zotit Thaçi. Kreu i PDSH-së në Maqedoni, duke sqaruar kushtet, situatën dhe negociatat me Kryeministrin maqedonas Gruevski, tha se "të gjithë bashkë duhet të punojmë që të mos marrim asnjë notë negative". "Procesi i integrimit në NATO për të gjithë shqiptarët është i lidhur dhe kjo ka të bëjë me ardhmërinë e shqiptarëve në Shqipëri e Maqedoni. Me shumë vështirësi, faktori ndërkombëtar është kthyer drejt Maqedonisë, të cilës po i iku ftesa e NATO-s, pra humbja e ftesës, do të thotë të jetë apo të mos jetë", theksoi Thaçi. Më tej, ai theksoi se "Maqedonia është eksperimenti i parë multietnik dhe po humbi ftesën do të kemi probleme me konceptin anakronik se shteti i Maqedonisë është shteti i maqedonasve".

Duke u ndalur te Kryeministri i Maqedonisë dhe negociatat më të fundit për kapërcimin e krizës, Thaçi shtoi se "Gruevski nuk ishte koshient deri para pak kohe, por tani ai është më koshient. Fajtori për këtë situatë nuk është aleati im, por faji është pak më i gjerë. Në 17 vjet, forcat politike shqiptare nuk mundën t‘i zgjidhin problemet e tyre. Përgjegjësi këtu kam edhe unë. Për kërkesat që kam parashtruar, theksoj, se ne nuk kemi kërkuar që ato kërkesa të zgjidhen në çast".

Sipas tij, pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj është pikë e realizueshme menjëherë, ashtu sikurse edhe mbyllja e rasteve të Hagës (që janë katër raste e që janë shqiptarë, të mbyllura nga Haga dhe që nuk mund të gjykohen nga gjykatat lokale maqedonase). "Gjuha dhe flamuri nuk mund të zgjidhen brenda ditës. Unë kërkoj proces politik. Kërkesat nuk janë dyjavëshe dhe për to kemi mbështetje ndërkombëtare nga SHBA e NATO. Kanë 6 muaj diplomatë dhe politikanë që zbresin në aeroport dhe përsërisin këto kërkesa. Vetëm kërkesa e Kosovës është e re. Të tjerat kanë katër vjet që janë parashtruar", shtoi kreu i PDSH-së.

Pyetjes së moderatorit Dudushi se, a ishte momenti i përshtatshëm për daljen nga koalicioni qeveritar, Thaçi iu përgjigj, duke thënë se "ne ishim të qetë deri në shpalljen e pavarësisë të Kosovës dhe njohja edhe nga SHBA-ja, por edhe shumë vende të BE-së, ishin momenti që ne prisnim që Maqedonia të bënte njohjen zyrtare. Gjë që nuk ndodhi. Ndërsa deklarata e daljes sime nga koalicioni është bërë pas takimit në ambasadën amerikane dhe para asaj ambasade, ky proces ka një mbështetje. Ky proces nuk u shkon kundër miqve tanë dhe të Maqedonisë", nënvizoi më tej Thaçi.

Të gjithë të ftuarit në studio kanë pasur një qëndrim të përbashkët se situata aktuale në Shqipëri pas tragjedisë të Gërdecit nuk do ndikojë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Sipas të ftuarve, ngjarja krijon pikëpyetje, por faktorët që ndikojnë hyrjen nuk mund ta ndryshojnë konsensusin se do të marrim ftesën dhe Shqipëria do të ketë më shumë vëmendje dhe kontroll, faktorët e tjerë dominojnë mbi situatën e krijuar ditët e fundit. "Kjo ngjarje, megjithëse e rëndë, nuk do të ketë ndikim te momenti historik i Shqipërisë", tha Albert Rakipi.

Publicisti Remzi Lani, duke analizuar kushtet dhe pozicionin për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë, tha se "nuk ka lidhje të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO me atë të Maqedonisë. Opinioni për vendin tonë është që ne e kemi kaluar klasën, kurse Maqedonia ka probleme, si me emrin dhe më pas u shfaq kriza e brendshme. Është në interesin tonë që Maqedonia të jetë anëtare e NATO-s. Argumentet e Thaçit qëndrojnë dhe është i kuptueshëm presioni për Kosovën. Kërkesat janë të drejta, por momenti nuk është më i përshtatshmi", shtoi ai.

