E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një grua shurdhmemece, e humbur prej një jave

Që prej një jave, një grua shurdhmemece e paidentifikuar ndodhet në Kukës, e strehuar në një prej pavijoneve të spitalit civil. Mjeku kujdestar i pavijonit, Mark Nufi, tregon se gruaja duhet të ketë moshën rreth 60 vjeç, gëzon shëndet normal fizik, nuk pi duhan dhe nuk di të shkruajë. Mund të jetë nga Kosova, por edhe nga ndonjë rreth i Shqipërisë, pa përjashtuar edhe mundësinë që mund të jetë e nacionalitetit joshqiptar. Hamendjet e njerëzve shkojnë deri përcaktime të tilla që ajo mund të jetë boshnjake, apo edhe serbe apo maqedonase. Në spital e ka dërguar policia, ndërsa te kjo e fundit e kishte dorëzuar një familje nga lagjja nr. 3 e Kukësit. Policia thotë se nuk ka asnjë të dhënë se kush është dhe nga mund të ketë ardhur në Kukës. Mirvete Lushi, e cila e strehoi për disa ditë gruan shurdhmemece, thotë se e ka gjetur atë në rrugë. Gruaja e humbur bën me shenja se ka tre-katër fëmijë, madje të martuar dhe se rejat e saj e kanë dhunuar. Ajo tregon edhe pjesët e trupit ku është goditur ndërsa përpiqet të tregojë se ia kanë marrë dokumentet apo lekët që ka pasur në xhep.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›