E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: 22 marsi 1992, dita më e madhe pas pavarësisë për shqiptarët

Sali Berisha / foto arkiv

Partia Demokratike po zhvillon një miting festiv në sheshin Nënë Tereza, në të cilin merr pjesë edhe kryeministri Berisha. Në fjalën e tij para pjesëmarrësve, Berisha e cilësoi 22 marsin e 20 viteve më parë si dita më e madhe për shqiptarët, pas asaj të pavarësisë.

Nderojmë sot 22 marsin e vitit 1992, ditën që edhe sot pas 20 vitesh nuk gjejmë fjalë për ta përshkruar ndryshe veçse si dita e bardhë, dita e bekuar, dita më e madhe pas pavarësisë për shqiptarët e Shqipërisë.

Këto dy dekada janë kurorë të lirisë në ballin e çdo shqiptari, kurora e bukur e lirisë në ballin e madhërishëm të Shqipërisë.

Unë sot ju ftoj ju dhe mbarë shqiptarët të shprehim nderimin më të madh e të përulemi me repsekt para atyre që me trimërinë e tyre në dhjetor 1990 shembën murin e Berlinit, përmbysën më 22 mars regjimin më barbar që Europa kishte njohur në tërë historinë e saj.

Unë në emër tuaj dhe të atyre që me votë të lirë shembën diktaturën hoxhiste uroj sot të gjithë ata të rinj dhe të reja që lindën dhe u rritën në dekadat e lirisë, tha Berisha.

PD feston 20-vjetorin e fitores së parë  

Partia Demokratike feston sot 20-vjetorin e fitores së 22 marsit 1992. Demokratët kanë organizuar një sërë aktivitetesh festive, të cilat pritet të kulmojnë në mesditë.

Kryeministri Berisha e shpalli ditën e sotme ditë feste gjatë mbledhjes së zhvilluar me deputetët demokratë dhe krerët e rretheve të premten e kaluar.

20-vjetori i fitores së demokratëve përkon me vitin e 100 të pavarësisë së shtetit shqiptar dhe sipas Berishës kjo është një arsye më shumë për të festuar.

Edhe pas 20 vitesh, shqiptarët i besojnë ende Partisë Demokratike, u shpreh Berisha në mbledhje.

Zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992 shënuan fitoren e parë të demokratëve, e cila i solli ata në pushtet pas regjimit të gjatë komunist. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›