Ish-ministri i Jashtëm, Kastriot Islami, u shpreh se qëndrimi i SHBA-së është që këto vende ende nuk i kanë plotësuar të gjitha kushtet, por anëtarësimi i tyre duhet, sepse rrit sigurinë në rajon dhe do i ndihmojë për të plotësuar më shpejt kushtet. "Ka një vlerësim të gjatë për këto vende", tha Islami. Sipas tij, vlerësimi është bërë që të tria vendet do të hyjnë, pavarësisht vonesave në axhendën individuale. I vetmi problem është çështja e emrit që është bilaterale. Më pas do ketë axhendë individuale për çështjet e NATO-s.

Mentor Nazarko, duke sjellë në vëmendje të publikut qëndrimin politik të partive shqiptare në Maqedoni, u shpreh se "të gjitha partitë shqiptare nuk kanë arritur ta bëjnë këtë proces më të përshtatshëm dhe manovra aktuale është me shumë goditje njëherësh. PDSH-ja mori disa armë, edhe të opozitës dhe faktori shqiptar duket më i kompaktësuar. U bë një lëvizje, që duket sikur i shkon për shtat Greqisë, por mendoj që nuk kishte moment politik më të mirë që t‘i bëhej presion klasës politike maqedonase. Kjo është vepër taktike me shumë efekte dhe rezultatet do i shohim më pas".

Politikani dhe publicisti, Preç Zogaj, duke analizuar lëvizjen e partisë së zotit Thaçi, tha se "lëvizja e partisë së Thaçit do të sjellë fitoren e disa kërkesave të tij. Këto janë procese të vazhdueshme politike dhe lëvizje të partive shqiptare me aleatët e tyre. Për momentin, vetëm çështja e emrit pengon Maqedoninë të marrë ftesën. Kjo lëvizje është në funksion të avancimit dhe plotësimit të kërkesave dhe ne jemi të interesuar që Maqedonia të jetë pjesë e një procesi integrues, jo vetëm si vend fqinj, por edhe për shqiptarët. Një Maqedoni në NATO do të japë tjetër mundësi integrimi për shqiptarët. Nuk ka frymëzim më të madh proevropian se partitë shqiptare në Maqedoni".

Kreu i PDSH në Maqedoni, Menduh Thaçi, theksoi se "nga informacionet që kam unë, çështja e emrit do të zgjidhet, për këtë të jeni të sigurt. Kërkesat tona do të plotësohen dhe më pas do vijë ftesa. Ky vend është peng i 1 milion shqiptarëve, që janë atje në vendin amë dhe mosintegrimi në NATO do të thotë mungesa e shpresës për të ardhmen".

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Albert Rakipi, ishte disi kritik në qëndrimet e tij. Ai tha se "interesat afatshkurtra të partive në Maqedoni kanë dëmtuar interesat e shqiptarëve dhe gjithë procesin integrues të Maqedonisë për hyrjen në NATO. I vetmi element thelbësor është vetëm pavarësia e Kosovës dhe kjo jo vetëm se është parti shqiptare, por me faktin se Maqedonia është vend fqinj me Kosovën dhe është në interes strategjik. Instrumentet kanë për të detyruar shumicën maqedonase për të hapur kuota të reja për çështjet e ngritura nga Thaçi, por këto nuk mbyllen me ftesën për në NATO, dy vendet tona nuk janë në kuotat e duhura dhe këto instrumente do qëndrojnë edhe pas ftesës. Interesat e vendit janë më të rëndësishme sesa interesat afatshkurta politike. Dhe kjo jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për vendin tone".

Duke dashur të hedhë poshtë disa nga qëndrimet e Rakipit, kryetari i PDSH-së në Maqedoni, Menduh Thaçi, tha se nuk mund të paraqiste vetëm çështjen e Kosovës, pasi "ai dhe partia e tij ishin votuar politikisht".

Preç Zogaj theksoi se "ngjarja e Gërdecit na ka ulur kokën, megjithëse përgjegjësia është e një grupi njerëzish. Kjo është një ngjarje ku ka tregues të informalitetit, mendjelehtësisë, papërgjegjshmërisë dhe askush nuk mund të pranojë të ngrihet një pseudofabrikë në zona të banuara dhe këto janë vendime të papranueshme. Përgjegjësinë duhet ta nxjerrë nga fillimi në fund prokuroria. Ka arsye të qëndrohet te vizioni i interesit kombëtar. Do ishte një shpërthim i një natyre tjetër dhe analog me atë të Gërdecit, në rast se do humbnim ftesën për në NATO".

Duke mbyllur analizën dhe argumentet e tij, Thaçi tha se procesi për marrjen e ftesës për në NATO, për të dyja vendet tona është tepër i rëndësishëm për faktorin shqiptar në rajon. Por humbja e ftesës për anëtarësim në NATO e vë Maqedoninë në pozicionin "to be or not to be". "Dhimbja do të jetë e madhe, por NATO nuk do ketë dhimbje për dhimbjet tona", përfundoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›