Porti i Durrësit dhe Spitalla, dy zona të lira ekonomike
Përveç depozitave të naftës dhe gazit në periferi të Durrësit, Ministria e Ekonomisë është duke lançuar të tjera projekte me karakter industrial. Bëhet fjalë për zonat e lira ekonomike në Portin e Durrësit dhe në Spitallë, lagje periferike ku janë të pozicionuara qendrat spitalore. Në raportin për vitin 2007, METE sqaron se, zona e lirë në Portin e Durrësit, është propozuar nga kompania "Durrës Kurum Shipping". "Për këtë, është dhënë mendimi nga MPPTT që zona ekonomike të bëhet brenda sipërfaqes që disponon "Kurum", pasi ajo është në përputhje me master-planin e përdorimit të tokës në Portin e Durrësit", citon raporti. Shoqëria ka paraqitur pranë METE propozimin e saj për këtë zonë duke e shoqëruar me një projekt, i cili paraqet kryerjen e investimeve për rreth 7.3 milionë euro dhe hapjen e 600 vendeve të punës brenda zonës së lirë, si dhe do të mundësojë indirekt hapjen e 4000 vendeve të tjera. Problem për ministrinë mbetet fakti se shoqëria ka të dhëna negative në treguesit ekonomikë për tri vitet e fundit të aktivitetit. Tashmë i mbetet vetëm konfirmimi i ZVRPP për regjistrimin e truallit. Ndërsa
zona ekonomike Spitallë, Durrës është identifikuar nga METE dhe Ministria e Bujqësisë. Sipërfaqja do të jetë mbi 850 ha, pronësi shtetërore dhe pronësi private dhe po punohet për shpalljen e zonës ekonomike me statusin e parkut industrial.