E Shtunë, 31 Tetor 2026

20-vjet marrëdhënie Shqipëri-SHBA, Topi: Faleminderit për gjithcka!

TIRANË- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu ka organizuar pasditen e sotme një pritje në rezidencë, me rastin e 20 vjetorit të hapjes së ambasadës së SHBA-së në Shqipëri, ku marrin pjesë krerët më të lartë të shtetit, Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto.

ARVIZU: E ARDHMJA NË DUART E JUAJA
Arvizu i cilësoi gjithë të pranishmit, si pjesë e historisë së Shqipërisë. “Ne punojmë në një vend që vlerëson kontributet tona", tha ai.

 Arvizu duke u shprehur mirënjohjen për mbështetjen që shqiptarët i dhanë SHBA në këtë përvjetor, vlerësoi me krenari  partneritetin midis dy vendeve. Ambasadori amerikan siguroi shqiptarët se SHBA do vijojnë ta mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj, ndërkohë theksoi se e ardhmja e vendit është në duart e shqiptarëve.

“E ardhmja e Shqipërisë është në duart e juaja, ju përket juve ta përcaktoni të ardhmen, nëse do të punoni për një qëllim të përbashkët. E ndërsa e bëni këtë të jeni të sigurtë që SHBA do të jenë në anën e shtetasve shqiptar. Faleminiderit për 20 vite të mrekullueshme dhe për këtë natë të magjishme”- nënvizoi Arvizu.

TOPI: SHBA, MIKU MË I MADH I SHQIPTARËVE
Në fjalën e tij përshëndetëse kreu i shtetit Bamir Topi i cilësoi SHBA-të si mikun më të mirë të shqiptarëve dhe nuk nguroi të falënderonte Ambasadorin Arvizu për gjithcka kanë bërë në 20 vite.
“Dëshiroj të shpreh një emocion të vecantë që jam sot këtu për të celebruar 20 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve Shqipëri –SHBA. Si të gjithë shqiptarët kam një admirim të vecantë për SHBA. Ju jemi shumë mirënjohës, jeni miku më i madh i shqiptarëve. Ju detyrohemi për gjithcka kemi bërë në këto vite” tha Topi.

Presidenti gjeti rastin të falenderojë SHBA-të edhe për rolin që luajti në Pavarësinë e Kosovës. “Ju falenderojmë që i dhatë Kosovës pavarësinë”, tha ai.

BERISHA: ARRITJET TONA, NGA MBËSHTETJA E SHBA
Ndërsa kryeministri Berisha deklaroi gjatë pritjes se rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-të, është një moment i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët.

“Kjo është një nga ngjarjet më të mëdha në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe në historinë e vendit tim, hapja e ambasadës së SHBA-ve 20 vjet më parë. ky ka qënë një moment i shumëpritur. Qytetarët e këtij vendi e dëshman këtë në atë kohë me pritjen më të zjarrtë që i kanë rezervuar dikujt në historinë e tyre, ishte pritja e sekretarit Bejker”, tha Berisha.

Kreu i qeverisë tha më tej se "ky është 20 vjeçari i ndihmës dhe mbështetjes më të madhe që ne kemi patur në tërë historinë tonë nga SHBA-të".

Sipas Berishës mbështetja e SHBA-ve e shndërroi Shqipërinë nga një vend bukier në vend me ekonomi tregu të lirë.

TOPALLI: JEMI DËSHMITARË TË NDRYSHIMEVE TË MËDHA
E pranishme në këtë ceremoni kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se ky është një përvjetor shumë i veçantë, pasi jemi bërë dëshmitarë të ndryshimeve që kanë ndodhur në vite.

"Në këto 20 vite, jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha. Ne shqiptarët, u jemi shumë mirënjohës SHBA-ve. Historia e Shqipërisë është e lidhur me SHBA, historia e hyrjes në NATO gjithashtu", tha ajo.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›