E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse shqiperia mund te ftohet ne NATO?

Ngjarja e rëndë e Gërdecit ndodhi vetëm pak javë para Samitit të Bukureshtit, një moment i rëndësishëm për tri vendet e të ashtuquajturit Adriatik 3, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, që presin marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Ngjarja në fjalë ishte një test i padëshirueshëm mbi kontrollin e shtetit shqiptar mbi armatimet, përpunimin e tyre, trafiqet eventuale të armëve dhe NATO nuk besohet se ka mbetur e kënaqur. Duket ndërkohë se ka një vullnet të epërm për ta ftuar Shqipërinë, pavarësisht Gërdecit, siç pohoi një zëdhënës i NATO-s, por sesa kohë do të kalojë deri në anëtarësimin e plotë kjo nuk është përcaktuar ende.

Pavarësisht këtij vullneti të epërm, analiza për plotësimin e standardeve nga ana e Shqipërisë, ka arsye të bëhet. Kërkesat për t‘u përmbushur për integrimin në NATO janë të natyrës politike e ushtarake dhe këtu provimi duket i vështirë, pavarësisht mikut për të marrë provimin. Nëse Shqipëria ka bërë disa përparime në fushën ushtarake, në rritjen e aftësive operacionale të saj, reduktimin dhe profesionalizimin e forcave në fushën politike ka ende mjaft probleme. Nuk qarkullon ende një raport vlerësimi për progresin e Shqipërisë në plotësimin e kritereve për të marrë ftesën, megjithatë një bilanc mund të bëhet që tani në lidhje me angazhimet e marra në planin e veprimit për anëtarësim dhe 53 objektivat e premtuar në 2000. Duket qartë se Shqipëria ka probleme të mëdha me administrimin e zgjedhjeve, me atë të kufijve dhe dokumentet e identitetit, ashtu siç nuk ka arritur t‘i kushtojë mbrojtjes burimet buxhetore të planifikuara. Objektivat në planin politik janë madje të njëjta me ato të imponuara nga Bashkimi Evropian, kështu që ky është një argument tjetër pse Shqipëria nuk i përmbush standardet politike.

Ndërkohë duket se ka një vullnet të epërm për të pranuar Shqipërinë, pavarësisht Gërdecit, krizës qeveritare që mund ta pasojë Gërdecin dhe bashkë me vendin tonë edhe dy shtetet e tjerë ballkanikë. Me shumë gjasa, bash për këtë arsye opozita bën presion për dorëheqjen e qeverisë, pa u ndjerë e kompleksuar se do të prishte ftesën e Bukureshtit. Mund të kuptohet sesa i epërm është ky vullnet që duket se ka përkulur dhe Greqinë, duke e detyruar atë të pranojë Shqipërinë pa kushte, por thjesht të belbëzojë ca kërkesa për minoritetet. Pikëpyetje tjetër e rëndësishme është nëse do të fitojë qasja e integrimit të tri vendeve, apo e anëtarësimit të tyre një e nga një? Në këtë kuadër, a do përkulet Greqia dhe për Maqedoninë, apo Maqedonia do ta shesë emrin e saj në përpjekjen për të marrë një ftesë që nga protagonisti kryesor shqiptar i jetës politike maqedonase, konsiderohet si lejë për të mbijetuar. NATO baras me ekzistencën e Maqedonisë; mosftesa baras me rreziqe të mëdha, tha Menduh Thaçi dje në "Top Show".

Çfarë përfaqëson integrimi në NATO për Shqipërinë?

Anëtarësimi në NATO përfaqëson një ngjarje të rëndësishme politike për kombin shqiptar. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kjo ngjarje duket si dhurata e dytë për shqiptarët nga ana e perëndimorëve, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të shndërruara në sponsor strategjik i bashkëkombësve tanë. Duket sipas ekspertëve se ka fituar opsioni se pas kësaj pavarësie, vendet përreth duhen anëtarësuar: presioni rus për të ridepërtuar në këtë zonë, ish-periferi e Perandorisë Sovjetike, duhet ndalur. Serbia duhet izoluar në mënyrë të tillë që të detyrohet dhe ajo të futet në bllokun perëndimor.

Ngjarja na fut në klubin e vendeve serioze, duke na nxjerrë nga klubi i vendeve joseriozë; është një operacion i shkëlqyer imazhi, që do të ketë efekte dhe perceptimin e biznesit të huaj për vendin. Është e provuar kjo në rastin e Bullgarisë, kur anëtarësimi solli shtimin shumëfish të investimeve ndërkombëtare, aq jetike për një vend si Shqipëria, që ka mesataren më të ulët në rajon për këto investime.

Anëtarësimi në NATO krijon kanale të reja vëzhgimi, presioni mbi stilin e qeverisjes së kësaj klase politike, që e ka humbur disa herë trenin e integrimit, veçanërisht në 1996-ën, kur ishte gati të firmoste marrëveshjen e asociimit me BE-në. Në këtë kuptim, ajo shton shanset për anëtarësimin në BE. Por pikërisht prej këtij paraleli, duhet pasur parasysh se ftesat pa kushte kanë shërbyer dhe mund të shërbejnë si njëlloj licence për qeverisjen e PD-së, që të bëjë si të dojë në planin e brendshëm: kujtoni ‘96, zgjedhjet e majit, piramidat etj.

Në një shikim optimist, ftesa për NATO na zhvendos në radhën e zhvillimeve rajonale, nga vendi i fundit, në ato të parafundit, duke ia lënë stafetën negative Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Një hop mjaft i rëndësishëm para, diçka e pamendueshme 20 vjet më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›