E Diel, 1 Nëntor 2026

20 vjet demokraci, Berisha: Kurorë lirie për Shqipërinë

Partia Demokratike feston sot 20-vjetorin e fitores së saj në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992. Në fjalën e tij në mitingun e organizuar me këtë rast, kryeministri Berisha theksoi se këto dy dekada janë kurorë e lirisë në ballin e madhërishëm të Shqipërisë.
 

"Jemi mbledhur sot këtu për të nderuar së bashku 22 marsin e vitit 1992. Ditën që ne sot pas 20-vitesh nuk gjen fjalë por vetëm ato që gufuan nga zemrat tona, ditën e bardhë, ditën e bekuar, ditën më të bukur të jetës sonë, ditën më të madhe pas shpalljes së demokracisë. Këto dy dekade janë kurorë e lirisë në ballin e çdo shqiptari, janë kurora e bukur e lirisë në ballin e madhërishëm të Shqipërisë. Prandaj edhe unë sot ju ftoj ju dhe mbarë qytetarëve të shprehim nderimin tonë më të madh, të përulemi me respekt të thellë para atyre burrave dhe grave të cilët përmbysën me votën e tyre të lirë regjimin më barbar që Shqipëria dhe Europa kishte njohur në gjithë histroinë e saj” ka theksuar Berisha.
 

Ai ka theksuar më tej se sot  shqiptarët nderojnë 22 marsin ditën kur u përmbys regjimi më barbar që Shqipëria kishte njohur në historinë e saj ndërsa shtoi se kjo është një datë që shqiptarët i besuan kësaj force politike më shumë se çdo force tjetër në Europën Komuniste.

Sipas Berishës, Shqipëria është atdheu i zotit, i dinjitetit njerëzor, i besimeve të lira fetare, shembull frymëzimi për tolerancën e shkëlqyer, harmoninë ndërfetare, atdheu i shqiptarëve të lirë. “Ne besonim te liria, shqiptarët ia dolëm, ne e kryhem” shtoi ai.

Sipas kryeministrit Berisha në këto 20-vjet demokraci, Shqipëria ia doli që të jetë pjesë e NATO-s ndërsa shqiptarët lëvizin të lirë në të gjithë Europën.  “Shqipëria që trashëguam mbulohej nga 700 mijë bunker. Vendi që 20 vjet më parë mendohej të mos ekzistonte në hartën politike të Europës sot është vendi anëtar i NATO-s. Shqipëria 20 vjet më parë ishte rrethuar me tela me gjemba dhe ku u ekzekutuan më qindra të rinj. Sot Shqipëria është atdheu i të rinjve dhe të rejave që lëvizin të lirë pa viza në gjithë Europën. Shqiptarët ia dolëm, ne e kryhem” ka theksuar më tej Berisha.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›