E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, arrestohen për trafik armësh 4 persona

Katër persona janë vënë në pranga dje, pasi dyshohet se trafikonin nga Shqipëria në Malin e Zi, mina me celularë dhe pushkë të precizonit të lartë. Seksioni i luftës kundër trafiqeve ilegale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me mbështetjen e forcave të policisë së Durrësit, kanë organizuar dje një operacion tepër sekret në fshatin Rrashbull, duke vënë në pranga katër trafikantët e dyshuar. Prokuroria tha se dje janë arrestuar në flagrancë Glerian Hyseni, 31 vjeç, lindur dhe banues në Rrashbull të Durrësit, Adrian Moçka, 46 vjeç, banues në Tiranë, Shkëlqim Gjoka, 34, banues në Tiranë dhe Hysen Hyka, banues në Tiranë. Arrestimi i të sipërpërmendurve u bë në kuadër të hetimeve për procedimin penal Nr. 23 te vitit 2007, që ndiqet nga Prokuroria për Krime të Rënda, ku hetohet për veprat penale të "trafikimit të armëve dhe municioneve" dhe "trafikimit të lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive". Hetimet për këtë procedim penal kanë filluar në datë 26 shkurt të vitit 2007 dhe si rezultat i këtij hetimi, ndihmuar edhe me përdorim të metodave të posaçme të hetimit, deri tani janë goditur katër grupe me aktivitet në fushën e trafikut të armeve e municioneve, në përbërje të të cilëve janë arrestuar dhe dërguar për gjykim 11 persona me masën e sigurimit "arrest në burg". Arrestimi i këtyre shtetasve është shoqëruar edhe me sekuestrimin e 57 mijë fishekëve luftarakë dhe 35 pistoleta të tipit "Beretta" dhe "Mini Blow". Në këtë hetim është bashkëpunuar ngushtë edhe me strukturat e Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi u bë e mundur që dje, pas arrestimit të personave të sipërpërmendur, të sekuestrohen me cilësinë e provës materiale dhe nëntë mina me lënde plasëse tritol që shpërthehej nga distancë me mekanizmin e celularit, një pushkë snajper dhe një pistoletë me silenciator.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›