“Integrimi në BE, në krye të axhendës parlamentare”

Takimi Topalli - Sannino
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një takimi me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino, rikonfirmoi angazhimin e Parlamentit, për të bërë çdo gjë drejt finalizimit me sukses të 12 rekomandimeve, në mënyrë që Shqipëria të meritojë statusin e vendit kandidat. Duke e cilësuar procesin e integrimit si një projekt kombëtar, Kryetarja Topalli tha se, "në krye të axhendës së Parlamentit është dhe mbetet integrimi në BE". Kryetarja e Kuvendit theksoi se, "pas bojkotit dhe bllokimit nga opozita, që nga marrëveshja e nëntorit, në Parlament janë miratuar ligje të rëndësishme në përmbushje të kërkesave të KE, si miratimi i pesë Kodeve, ai Civil, Penal, Detar, Ajror dhe Hekurudhor, angazhimi i palëve në shqyrtimin e projektligjit për ngritjen e Gjykatës Administrative etj". Kryeparlamentraja Topalli vuri theksin në domosdoshmërinë e heqjes së imunitetit, jo vetëm për zyrtarët por edhe për gjyqtarët ndërsa theksoi se mazhoranca është në pritje të opozitës për të hedhur hapin e saj në realizimin edhe të kësaj sfide. Sipas saj, asnjë politikan, zyrtar i lartë apo gjyqtar nuk duhet t’i trembet ligjit, pasi në një vend ku sundon shteti ligjor, ligji është mbi të gjitha palët. Sannino duke mbështetur plotësisht qëndrimin e Kryetares së Kuvendit tha se, "për çështjen e heqjes së imunitetit është i rëndësishëm angazhimi dhe vullneti i të gjithë klasës politike në vend". Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian vlerësoi rolin e Parlamentit, si një ndër institucionet kyçe për punën që ka bërë në shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve dhe reformave të integrimit. Saninno theksoi se ky është një proces që kërkon dialog konstruktiv dhe bashkëpunim midis palëve.
...